E Diel, 1 Nëntor 2026

Fullani-bankave: Kredia t’i jepet biznesit të mesëm

SHKRUAN: Sabina Veizaj 13-04-2011 15:00

Bankat duhet të kenë prioritet kredidhënie sipërmarrjet e mesme dhe të vogla duke ndërruar në këtë mënyrë orientimin e kreditimit. Ka qenë guvernatori i Bankës Qëndrore, Ardian Fullani, i cili gjatë fjalës së tij, dje në Konferencën e 24-të vjetore të Grupit të Mbikëqyrësve Bankarë të Evropës Qendrore dhe Lindore u kërkoi bankave që të mbështesin më shumë kreditimin e sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe të ofrojnë mundësi më të mëdha financimi në lekë. Pasi bankat e nivelit të dytë në traditën e politikave të tyre kanë kredituar biznesin e madh me shuma të mëdha, kryesisht në monedhën europiane, euro, me qëllim fokusimin në kontrollin e tyre e gjithashtu kanë lëvruar edhe kredi konsumatore duke lënë në hije kredidhënien për biznesin e mesëm dhe të vogël. “Veprimtaria e kreditimit duhet të mbështetet më mirë prej rritjes së qëndrueshme të burimeve të financimit, veçanërisht të depozitave. Në veprimtarinë e kreditimit, është e nevojshme të ketë një shpërndarje më të mirë sektoriale dhe një ekuilibër më të arsyeshëm midis projekteve të investimeve publike dhe private, midis formave të kredidhënies në lekë ose në monedhë të huaj, duke e orientuar kreditimin në mbështetje të ekonomisë vendase. Në çdo rast, procesi i analizës, vlerësimit, ndjekjes dhe evidentimit të cilësisë së kredisë, duhet të jetë i një rëndësie parësore për strukturat përkatëse në banka dhe të kryhet me seriozitetin maksimal, në përputhje me kërkesat mbikëqyrëse“- u shpreh Fullani. Ai theksoi se në këtë proces, është i nevojshëm bashkëpunimi me klientët që ndeshin në vështirësi të përkohshme, por në rastin e kredive pa shpresë arkëtimi është e domosdoshme kryerja e veprimeve të vendosura dhe në kohë për ekzekutimin e garancive dhe formave të tjera të kolateralit, për rikuperimin maksimal të vlerave. Gjithashtu gjatë fjalës së tij në konferencë, guvernatori Fullani bëri një analizë të ekonomisë së vendit gjatë krizës ekonomiko-financiare globale dhe vecanërisht të sektorit bankar në Shqipëri. Fullani nënvizoi se ekonomia shqiptare është karakterizuar nga zhvillime pozitive në periudhën e parakrizës duke raportuar për një rritje vjetore ekonomike prej mesatarisht 6 për qind, sipas tij në kushtet e një stabiliteti të admirueshëm të treguesve kryesorë makroekonomikë. “Rritja është mbështetur në forcimin e qëndrueshëm të përbërësve të kërkesës së brendshme, ndërkohë që është financuar nga burimet e brendshme, kryesisht përmes rritjes së shpejtë të kredisë për sektorin privat dhe asaj për investime”- tha Fullani. Duke iu referuar sektorit bankar, ai vlerësoi se ky sektor ka pësuar një transformim të ndjeshëm vitet e fundit duke e argumentuar me hyrjen në treg të grupeve të mirënjohura bankare evropiane, zgjerimit të infrastrukturës bankare dhe përmirësimit të shërbimeve për klientelën.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›