E Diel, 1 Nëntor 2026

BE, raporti për Shqipërinë. Të mërkurën debati për krizën

Komisioni i Jashtëm parlamentar i Parlamentit Europian diskuton të mërkurën rezolutën për procesin integrues të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Rezoluta, e përgatitur nga eurodeputeti Nikolas Kuntis, do të debatohet së bashku me amendamentet përkatëse të eurodeputetëve të tjerë. E në fakt, pikat më të debatueshme të rezolutës, janë pika 3, që ka të bëjë me situatën politike në Shqipëri dhe pika 6, që ka të bëjë me procesin e liberalizimit të vizave.

Në tekstin e rezolutës thuhet se Parlamenti Europian shpreh keqardhjen për krizën politike duke e konsideruar dialogun parlamentar si të nevojshëm për funksionimin demokratik të institucioneve, duke i bërë thirrje partive politike për angazhim të pandërprerë parlamentar. Në amendamentin e tij, vetë hartuesi Kuntis shton se PE i bën thirrje aktorëve politikë për të marr përsipër përgjegjësitë për dialog konstruktiv që të arrihet aktivitet i plotë dhe i pandërprerë parlamentar.

Por eurodeputeti Svoboda mendon ndryshe. Në amendamentin e tij, ai thotë se të dy palët duhet të bien dakord për ndërmjetësim, pershembull nga anëtarë të Këshillit të Europës ose të Parlamentin Europian, duke theksuar se duhet gjetur zgjidhje për konfliktin për zgjedhjet, me propozime kompromisi nga të palët.

Ndërsa zonja Pak, në amendimin e saj kërkon që të konsiderohet se mungesa periodike e opozitës në Parlament po vonon miratimin e ligjeve që kërkojnë 3/5 e votave, duke i kërkura opozitës që të reflektojë thellë. Të gjitha këto amendime pritet të diskutohen në mbledhjen e së mërkurës të komisionit të jashtëm parlamentar.

Një tjetër pikë debati është edhe pika 6, ajo e liberalizimit të vizave. Në rezolutën e hartuar nga Kuntis thuhet se PE mirëpret përparimin e rëndësishëm të bërë në përgatitjet për liberalizimin e vizave, duke risjell në kujtesë një deklaratë të përbashkët nga ana e Parlamentit Evropian dhe Këshillit në të cilën dy instituciont u angazhuan për të shqyrtuar këtë propozim si një çështje urgjente.

Eurodeputeti Boshtinaru kërkon që në këtë pikë të përfshihet edhe ndikimi i krizës politike në procesin e liberalizimit të vizave. Boshtinaru thotë se përkeqësimi i krizës politike në Shqipëri, mund të dëmtojë procesin e liberalizimit të vizave, prandaj i kërkon të dyja palëve politike për të negociuar në funksion të një rezultati pozitiv dhe të qëndrueshme të krizës, duke nënvizuar se nëse nuk gjendet një kompromis, Komisioni Evropian duhet të vënë në pritje të gjithë procesin.

Rezoluta për procesin integrues të Shqipërisë, pas debateve në komisionin e jashtëm, do t’i dërgohet përfaqësuesit të lartë të BE për Punët e Jashtme, zv.presidentit të Komisionit, të Këshillit, qeverive dhe parlamenteve të vendeve anëtare, si dhe qeverisë dhe Parlamentit të Shqipërisë.

Anisa Braho

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›