Provimi i shtetit, vlerësim i testit elektronik
Provimi i shtetit do të fillojë të aplikohet në nëntor, ndërkohë që lista përfshin rreth 33 profesione. Specialistët e Agjencisë Kombëtare të Provimeve shpjegojnë se provimi do të monitorohet nga komisione të posaçme, duke zbatuar rregulla shumë të rrepta që do të shmangin çdo lloj abuzimi të mundshëm në marrjen e lejes për ushtrimin e profesionit.
“Profesione të caktuara do të kenë data të caktuara. Ky është një provim që zhvillohet për herë të parë në kompjuter, me administrator në çdo sallë. Hyrja e kandidatëve në kompjuter do të bëhet nëpërmjet identifikimit të gishtit dhe nëpërmjet fotos së fytyrës. Pra, një kandidat që do të hyjë në sallën e provimit, pas këtij kontrolli dhe identifikimit, do t’i shfaqet direkt fytyra në ekran dhe ai do të shkojë të ulet në atë kompjuter”, - shpjegon drejtori i Provimeve në AKP, Niko Terezi. Një risi tjetër është se vlerësimi i provimit të shtetit do të jetë elektronik. Madje, për profesione të caktuara kandidatët do të marrin përgjigjen menjëherë sapo të mbarojnë testimin. “Për pjesën e mjekësisë të gjitha pyetjet do të jenë me alternativa, kështu që përfundimi do të dalë menjëherë nëpërmjet kompjuterit. Pra, të gjitha ata kandidatë që do të marrin provimin, do të shohin në kompjuter një shprehje ‘suksese, provimin e keni marrë’ dhe menjëherë do të marrin përgjigjet e pyetjeve dhe certifikatën e zhvillimit të provimit”, - thotë Terezi. Specialistët e Agjencisë Kombëtare të Provimeve thonë se testi i parë për profesionet e rregulluara mendohet të jetë stomatologjia, ndërkohë që data e zhvillimit të tij do të jetë 21 nëntori