E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fund me fitore

Kombëtarja shqiptare, ka harruar se si fitohet. Për këtë, Erion Bogdani e Armend Dallku synojnë të mposhtin Rumaninë, të martën, dhe të mbyllin me fitore aventurën në eliminatoret për Euro 2012.

Pas humbjes nga Franca (3:0), Kombëtarja shqiptare të dielën iu është rikthyer stërvitjeve, para ndeshjes me Rumaninë, e cila do të zhvillohet të martën në stadiumin ‘Qemal Stafa’ në Tiranë.

Objektivi i vetëm i kuqezinjve në këtë përballje është mbyllja me nder e këtyre eliminatoreve. Erion Bogdani, i cili do të jetë në dispozicion të Jospi Kuzes, pas suspendimit, thotë se synon të mbyllë me fitore aventurën në eliminatoret e Euro 2012.

“Ne nuk jemi një ekip që të kemi 8 pikë në tabelën e klasifikimit, megjithatë është kjo ndeshja e fundit, me Rumaninë. Unë them që të luajmë sa më mirë. Është një ndeshje që luajmë përpara publikut tonë dhe pas 3 humbjeve, siç janë 2 me Francën dhe 1 me Luksemburgun, duhet të luajmë sa më mirë dhe të përqendruar në Tiranë që ta fitojmë këtë ndeshje”, tha Bogdani,

Edhe mbrojtësi i ekipit kuqezi, Armend Dallku, beson se me përkrahjen e tifozëve, ekipi shqiptar do të arrijë fitore përballë rumunëve, që tashmë kanë humbur shpresat për një kualifikim të mundshëm në Kampionatin Evropian.

“Besoj dhe shpresoj që të gjithë të jemi të motivuar, ku ndeshjen 6-1 e kemi në kujtesë. Do të kemi edhe futbollistët që na munguan në atë ndeshje. Kështu që shpresoj dhe besoj, me përkrahjen e tifozëve, ta mbyllim këtë eliminatore me një fitore”, theksoi vushtrriasi.

Po ashtu, edhe Admir Teli që rikthehet në skuadër pas suspendimit shpreson që të bëjnë një paraqitje të mirë ndaj Rumanisë dhe me një rezultat pozitiv që ta mbyllin këtë kompeticion.

Trajneri kroat edhe për ndeshjen me Rumaninë do të ketë disa mungesa. Kuze të martën nuk do të mund të llogaritë në shërbimet e Edmond Kapllanit, Debatik Currit e Ervin Bulkut (të lënduar) dhe Ansi Agollit, Kristi Vangjelit dhe Klodian Duron të suspenduar.

Shqipëria i kishte nisur mirë eliminatoret për Euro 2012, mirëpo në ndeshjet e fundit ka pësuar një rënie drastike. Kuqezinjtë gjenden në vendin e pestë në Grupin D me vetëm 8 pikë të tubuara.

Koeman zëvendëson Kuzen?

Në prag të përmbylljes së fushatës kualifikuese për Euro 2012, kanë filluar të qarkullojnë spekulime rreth largimit të mundshëm të Josip Kuzes nga pankina e Shqipërisë. Sipas medieve shqiptare, në rast të largimit të kroatit, ai mund të zëvendësohet nga Erwin Koeman, trajneri aktual i skuadrës holandeze Utrecht, i cili më parë ka udhëhequr Waalwijkun, Feyenoordin dhe ka qenë selektor i Hungarisë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›