Milo: Gjoba për monopolin e bukës në Vlorë
Komisioni i Konkurrencës ka bërë publik dje në një konferencë për shtyp masat që ka marrë pas hetimit paraprak në tregun e bukës në qytetin e Vlorës. Treg në të cilin është vënë re një marrëveshje e ndaluar mes prodhuesëve dhe trgëtarëve të bukës për fiksimin e cmimit të produktit jetik. Sipas marrëevshjes mes tyre, nga data 23 mars e këtij viti, çmimi i bukës 900 gr do të jetë 120 lek dhe çmimi i bukës 450 gr. do të jetë 60 lek. Dhe këto cmime janë afishuar në të gjitha pikat e shitjes së bukës në qytetin e Vlorës. Duke iu referuar ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”i ndryshuar, për shkak të dëmit që mund t’i shkaktohet konsumatorëve të qytetit të Vlorës nga sjellja anti-konkurruese e 42 prodhuesve dhe tregtuesve të bukës, Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur marrjen e masave të përkohshme sipas nenit 44, pika 1. Sipas kreut të Konkurrencës, Milo, të gjithë pjesëmarrësit në marrëveshjen e ndaluar për rritjen dhe fiksimin e çmimit të bukës në qytetin e Vlorës, duhet t’i japin fund menjëherë sjelljes së bashkërenduar për fiksimin e çmimit të bukës. Ky institucion, i detyron të gjithë prodhuesit dhe tregëtarët, pjesëmarrës në këtë marrëveshje të zbatojnë masat e përkohshme dhe t’i zbatojnë për një periudhë kohe deri në përfundim te hetimit. Në të njëjtën kohë, sipas konkurrencës, në rast të moszbatimit të masave të përkohshme brenda afateve të përcaktuara në këtë vendim, ne bazë të nenit 76, pika b të Ligjit 9121 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, Komisioni i Konkurrencës mund të vendosë gjoba periodike deri në 5 % të xhiros mesatare ditore të vitit financiar para-ardhës, e cila llogaritet nga data e marrjes se këtij vendimi. Milo në konferencën për shtyp, bëri me dije se në rast të moszbatimit të vendimit për masa të përkohshme, ndëshkohet me gjobë deri në 10 % të xhiros vjetore për shkelje të rëndë të konkurrencës në zbatim të nenit 74, pika 1, germa b të Ligjit . i njëjti fenomen sipas Milos është vënë re edhe në qytete të tjera të vendit, nga ku ka patur raportime. Gjithashtu i njëjti fenomen ndihet edhe në kryeqytet sipas Milos ku buka në peshë të ndryshme tregtohet me të njëjtin cmim. Sipas saj, Autoriteti i Konkurrencës ka nisur hetimin paraprak sipas ligjit, jo vetëm për tregun e bukës, por për të gjitha produktet ushqimore , për të cilat është vënë re një rritje progresive që në muajin janar të këtij viti.