Buxheti 2012, administrata pa dieta e telefona
Shpenzimet operative të administratës publike në projektbuxhetin e vitit 2012 parashikohen të jenë 5 për qind më të ulëta se plani i rishikuar i këtij viti. Lajmin e dha kryeministri Sali Berisha, i cili zbardhi dje gjatë mbledhjes së qeverisë disa nga drejtimet themelore të projektbuxhetit të vitit 2012, i cili është në fazën përmbyllëse të hartimit të tij. “Do të ketë një shkurtim të shpenzimeve operative për të gjitha agjencitë, përveç institucioneve të zbatimit të ligji, Duke filluar nga Këshilli i Ministrave, do të kenë një shkurtim prej 5 % të shpenzimeve operative”, - tha Berisha. Por nga ana tjetër, kryeministri garantoi se viti i ardhshëm do të shënojë sërish rritje të ndjeshme të rrogave dhe pensioneve, si dhe të ndihmës ekonomike tek mbi 820 mijë familje shqiptare. Shpenzimet operative në buxhetin e këtij viti janë programuar në masën e 28 miliardë lekëve, ndërsa sipas propozimeve të Kryeministrit, ky fond mund të shkurtohet edhe me rreth 2 miliardë lekë maksimumi. Me këto masa qeveria do të zhveshë administratën nga shpenzimet e “luksit”, çka do të thotë se nuk paguhen më dietat, trajnimet, udhëtimet jashtë vendit dhe telefonat. Me ketë lajmërim të Kryeministrit pritet të mbetet në fuqi edhe vitin që vjen një vendim i qeverisë në muajin korrik, që shoqëronte shkurtimin e buxhetit. Vendimi i korrikut ka pezulluar administratën nga një sërë shpenzimesh. “Unë ju lutem juve të shqyrtoni të gjitha mundësitë e kursimeve duke mos cenuar në asnjë rast funksionimin normal. Ka shpenzime të detyrueshme që janë bërë dhe do të bëhen nga të gjitha agjencitë. Në përgjithësi ka përpjekje serioze për t’i bërë ato sa më të ekonomizuara, por prapë ju garantoj se ka mënyra për t’i reduktuar ato dhe më shumë, qoftë nëpërmjet procedurave të reja, qoftë nëpërmjet teknologjive të reja”, - tha Kryeministri. Mirëpo duke sqaruar disa nga drejtimet kryesore të buxhetit, Berisha tha se buxheti do të mbështesë fuqishëm të gjitha projektet e Shqipërisë dixhitale. Ai theksoi se buxheti do të përqendrohet me fondet më të mëdha tek infrastruktura, në përfundimin e rrugëve të nisura dhe në ndërtimin e rrugëve në tërësi. “Motoja jonë është: do të bëjmë rrugët. Ky është projekti më i vështirë për të ecur dhe nuk mundemi ne që kemi ndërtuar, rindërtuar dhe asfaltuar mbi 9 mijë km rrugë, që të lodhemi në miljen e fundit. Milja e fundit është shumë e rëndësishme, ndaj dhe zotërinj ministra, më duhet të them se kur të mendoni se ku është buxheti, mendja duhet t’ju shkojë tek rrugët”, - tha Berisha në mbledhjen e qeverisë. Shqipëria jeshile është dhe do të mbetet drejtim tjetër themelor i zhvillimit të vendit.
Rrogat dhe pensione të rritura për 820 mijë familje
Viti i ardhshëm do të shënojë sërish rritje të ndjeshme të rrogave dhe pensioneve, si dhe të ndihmës ekonomike te mbi 820 mijë familje shqiptare. Në këtë kontekst, si drejtim kryesor Kryeministri përcaktoi rrogat dhe pensionet, të cilat pavarësisht nga kriza financiare që ka përfshirë Evropën dhe botën, do të mbeten në fokusin e qeverisë, që do të ketë si objektiv rritjen e tyre të mëtejshme. “Investimi në burimet njerëzore është dhe mbetet investimi i të gjitha investimeve, më i rëndësishmi. Kështu që viti i ardhshëm do të shënojë sërish rritje të ndjeshme të rrogave dhe pensioneve, si dhe të ndihmës ekonomike te mbi 820 mijë familje shqiptare”, - tha Kryeministri.