Fullani po bëhet gjithmonë e më i gjallë, shpërthen në kritika ndaj Berishës për borxhin
Guvernatori Ardian Fullani po bëhet gjithmonë e më i gjallë sa i përket kritikave në drejtim të qeverisë në largim.
Ndërsa kishte heshtur dhe kishte qenë pjesë e sulmit të opozitës, tani Fullani po tregohet i zëshëm kundër Berishës.
Kështu, të mërkurën, duke folur pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, ku u vendos ulja e normës së interesit me 0.25 përqind, Fullani kritikoi qeverinë sidomos për çështjen e borxhit.
Të ardhurat buxhetore për këtë periudhë rezultuan 2.9% më të ulëta nga një vit më parë, duke reflektuar ecurinë e dobët të të ardhurave tatimore. Këto zhvillime janë materializuar në rritje të ndjeshme të deficitit buxhetor, i cili ka rezultuar më shumë se dy herë më i lartë në krahasim me një vit më parë.
Dinamika e deficitit buxhetor është reflektuar në rritjen e borxhit publik gjatë kësaj periudhe.
Në fund të tremujorit të parë, raporti i borxhit publik ndaj PBB-së vlerësohet në 63.3%. Borxhi publik përbën një nga dobësitë më të mëdha të ekonomisë e të sistemit financiar shqiptar. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë sugjeron se marrja e masave të menjëhershme për kontrollin e këtij borxhi do të përbënte një kontribut të rëndësishëm për reduktimin e pasigurive dhe të primeve të rrezikut në ekonomi. Ne gjejmë rastin të sugjerojmë edhe një herë vendosjen e një rregulli fiskal transparent e të besueshëm. Kjo është rruga më e mirë për të disiplinuar politikën fiskale dhe për të ruajtur besimin e tregjeve financiare ndaj borxhit publik shqiptar në afat të gjatë, tha Fullani në fjalimin e tij.
Por për skeptikët, që thonë se përse Fullani po flet tani, guvernatori tha se ka qenë vokal gjatë gjithë kohës.
Ka qenë vokal, por nuk e ka dëgjuar kush. Ose ka folur nën zë./ep