Në gjurmët e Bin Ladenit, hap pas hapi deri te vrasja
Më në fund, pas javësh të tëra kërkimesh nëpër shpellat dhe malet e Tora Bora-s për gjurmë të Osama bin Laden-it, komandanti në terren i CIA-s, Gary Berntsen besonte se djemtë e tij e kishin mbërthyer terroristin. Berntsen kërkoi të bëhej gati bomba e madhe-Blue-82-, një armë 15 000-poundëshe, gati sa një makinë.
Bomba u nxor nga ana e pasme e një avion transporti C-130. Forca e goditjes ishte aq e madhe sa që avulloi njerëzit që ndodheshin thellë në shpella. Shkatërrimi u shtri përgjatë një zone të madhe gati sa 5 fusha futbolli, duke vrarë shumë prej luftëtarëve të Al Kaedas, përfshi, siç besonte Berntsen, edhe Bin Ladeni.
Kishin kaluar tre muaj nga sulmet e 11 Shtatorit 2011, dhe Berntsen mendoi me vete ‘Tani e kapa.’
Dy ditë më vonë, dy prej njerëzve të Berntsen-it po dëgjonin një radio të marrë nga një prej luftëtarëve të vrarë të Al Kaedas. Ata dëgjuan Bin Ladenin që u drejtohej në arabisht trupave të tij. Gjuetia vazhdonte.
Menjëherë pas sulmit të Al Kaedas, me një injektim të shpejtë parash, komandosh e municionesh, Amerika iu vu pas njërit prej terroristëve më famëkeq. Brenda pak muajsh, ajo faza e parë e kërkimit për Bin Ladenin do t’i linte vendin një dekade të gjatë gjuetie, ku puna e lodhshme e analizave dhe përgjimeve do të sillte prangosjen e targetit. Për të gjetur Bin Ladenin, i cili më 1996 kishte deklaruar luftë të shenjtë kundër Amerikës, amerikanëve u nevojitej të mendonin më shumë si ai, të thithnin strukturat dhe ritmet e rrjetit të terrorit.
Kërkimi që mori fund të dielën, më 2 maj, me plumba në kokën dhe gjoksin e Bin Ladenit, ishte rezultati i një përqasje të re për gjetjen e një objektivi bishtnues, produkti i disa dhjetëra analistësh në Langley, që refuzonin të pranonin se preja e tyre mund të ishte zhdukur përgjithmonë.
Vash në një legen plastik
Më pak se një muaj pas sulmeve të 11 Shtatorit, bombat e Shteteve të Bashkuara filluan të binin mbi Afganistan, duke shpresuar në rrëzimin e qeverisë së Talebanëve, që i kishte dhënë strehë Al Kaedas. Në tokë, gjuetia për Bin Ladenin vazhdonte. Disa dhjetëra trupa para-ushtarake amerikane, të veshur si afganë, me mjekra dhe rroba të gjera, dhe të shoqëruar nga ushtarë afganë të punësuar, morën përsipër ndjekjen.
Në fillim prezenca amerikane ishte e pakët dhe eksperienca e mangët. Që prej vitit 1996, CIA kishte një skuadër që gjurmonte Bin Ladenin që nga Langely, por tani përpiqej të gjente oficerë që e njihnin Afganistanin dhe mund të niseshin menjëherë. Sipas një ish-zyrtari të lartë që ndihmoi në përgatitjen e stacionit ushtarak atje, CIA kishte vetëm disa dhjetëra njerëz në terren.
E para në listën e ‘gjërave për t’u bërë’ ishte identifikimi i udhëheqësve tribalë dhe takimi me ta; gjithmonë me dhurata në duar. “Mesazhi ishte ‘Ne jemi miqtë tuaj,’” tha zyrtari i lartë i CIA-s. “Ne jemi miq të të gjithëve. Por kushdo që na priti ishte në radhë për të marrë ca dollarë amerikanë.”
Ky rrëfimi mbi gjuetinë ndaj Bin Ladenit është bazuar në intervista me më shumë se 20 zyrtarë të lartë politikë, ushtarakë dhe të shërbimeve sekrete, nga administrata Clinton, Bush dhe Obama, disa prej të cilëve folën në kushte anonimiteti, sepse nuk ishin të autorizuar të flisnin për operacionet.
Komandanti në terren i CIA-s, Berntsen, në krye të skuadrës së cilës i ishte besuar gjetja e Bin Laden-it, punonte nga një bazë në Kabul, duke i dhënë operacioneve gjurmuese disa miliona dollarë para të thata, që ai i mbante të fshehura në një legen plastik. Nga ajo bankë rrethanore, ai u shpërndante pagesa në mijëra dollarë informatorëve në zonat tribale, ku ishte raportuar se ishte parë Bin Ladeni.
“Mund të kem marrë tetë raportime në atë kohë, që thoshin se ai ishte në këtë apo në atë fshat,” thotë Berntsen, i cili ka hetuar edhe bombat e Al Kaedas në ambasadat amerikane në Kenia dhe Tanzani në vitin 1998. “Ai ndalonte dhe mbante fjalime.” Analistët e CIA-s do ta mësonin më vonë vendndodhjen e Bin Ladenit gjatë javëve të para pas sulmit, kryesisht nëpërmjet hetimeve të ushtarëve të Al Kaedas nëpër ‘zonat e errëta’ të CIA-s në shtete të tjera dhe në burgun ushtarak në Guantanamo Bay, Kubë.
Por, pas sulmeve të 11 Shtatorit, amerikanët nuk e kishin idenë se Bin Ladeni dhe mëkëmbësi i tij kryesor Ayaman al-Zawahiri, ishin në lëvizje, duke udhëtuar me makinë nëpër Afganistan, duke u takuar shpesh me përkrahësit e tyre dhe udhëheqësit e Taliban-it. Sipas dokumenteve ushtarake sekrete, të rëna në dorë të Wikileaks, bazuar në intervistat me të arrestuarit, Bin Ladeni ndodhej në një shtëpi sekrete në, ose afër, Kabulit. Duke u sjellë si një kryetar shteti në mërgim, ai priti aty operativët terroristë nga Afganistani, Malajzia dhe gjithandej, si edhe u takua me udhëheqës si ai i Talibanit, Jalaluddin Haqqani. Ai dha direktiva për fushatat kundër objektivave perëndimorë, mbajti leksione mbi Islamin dhe Historinë, dhe dërgoi një video, ku me mburrje deklaronte kënaqësinë që kishte ndjerë kur kishte mësuar se sulmet kishin marrë jetët e kaq shumë amerikanëve.
Në fillim të tetorit, Yunis Khalis, një luftëtar afgan veteran, i cili kontrollonte një brez të gjerë në lindje të vendit, duke përfshirë edhe kryeqytetin rajonal të Jalalabad dhe bllokun e shpellave në Tora Bora, i dërgoi një mesazh Bin Ladenit ku i thoshte se ai mund t’i ofronte strehë udhëheqësit të Al Kaedas.
Bin Ladeni kishte miq dhe nxënës përgjatë gjithë kufirit afgano-pakistanez. Qysh para themelimit të Al Kaedas në vitin 1988, Bin Laden kaloi vite në këtë zonë, duke zhvilluar lidhjet me udhëheqësit fisnorë dhe fetarë, me shumë prej të cilëve ai kishte punuar krah për krah në betejat e muhamedanëve afganë kundër Bashkimit Sovjetik në vitet ‘80. Khalis dhe Bin Laden ishin njohur gjatë atyre ditëve, kur Khalis, një nga udhëheqësit më të spikatur të rezistencës antisovjetike, kishte marrë nga CIA dhjetëra milionë dollarë në armatime dhe para. Ai më vonë do ta prezantonte Bin Ladenin me Mohammad Omar, udhëheqësin e Talibanit. Pasi Shtetet e Bashkuara filluan të bombardonin Afganistanin në 7 tetor, Khalis, atëherë 82-vjeç, shpalli xhihad kundër Amerikës.
Duke përfituar nga mikpritja e Khalisit, Bin Ladeni arriti në Jalalabad vetëm dy muaj pas sulmeve të 11 Shtatorit, dhe menjëherë filloi t’u shpërndante para udhëheqësve fisnorë lokalë, ose drejtpërdrejt ose nëpërmjet ndërmjetësve të besuar.
Kur bombardimi i Jalalabadit u intensifikua, Bin Ladeni u fsheh në një nga shpellat e fortifikuara të Tora Boras, rreth 35 milje në jug të kryeqytetit rajonal. Bin Ladeni e njihte territorin, sepse kur ishte djalë i ri ai kishte drejtuar buldozerët atje ndërsa luftëtarët e rezistencës afgane hapnin tunele me milje të gjatë.
Vonë në nëntor, ndoshta brenda pak ditësh pas mbërritjes së Bin Ladenit në atë zonë, skuadra e Berntsen-it e gjurmoi në një zonë malore të quajtur Milawa, pak më poshtë kreshtave të Tora Boras. Njerëzit e Berntsen-it urdhëruan një sulm ajror-një koktej me B-52, F-15 dhe shumë të tjerë-që zgjati për gati 60 orë.
“Djemtë tanë ishin të sfilitur; ata e kishin goditur Osaman për ditë të tëra”, tha Berntsen. “Në fund, Bin Ladeni u fsheh edhe më thellë në male.”
Berntsen, i cili u kthye në Kabul, mblodhi disa prej anëtarëve të skuadrës së tij që t’i thoshin se çfarë u nevojitej për të kapur Bin Ladenin, tani që ata e dinin se ku ndodhej. Përgjigjja: “Kemi nevojë për 800 Army Rangers mes Bin Ladenit dhe kufirit.”
Berntsen-i u shkroi shefave të vet, duke u lutur për trupa. Sipas raportit mbi Tora Boran të Komitetit Për Marrëdhëniet e Huaja në Senat, përgjërimet e tij s’morën përgjigje. Pa një fuqi njerëzore shtesë, Berntsen nuk mund të rrezikonte një sulm nga toka.
Megjithatë, amerikanët u munduan të qëndronin afër Bin Ladenit. Zëvendësi i Berntsen-it, një oficer paraushtarak i CIA-s, rekrutoi një afgan që të ngjiste malet dhe t’i ofronte Bin Ladenit dhe ndjekësve të tij ushqim dhe ujë, dhe pastaj të raportonte mbi vendndodhjen e terroristit.
“Personi e pa Bin Ladenin dhe djalin e tij”, tha Berntsen. “Kur je i dëshpëruar, je i dëshpëruar. Dhe kur nuk ke ushqim dhe ujë, ti do i marrësh ato.”
Ndërsa Shtetet e Bashkuara lëshonin bomba mbi radhën e shpellave, Bin Ladeni dhe Zawahiri u bënin thirrje luftëtarëve të tyre të vazhdonin luftën kundër amerikanëve. Në të ftohtin e idhët të shpellave, Bin Ladeni pinte çaj me mente. Ai dëgjonte lutjet e luftëtarëve për ilaçe dhe, me një ngut edhe më të madh, për një rrugë arratie.
Një kasetë e siguruar më vonë nga CIA, tregon Bin Ladenin gjatë asaj periudhe, teksa u mëson ndjekësve sesi të hapin gropa ku ata mund të kalonin natën pa u pikasur nga aeroplanët spiunë amerikanë. Ndërsa Bin Laden flet, një bombë amerikane shpërthen diku në sfond. Dhe, pa teklif, terroristi vëren se ‘natën e kaluar ne ishim atje.’
Mësim i nxënë
Fushata amerikane kryhej kryesisht nga ajri. Pavarësisht lutjeve të operativëve të CIA-s, zyrtarët amerikanë ngurronin të dërgonin trupa tokësorë për të hequr qafe Bin Ladenin. Ata u thanë oficerëve që ndodheshin në Afganistan se trupat pakistaneze do t’i ndihmonin duke e izoluar nëse ai hynte në vendin e tyre.
Por në fillim të dhjetorit, gjatë një dreke në pallatin e tij në Islamabad, presidenti pakistanez Pervez Musharraf ua bëri shumë të qartë zyrtarëve amerikanë se ai nuk do të angazhonte trupa nëse amerikanët nuk i ndihmonin me transportimin e tyre, nëpërmjet ajrit, në kufi. Sipas Wendy Chamberlin, asokohe ambasadorja amerikane në Pakistan, Musharraf i tha asaj dhe gjeneralit Tommy R. Frank, komandanti i Komandës Qendrore amerikane: “Unë i vë trupat nëpër kamionë, por kjo kërkon kohë. A mund të më jepni mbështetje ajrore?”
Franks nuk donte të komentonte për këtë artikull, por, sipas Chamberlain-it, ai nuk e mbështeti këtë ide. Vetëm më vonë ajo do të mësonte se Gjenerali tashmë kishte filluar ‘të planifikonte për Irakun,’ tha ajo. “Edhe sikur të mund të ndihmonte, ai tashmë e kishte filluar riorganizimin.’ Pa mbështetjen ajrore, pakistanezët dërguan disa ushtarë në kufi, por asnjëherë mjaftueshëm sa për të siguruar shtigjet.
Në Tora Bora, një skuadër nga Delta Force - njësia e fshehtë ushtarake, elita e Operacioneve Speciale - planifikoi t’i përvidhej Bin Ladenit nga prapa, duke hyrë në strofullën e dyshuar të terroristëve nga Pakistani, nëpërmjet një shtegu të pambrojtur. Kjo do të kërkonte përdorimin e oksigjenit suplementar gjatë ngjitjes së 4267 metrave mbi nivelin e detit, por, sipas udhëheqësit të skuadrës Delta Force, i cili më vonë, nën pseudonimin Dalton Fury, shkroi një libër, plani kishte gjasa më të mira për sukses sesa çdo lloj sulmi ballor që mbështetej te ndihma e forcave afgane.
Fury, komandanti i trupave sulmuese, i cili doli në pension si major, tha në një intervistë me e-mail se forcat pakistaneze, të cilat duhet t’i kishin hermetizuar kufijtë “nuk arritën asnjëherë.” Ai tha se eprorët i thanë ta linte mënjanë sulmin në kufi dhe në vend të kësaj “ta vëmë misionin tonë në një vijë me atë të luftëtarëve afganë, për t’i dhënë një fytyrë afgane vrasjes” së Bin Ladenit.
Fury nuk u zinte besë afganëve. “Muxhahedinët nuk ishin luftëtarë të kualifikuar apo të motivuar,” thotë ai. Por, duke zbatuar urdhrat, skuadra e Delta Force qëndroi në anën afgane të kufirit. Më 10 dhjetor skuadra e Fury-t mori një informatë nga një burim që pretendonte se dinte vendndodhjen e Bin Ladenit në Tora Bora. 30 anëtarë të skuadrës filluan një sulm të nxituar, por kur disa prej tyre u braktisën nga aleatët e tyre afganë në territor armik, skuadra e ndali marshimin dhe iu desh më shumë se dy orë për të shpëtuar shokët. Fury e ndërpreu misionin.
Verën tjetër, burrat e Fury-t u kthyen në Tora Bora me një skuadër mjeko-ligjore, për të hulumtuar në 80 shpellat e luftëtarëve të Al Kaedas. Asnjë prej eshtrave që ata inspektuan nuk i përkiste Bin Ladenit. Skuadra vazhdoi gjuetinë. Një natë dhjetori në vitin 2002, ata zhvilluan një mësymje në Tora Bora, duke kapur një burrë që i kishte dhënë kujdes mjekësor Bin Ladenit. Por vetë Bin Ladeni kishte kohë që kishte ikur. Gjurmët ishin ftohur.
Tora Bora kishte nxjerrë mësime të vlefshme për të dyja palët. Amerikanët mësuan, siç edhe tha një zyrtar i lartë i inteligjencës, “se ishte një ide e keqe ‘të delegoje’ diçka kaq të rëndësishme si kapja apo vrasja e Bin Ladenit”. Një mosbesim i përbashkët i ndalonte ushtarakët pakistanezë dhe luftëtarët afganë të përqafonin kërkimet e amerikanëve për Bin Ladenin.
Pas Tora Boras, amerikanët e dinin se ‘kur të vijë koha për të bërë diçka, do e bëjmë vetë,’ tha një zyrtar, që prej vitesh ka qenë i përfshirë në kërkimet për Bin Ladenin.
Bin Ladeni, i cili i mori bombardimet amerikane aq seriozisht saqë e shkroi testamentin e vet në dhjetor të 2010, mësoi se e kishte humbur strehëzën e sigurt dhe tani ishte një i kërkuar në arrati. “Fshehja dhe izolimi nga operativët dhe rekrutët e transformoi atë nga një udhëheqës shumë i përfshirë në një figurë gati mitike brenda Al Kaedas,” tha një zyrtar i CIA-s. Mistika e fituar i tha një rëndësi të veçantë mesazheve në video apo audio që Bin Laden arrinte të nxirrte, por gjithashtu i uli kapacitetet e Al Kaedas për të mbledhur fonde apo rekrutuar.
Si pa kuptuar, ai shpëton
Varianti popullor i daljes gjallë të Bin Ladenit nga Tora Bora ishte dramatik ku s’mban më. Në një mënyrë a një tjetër, një i kërkuar arriti të kapërcente malet drejt jugut në zonat tribale të Pakistanit. Por hetuesit amerikanë mësuan më vonë nga të burgosurit e Guantanamos se Bin Ladeni kishte ndjekur një rrugë edhe më të guximshme: duke ikur nga veriu drejt Xhalalabadit, ngjitur me forcat speciale amerikane dhe britanike e aleatët e tyre afganë. Pas një pushimi aty, ai bëri përpara hipur në kalë, në një udhëtim disa ditësh për në provincën Konar, në cepin më verilindor të Afganistanit. Një burim nga shërbimet sekrete amerikane e konfirmoi këtë javën e shkuar. “Është ende e paqartë se kush korruptoi kë dhe se kush i dha informacion kujt”, tha burimi, por “Bin Ladeni arriti të shpëtonte. Duke njohur zonën, duke njohur njerëzit që të shërbejnë si udhërrëfyes, ai ishte në gjendje të mbërrinte në Konar në lugina që askush më parë s’i kishte pushtuar…vende të cilat sovjetikët nuk mundën të nënshtronin kurrë”.
Më pas Bin Ladeni dhe Zawahiti lëvizën në një “vendndodhje të panjohur”, sipas dokumenteve të ushtrisë. Disa të burgosur raportuan se dyshja kishte qëndruar në Konar rreth 10 muaj. As ndjekësit më të afërt të Bin Ladenit nuk e dinin se ku ndodhej, thonë analistët amerikanë që gërmuan në hetimet e operativëve të Al Kaedas. “Është e qartë se ai nuk takohej me ta ballë për ballë”, tha një zyrtar i shërbimeve sekrete. “Njerëzit që kapnim nuk e kishin takuar Bin Ladenin”.
Trupat amerikane mendonin se në Tora Bora ata nuk kishin qenë më larg se 1800 metra nga Bin Ladeni. Megjithatë, ai arriti të rrëshqiste, duke u zhdukur kaq thellë sa kaluan disa vite pa marrë as edhe një informatë të vetme, foto apo përgjim me sadopak vlerë. Në terren operativët amerikanë vazhdonin me përpjekjet për të rrëmuar ndonjë të dhënë “nga vendësit që ishin gati të flisnin për një grusht para”, rrëfen Fury. “CIA peshkoi shumë në këto ujëra. Deri në marramendje. Me një milion shtigje të pakrye”.
“Duhet të njohësh rrjetin”
Pak muaj pas Tora Boras, si pjesë e përgatitjeve për luftën në Irak, administrata e Bushit tërhoqi shumë nga forcat e Operacioneve Speciale dhe të CIA-s që kishin qenë në ndjekje të Bin Ladenit në Afganistan, sipas disa zyrtarëve amerikanë që shërbenin asokohe. Edhe avionët e telekomanduar, te të cilët forcat amerikanë mbështeteshin për të gjurmuar lëvizjet e tipave të dyshimtë në shtigjet malore të Afganistanit u ristacionuan për të qenë në gatishmëri për luftën në Irak, i tha Washington Post-it në vitin 2006 gjenerallejtënanti John Vines. Një herë kur trupat e Vines-it mendonin se ishin gjysmë ore larg nga Bin Ladeni, gjenerali kërkoi avionë të telekomanduar për të mbuluar tri shtigje të mundshme largimi të Bin Ladenit. Por vetëm një avion u ofrua - të tjerët ishin dërguar në Irak. Targeti arriti të largohej.
Në Amerikë acarimi rreth kërkimit të pafund çoi në një debat mes kritikëve të luftës globale kundër terrorizmit të administratës së Bush-it, të cilët argumentonin se kauza e sigurisë kombëtare do të shërbehej më mirë duke u përqendruar në goditje të planifikuara kundër Aal Kaedas dhe Bin Ladenit dhe mbrojtësve të luftërave në Irak e Afganistan të cilët thoshin se rruga më e mirë për ta izoluar terrorizmin ishte zhvillimi i betejës aty ku jetonte armiku.
Teksa debati fryhej, analistët e njësisë HV (Targete me vlerë të lartë) të CIA-s filluan të planifikonin një rrugë të re të kërkimit të Bin Ladenit, të cilin ata e quanin HV-1.
“Historia e gjuetisë së Bin Ladenit është një histori e sofistikimit gjithnjë e në rritje në mënyrën e të menduarit”, tha një zyrtar i shërbimeve sekrete. Ndoshta Bin Ladeni ishte nëpër male; ndoshta jo. Por kjo nuk ishte pyetja e duhur.
As lejtënantët kryesorë të Al Kaedas nuk e dinin se ku ndodhej Bin Ladeni e megjithatë ata mundnin të merrnin udhëzime prej tij. Kështu që pyetja më e rëndësishme nuk ishte “Ku është Bin Ladeni?”, por “Si komunikon ai?”
Hetimet përcaktuan se Bin Ladeni i jepte urdhrat njëherë në muaj me anë të një korrieri dhe kjo i çoi analistët të vendosnin se, siç tha një zyrtar i CIA-s “duhet të njohësh rrjetin, korrierët dhe si të çon kjo te vendndodhja e tij”.
Në Shtëpinë e Bardhë, nën trysninë e skepticizmit në rritje nga ana e publikut, sa i përket gjurmimi të Bin Ladenit, presidenti Bush lëvizi drejt një shtegu tjetër. Ai urdhëroi Operacionin Gjylet e Topit, duke porositur CIA-n që “të përmbyste zonën” me anë të rritjes së numrit të oficerëve në gjurmim në Pakistan dhe Afganistan. Por prapë nuk pati zhvillime.
Kjo nuk i shkurajoi analistët e Njësisë HV. Ata po mësonin më shumë rreth teknikave të Al Kaedas dhe kjo i çoi në përfundimin se informacioni në rrjet nuk kalon përmes një hierarkie, por ndahet në të gjitha rangjet. Ideja e rrjetit (network) po përhapej gjithashtu edhe në radhët e ushtrisë. Në vitin 2006, gjenerali Stanley McChrystal ndërmori sulme kundër udhëheqësve të Al Kaedas në Irak, por edhe në Jemen e Afganistan, tha një ish-zyrtar i Shtëpisë së Bardhë. Për të bërë të mundur këto sulme, McChrystal kishte nevojë për informacione që i mundësonin lëvizje të reja dhe ai adoptoi një strukturë në formë rrjeti të modeluar, sipas asaj që ai quante aftësia “alarmante” e Al Kaedas për t’u shtuar me shpejtësi dhe për të mbuluar pikat e dobëta.
“Për të mundur një armik që punon me modelin e rrjetit”, shkruante McChrystal në Foreign Policy “ne duhet të punonim vetë me këtë model”. Kjo do të thoshte ndarja e informacionit menjëherë me njerëzit në fushëbetejë, në vend të dërgimit të tij në shkallët e larta të komandës. Videot e marra nga avionët e telekomanduar nuk u shpërndaheshin më vetëm analistëve që kontrollonin kamerat fluturuese, por edhe skuadrave në terren. Rezultati ishte një rritje e madhe në numrin e sulmeve dhe gjithashtu në shkallën e suksesit të tyre.
Analistët në zyrat e CIA-s kërkonin për shenja jo në shpella, por në libra dhe në transkriptet e hetimeve. Madje, edhe librat popullorë si "Growing Up Bin Laden," nga gruaja e terroristit Najwa dhe i biri Omar, rrëmoheshin për detaje. Në libër Omari thotë se i ati mbante shtëpi të fshehta në Kabul, sepse mendonte se amerikanët kurrë nuk do të bombardonin një qytet të madh, nga frika se mos vrisnin civilë të pafajshëm. Kjo bëri që analistët të mendojnë rreth vendstrehimeve urbane.
“Gjetja e Bin Ladenit nuk ishte një problem që zgjidhej me taktika numerike”, tha një zyrtar i CIA-s, i cili ishte pjesë e grupit që u mor me kërkimet gjatë viteve të para. “Shumë njerëz që dinin ngapak, me siguri, ishin më pak efektivë se një njësi e vogël e përkushtuar njerëzish me përvojë që punonin në këtë drejtim”.
Puna e ngadaltë dhe e imët e analizimit të të dhënave u ndesh më padurimin e Shtëpisë së Bardhë ku “ligështimi kishte filluar të ndihej paksa”, tha një ish-zyrtar i administratës së Bush-it. “Dukej se nuk do ta gjenim në një të ardhme të afërt. Publikisht e ruanim njëfarë sensi emergjence: ‘Po e gjurmojmë me sa mundemi’. Por energjitë ishin shteruar. Nuk ishte më shumë se një çështje e dorës së dytë. Në fund të fundit, ato ishin ditët më të këqija të luftës në Irak.”
Lufta e vështirë në Irak, shqetësimet në rritje rreth programit bërthamor të Iranit dhe situata gjithnjë e më e paqëndrueshme në Korenë e Veriut e hiqnin vëmendjen nga gjuetia për Bin Ladenin, thanë zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë dhe CIA-s.
Kërkimi i Bin Ladenit, dikur piskama e një kombi të gatshëm për të marrë hak, u përgjum në një temë që Bushi dhe ekipi i tij mundoheshin të shmangnin. Në vitet në vazhdim drejtuesit e operacioneve ndjekëse shpresonin se avionët e telekomanduar që vëzhgonin zonat tribale do të siguronin të dhëna të reja. “Por ishin vetëm shpresa”, tha Juan Zarate zëvendëskëshilltar i Bush-it për Sigurinë Kombëtare dhe Antiterrorizmin. “Ishte një periudhë shumë e errët”.
Shtëpia çuditërisht e fortifikuar
Në Shtëpinë e Bardhë të kohës së Bush-it, mungesa e të dhënave të besueshme çoi në deklarata publike të hartuara për të zhvlerësuar individin dhe për të drejtuar vëmendjen kah kërcënimi më i gjerë. Ideja ishte “të mos zmadhohej njeriu, ndërkohë që ne përpiqeshim ta kapnim”, tha Zarate. Jashtë Njësisë HV peizazhi dukej i errët: “Nuk më kujtohet as edhe një informatë e vetme që të na bënte të hidheshim përpjetë”, tha Zarate.
Por edhe ndërsa ndjekja bëhej një barrë politike, rruga për te shtëpia e Bin Ladenit në Abbottabad po ndërtohej, jo “gur pas guri”, tha ish-drejtori i CIA-s Michael V. Hayden, por “shkëmb pas shkëmbi”.
Shndërrimi i referimeve të vagullta për një korrier në një emër të verifikuar mori më shumë se katër vjet, por kjo hapi rrugën për të zbuluar sesi vepronte ai dhe çoi te survejimi i shtëpisë çuditërisht të fortifikuar e cila, për habi, nuk kishte as Internet e as telefon.
Komandot amerikane që u futën në fortesën e Bin Ladenit në Abbottabad para një muaji duhet ta përfundonin misionin e tyre në sekonda, por u deshën vite për t’i futur ata aty. Analistët që e ndërtuan atë rrugë besojnë se, veç kapjes së të kërkuarit, ata nxorën një mësim thelbësor sesi të mendonin si kundërshtarët.
Në vitin 2006 Bin Ladeni u betua “të mos vdiste ndryshe veçse si njeri i lirë”. Por Osama bin Ladeni vdiq si i burgosur në një burg të ndërtuar nga vetë ai, një njeri pa komb, i ndarë madje edhe nga ata që mendonin si ai, se vrasja masive ishte shtegu për në pushtet.
Në muajt finalë Bin Ladeni mundej vetëm të shihte sesi një forcë krejtësisht e ndryshme kanalizonte acarimet dhe aspiratat e myslimanëve, për të cilët ai mëtonte se vepronte - një ushtrim paqësor i pushteti të popullit në rrugët e qyteteve nga Tunizia, Egjipti, Jemeni dhe në mbarë Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut. Një kryengritje frymëzuese dhe vendimtare nga ata që e dëshironin ndryshimin, e megjithatë ia kthyen shpinën mënyrave dhe mjeteve të Osama bin Ladenit.