E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës, Berisha propozon tri kandidaturat

Ardian Fullani, Ksenofon Krisafi dhe Tefta Çuçi janë emrat që janë zgjedhur me vendim të Këshillit të Ministrave. Ndërsa Fatos Ibrahimi dhe Adrian Civici janë zgjedhur nga Kuvendi. Limos Malajt i përfundon mandati në nëntor. Ai është zgjedhur nga Këshilli Mbikëqyrës

TIRANË Pas më shumë se dy javësh vonesë, Këshilli i Ministrave ka çuar më në fund në Kuvend tre emrat për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, kryeministri Sali Berisha ka bërë publike tri kandidaturat, duke vlerësuar profesionalizimin dhe kontributin e tyre në fushën financiare. Emri i parë që kryeson listën është Ardian Fullani, gjasat për të cilin janë të shumta për të marrë një mandat të dytë, edhe pse emri i guvernatorit është ekskluzivitet i Presidentit të Republikës, në bazë të nenit 161 të Kushtetutës. Kandidatura e dytë është ajo e Elisabeta Gjonit, e cila qëndroi vetëm një vit si anëtare e Këshillit Mbikëqyrës duke u zëvendësuar nga një tjetër emër i njohur, Adrian Civici. Ndërsa kandidatura e tretë është Petraq Milo, aktualisht këshilltar për Ekonominë i kryeministrit Sali Berisha. “Kandidaturat që i propozon Këshilli i Ministrave, Parlamentit për në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë janë: Guvernatori aktual, zoti Adrian Fullani, një bankier me një eksperiencë të gjatë pune në sistemin bankar dhe drejtues i Bankës së Shqipërisë në një nga kohërat më të vështira për financat evropiane dhe botërore; zonja Elisabeta Gjoni, drejtuese e AMF-së, e cila ka dhënë një kontribut shumë të rëndësishëm në krijimin dhe drejtimin e këtij institucioni dhe në tërësi në reforma të rëndësishme financiare të vendit; zoti Petraq Milo, edhe ky një nga personalitetet e shquara të financave të vendit, specialist i shquar në këtë fushë, doktor i shkencave në fushën e financave”, - sqaroi dje Berisha. Ardian Fullani është një prej kandidatëve që ripropozohet sërish nga Këshilli i Ministrave. Në vitin 2004, Fullani u propozua si anëtar i Bordit nga ish-kryeministri Fatos Nano, për t’u zgjedhur më pas Guvernator i Bankës së Shqipërisë me propozim të ish-Presidentit Alfred Moisiu. Fullani është kandidatura favorite e mazhorancës për ta votuar për një mandat të dytë. Elisabeta Gjoni do të zëvendësojë Tefta Çuçin, e zgjedhur më 8 tetor të vitit 2004 nga qeveria e drejtuar nga Fatos Nano. Ndërsa Petraq Milo do të zëvendësojë Ksenofon Krisafin, i zgjedhur po me vendim të Këshillit të Ministrave në tetor të vitit 2004.

Mandatet

Në fillim të muajit tetor, 5 prej 9 anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës u ka mbaruar mandati. Ardian Fullani, Ksenofon Krisafi dhe Tefta Çuçi janë emrat që janë zgjedhur me vendim të Këshillit të Ministrave. Fatos Ibrahimi dhe Adrian Civici janë zgjedhur nga Kuvendi e për pasojë është ky organ që do të ketë të drejtën e propozimit. Ndërsa mandati i anëtarit tjetër, Limos Malaj, mbaron më 18 nëntor të këtij viti. Kandidati që do të zëvendësojë Malajn duhet të zgjidhet nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë. Ndërsa për tri kandidaturat e propozuara nga Këshilli i Ministrave nuk priten surpriza, pasi anëtarët miratohen me shumicën e thjeshtë të votave, ajo që do të jetë interesante është gara për kandidatët që do të propozojë Kuvendi, ku në lojë do të futet edhe opozita. Në prag të përfundimit të mandatit të anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama paraqiti një pakt prej 10 pikash, ku kërkesë kryesore kishte edhe konsensusin paraprak për zgjedhjen e guvernatorit dhe përfaqësimin nga ana e opozitës me tre anëtarë në Këshillin Mbikëqyrës. Guvernatori i ardhshëm duhet të vijë nga radhët e Këshillit Mbikëqyrës, një precedent ky i ndjekur edhe më parë. Neni 44 i ligjit për Bankën e Shqipërisë citon se Këshilli Mbikëqyrës përbëhet nga nëntë anëtarë, ku përfshihet edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë,

N. Perndoj

Emrat e anëtarëve që u mbaron mandati

Ardian Fullani, propozuar nga KM

Fatos Ibrahimi, propozuar nga Kuvendi

Ksenofon Krisafi, propozuar nga KM

Tefta Çuçi, propozuar nga KM

Adrian Civici, propozuar nga Kuvendi (në vend të E.Gjonit)

Limos Malaj, propozuar nga Këshilli Mbikëqyrës

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›