E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fullani: Ulet në 4.25% norma bazë e interesit

29/03/2012  Inflacioni në muajin shkurt është reduktuar në 0.6 për qind

Rritje e ngadaltë e ekonomisë për 3 mujorin e parë

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi dje të ulë normën bazë të interesit me 0.25 për qind duke e çuar atë në 4.25 për qind. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, gjatë konferencës për shtyp deklaroi se Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së gjykon se ulja e normës bazë të interesit do të krijojë kushte më të përshtatshme monetare për ekonominë afatmesme dhe për zhvillimin e kërkesës në sektorin privat të ekonomisë. "Ky vendim u morr nga rënia e mëtejshme e balancës së presioneve inflacioniste në ekonomi dhe nevoja për rritjen e stimulit makroekonomik, në kushtet e një politike fiskale më të kujdesshme gjatë vitit 2012. Këshilli Mbikëqyrës gjykon se në trajtim të lehtësimeve të mëparshme ulja e fundit e normës bazë do të krijojë kushte më të përshtatshme monetare", theksoi Guvernatori Fullani. Ai bëri të ditur se se inflacioni në muajin shkurt është reduktuar në 0.6 për qind, ndërkohë që sipas tij ecuria e mallrave të shportës nuk përbën shenja për masa inflacioniste. Ai nënvizoi se inflacioni vjetor ka prirje rënëse. Sipas Fullanit, “Të dhënat e tërthorta statistikore për sektorin monetar fiskal dhe tregtisë tregojnë për një rritje të ngadaltë të ekonomisë në tremujorin e parë të këtij viti. Kontributi i kërkesës së huaj gjatë kësaj periudhe ishte i dobët si pasojë e presioneve në këto vende. Kërkesa e brendshme private mbetet e ngadaltë për shkak se konsumatori është prirur drejt kursimit”, tha guvernatori i BSH-së. Sipas tij, importet janë tkurrur në 8.7 për qind për muajin janar, e po kështu është vërejtur edhe tkurrje vjetore e eksporteve. Guvernatori Fullani tha se ka sinjale për një gjallëri të kërkesës së brendshme, ndërkohë që sipas tij ka rënie të njëhershme të të ardhurave dhe shpenzimeve publike. Fullani nënvizoi se rritja ekonomike pritet të jetë e ngadaltë siç edhe rritja e ekonomisë në Eurozonë.

Shqipëria eksportoi 73 milionë USD më pak

Raporti i INSTAT-it, bien ndjeshëm eksportet për dy muaj

Të dhënat më të fundit zyrtare nga Instituti i Statistikave tregojnë një ngadalësim të fortë të eksporteve, duke paralajmëruar një fillim viti të vështirë për ekonominë. Sipas INSTAT-it, në dy muajt e parë eksportet e biznesit shqiptar në tregjet e huaja ishin mbi 20 për qind më të ulëta se sa në të njëjtën periudhë të vitit 2011. E konvertuar në vlerë, kjo do të thotë se në janar-shkurt Shqipëria eksportoi 73 milionë dollarë më pak se sa e njëjta periudhë e një viti më parë duke përkeqësuar bilancin tregtar të vendit. Rënia ka ardhur kryesisht në eksportet e dy grupeve, atij të minerale lëndë djegëse dhe energjisë elektrike, si dhe grupit të materialeve të ndërtimit dhe metaleve. Pjesa dërrmuese e tkurrjes së eksporteve ka ardhur në muajin shkurt dhe mund të jetë e lidhur me motin e keq, i cili goditi flukset e tregtisë duke mbyllur rrugët e qarkullimit të mallrave. Por shifrat tregojnë se eksportet kanë rënë edhe gjatë janarit, kur stuhitë e dëborës që paralizuan gjithë Evropën nuk kishin nisur.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›