E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fullani reagon ndaj FMN: Sistemi bankar, i sigurt

Guvernatori Fullani ka siguruar dje se ekonomia shqiptare pritet të rritet në pjesën e fundit të vitit, duke deklaruar se janë marrë të gjitha masat ndaj krizës

Në përgjigje të raportit më të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani u shpreh dje në një konferencë për shtyp se janë marrë të gjitha masat ndaj krizës dhe vlerësimet e parashikimet tona sugjerojnë për vazhdimësinë e rritjes ekonomike në pjesën e mbetur të vitit. “Kapitali dhe kapitalizmi është kryefjala e kujdesit makroprodencial botëror sot. Sistemi bankar u gjet likuid përpara krizës. Masat e marra shtojnë rritjen e depozitave, niveli aktual është mbi nivelin rajonal, por edhe europian; me zhvillimet e fundit të ekonomisë globale Banka e Shqipërisë ka vijuar përmirësimin. Sistemi bankar shqiptar është likuid”,- u shpreh Fullani.

Duke iu referuar analizës më të fundit të BSH-së, Fullani vërejti se kërkesa për kredi mbetet ende e moderuar si rezultat i kërkesës së reduktuar të ekonomisë për të. “Ky qëndrim konfirmohet nga opinionet e bizneseve, të cilat shfaqin një tendencë të dobët për investime, por edhe nga reduktimi i numrit të aplikimeve për kredi pranë bankave të nivelit të dytë. Përkundrejt tyre, sistemi bankar paraqitet likuid dhe i mirëkapitalizuar për të zhvilluar aktivitetin e tij të ndërmjetësimit financiar. Në përgjigje të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë, normat e interesit të kredisë janë në nivele historikisht të ulëta. Por, sistemi bankar ka shtuar kujdesin në kredidhënie, në formën e qëndrimeve më kritike ndaj plan-bizneseve dhe të kërkesave më të forta për kolateral”, - tha Fullani. Ai nënvizoi se ndjehet ende pasiguria në ekonomi apo në sektorë të veçantë, reflektohet njëkohësisht edhe një model zhvillimi më i kujdesshëm i aktivitetit kreditues dhe të biznesit bankar. Sipas tij, duke iu referuar termave afatgjatë do të ketë një rritje më të qëndrueshme për ekonominë shqiptare dhe do të garantohet një sistem bankar solid e i besueshëm. “Zhvillimet në tregjet financiare tregojnë për prime të ulëta likuiditeti dhe inflacioni. Vëllimi i tregtimit në tregun ndërbankar është rritur më tej, ndërkohë që në prani të situatës së mirë të likuiditetit, normat e interesit në këtë treg kanë ndjekur rënien e normës bazë të interesit dhe kanë shfaqur luhatshmëri të ulët. Në respektim të kohëvonesave në mekanizmin e transmisionit të politikës monetare, rënia e normave të interesit pritet të tejçohet edhe në tregun e depozitave dhe kredive. Yield-et e bonove të thesarit kanë ruajtur nivelet e tyre të tremujorit të dytë, në prani të kërkesës së moderuar të qeverisë për financim afatshkurtër”,- citoi Fullani në deklaratën e tij. Ndërkaq, referuar vlerësimeve për të ardhmen ai tha se vlerësimet dhe parashikimet tona sugjerojnë për vazhdimësinë e rritjes ekonomike në pjesën e mbetur të vitit. Ndërkaq, kërkesa e huaj pritet të mbështesë kërkesën agregate, por me një ritëm më të ngadaltë në krahasim me pjesën e parë të vitit. Ecuria e kërkesës së brendshme mbetet përcaktuese e rritjes së aktivitetit ekonomik, ndërkohë që kërkesa e sektorit privat të ekonomisë do të kushtëzojë masën dhe shpejtësinë e rikuperimit të kërkesës së brendshme në vazhdim.

S. Veizaj

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›