Ndihet kriza, Fullani ul interesin e lekut

Guvernatori Fullani
Banka e Shqipërisë ul në 4.25% normën bazë të interesit. Ja efektet që priten.
Guvernatori: Ka rënë konsumi e rritja ekonomike, duhet kreditim.
Norma bazë e interesit të lekut ka arritur për herë të parë në 4.25 për qind. Këshilli i Mbikëqyrjes i Bankës së Shqipërisë, pas mbledhjes së djeshme mori vendimin ta ulte me 0.25 për qind. Vlerësimet e BSH reflektojnë një konsum të ulur ndjeshëm, një rritje ekonomike të ngadalësuar dhe një sektor privat me kërkesë të ulët për kreditim, çka kërkon stimul për nxitjen e kërkesës përmes politikës monetare.
Norma e interesit
Për këtë vit kjo është hera e dytë që Banka e Shqipërisë ul normën bazë të interesit për lekun. Më herët, më 25 janar të këtij viti, ajo e zbriti këtë normë nga 4.75 për qind në 4.5 për qind. Në daljen e tij para mediave, guvernatori Ardian Fullani shpjegoi dhe arsyet se pse BSH e mori këtë vendim. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të ulë me 0.25 pikë përqindjeje normën bazë të interesit, duke e zbritur atë në nivelin 4.25%. Ky vendim u motivua nga rënia e mëtejshme e balancës së presioneve inflacioniste, si dhe nga nevoja për rritjen e stimulit makroekonomik në ekonomi në kushtet e një politike fiskale më të kujdesshme gjatë vitit në vazhdim, u shpreh Fullani. Ajo çka Banka e Shqipërisë ka theksuar edhe më herët është fakti që shpenzimet e qeverisë nuk janë më ato që mbështesin rritjen ekonomike dhe se radha është e sektorit privat, por ky i fundit ngurron. Kreditimi në nivele të moderuara edhe si efekt i mungesës së kërkesës, duket se për Bankën e Shqipërisë është motiv i mjaftueshëm për të vënë në zbatim instrumente stimuluese që nxitin kërkesën për kredi nga ky sektor.
Efektet
Banka e Shqipërisë pret që përmes uljes së normës së interesit, bankat e nivelit të dytë të reflektojnë uljen te kreditimi. Me interesa më të favorshme, sektori privat mund të joshet për të rritur kërkesën për kredi. Në jo pak raste biznesi është ankuar për interesat e larta. Ulja e normës së interesit ka qenë edhe stimuli kyç që BSH ka përdorur, sidomos në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti, për të lehtësuar kushtet e kreditimit pas ngërçit të krijuar dhe të trashëguar në post-krizë. Por, lehtësimi i kushteve për kreditë nuk vlen vetëm për biznesin, por edhe për qytetarët. Këta të fundit gjithashtu mund të tregohen më të prirë drejt rritjes së konsumit edhe për shkak të efektit që mund të ketë ulja e normës së interesit të lekut te depozitat.