Fundi i Maqedonisë megalomane
Spiunët e Nikola Gruevskit motivojnë dhe nxisin incidente ndëretnike, veçanërisht duke yshtur nacionalistët e rinj të Shkupit kundër shqiptarëve etnikë për ta zhvendosur vëmendjen e publikut nga koncesioni që detyrohen tia bëjnë Greqisë rreth emrit kushtetues të shtetit
Maqedonia lehtësisht i shpëtoi aneksimit serb në vitet 90 dhe mezi mbijetoi një konflikt të armatosur me shqiptarët vendas gjatë vitit 2001, gjendet para një lufte të tretë.
Kësaj herë më të dhimbshme.
Ajo do të detyrohet të presë degën mbi të cilën ka qëndruar këta 20 vjetët e fundit dhe mbi të cilën ka thurur melodramën e madhështisë së rreme dhe mburrjes deri në dalldi: Mitin për Maqedoninë antike dhe Aleksandrin e Madh.
Shkupi zyrtar me politikat e tij etnonacionaliste, duke ngjizur një shtet thuaja kishtar ortodoks dhe duke përjashtuar nga debati shtetin qytetar, po rrëshqet nga një lloj i ri i fashizmit (fashizëm kulturor), i cili do t’i kthehet si bumerang, duke e ndarë këtë shtet në rrafshin kulturor dhe qytetar, e pastaj edhe etnik dhe shtetëror.
Maqedonisë së tillë, turbofolklorike dhe me shikim mesjetar në të ardhmen po i kanoset një ogur i zi.
Ajo ka mundur të jetë dhe ka hala shanse të jetë një shtet binacional dhe dygjuhësor si një Belgjikë e Ballkanit. Mirëpo me hovet e tërbuara fashiste që po merr paria e Shkupit, po ia ndjellin këtij shteti fatin e ish-Jugosllavisë, shpërbërjes në entitete deri në zhbërje dhe aneksim nga fqinjët, nga Bullgaria dhe Shqipëria, pa e përjashtuar edhe involvimin e Greqisë dhe të Serbisë.
Në këtë sfond tejdukshëm vërehet se spiunët e Nikola Gruevskit motivojnë dhe nxisin incidente ndëretnike, veçanërisht duke yshtur nacionalistët e rinj të Shkupit kundër shqiptarëve etnikë, për dy arsye të kalkuluara.
Së pari, për ta zhvendosur vëmendjen e publikut sllavo-maqedonas nga koncesioni që detyrohen tia bëjnë Greqisë rreth emrit kushtetues të shtetit dhe, së dyti, që përmes rrahjes dhe poshtërimit të shqiptarëve ta mobilizojë dhe homogjenizojë nacionalizmin maqedonas si kundërpërgjigje ndaj zërave që vijnë nga Sofja zyrtare, se shteti i Gruevskit dhe nacionalistëve të rinj rreth tij po i diskriminon bullgarët etnikë. Pra Gruevski mëton që ta rrisë patriotizmin maqedonas dhe ti zbehë ndjenjat pro bullgare të shumicës prej tyre në kurriz të shqiptarëve.
Maqedonia e sotme (Shkupi zyrtar) nuk deshi, nuk diti dhe nuk po ia del tash e 20 vjet që të organizojë një shoqëri politike me bazë qytetare duke e deetnizuar shtetin, i cili, i tillë, pra qytetar, pati shans të mirë për mbijetesë, por shkurtpamësia e politikanëve maqedonas-sllavë po e shpie shtetin drejt gremine.
Skandalet me përmendoret dhe kryqet gjigante gjithandej, mësymja për të ngrehur kishë ortodokse mbi Kalanë e Shkupit gjatë vitit të kaluar dhe sidomos incidentet ndëretnike aktuale, të kurdisura nga shërbimet sekrete maqedonomëdha vetëm sa e shquajnë ksenofobinë dhe qasjen paranojake të maqedonasve ndaj tjetrit/të tjerëve dhe paaftësinë e kësaj etnie për të jetuar me të tjerët, duke ndërtuar një identitet të qëndrueshëm evropian.
Propozimi i Gruevskit për një Maqedoni veriore duket se nuk do ta kënaqë shtetin helen, që kërkon ti mbajë për vete metarrëfimet antike, duke i hequr çdo të drejtë identifikuese me Maqedoninë antike politikës fashiste kulturore të klasës së re politike të Shkupit.
Politika megalomane por shkurtpamëse e Gruevskit realisht e ka dobësuar legjitimitetin horizontal dhe vertikal të shtetit duke e çuar vendin buzë konfliktit etnik.
Konfliktit i armatosur me shqiptarët vendas atje që pati shpërthyer në vitin 2001, sikur i këndelli fashistët e rinj të Shkupit se me shqiptarët ose duhet partneritet në shtet ose ndarje finale, mirëpo pasoi grindja për emrin e shtetit me fqinjin helen që e nxori këtë shtet ballkanik nga binarët normalë të shtetndërtimit, për ta katandisur drejt abisit, në një luftë të re civile!?
Në rastin më të mirë, kreu i Shkupit zyrtar po e humb luftën brenda, sepse fare lehtë nacionalistët e konstruktuar në zyrat e shërbimeve inteligjente mund ti dalin nga kontrolli duke shkaktuar trazira përmasash më të mëdha dhe për ta larguar gjithnjë e më shumë këtë shtet nga integrimet në NATO dhe BE, e në rastin më të keq, ish-Republikës Jugosllave Federale të Maqedonisë (FYROM) i kanoset shpërbërja.
Krijimi i një ambienti shumë përjashtues ndaj të tjerëve, sidomos ndaj shqiptarëve dhe tek moshat e reja nga vetë mekanizmat e shtetit maqedonas, historiografia e interpretuar ideologjikisht nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve përmes Enciklopedisë antishqiptare, fuqizimi i klerit ortodoks në shtet dhe mësymja e përvetësimi i trashëgimisë kulturore të një konglomerati popujsh që në këto hapësira kanë jetuar pranë njëri-tjetrit ndër shekuj, si dhe ekskluziviteti nacional i maqedonasve në mënyrë joracionale e ktheu drejtimin e shtetit nga rruga evropiane tek rruga pa krye etnonacionaliste.
Së këndejmi kreu i Shkupit ka fabrikuar një nacionalizëm të pamençur duke u përpjekur që të përvetësojë ikonografinë e mitit për Lekën e Madh, i cili, sot mund ta shembë vetë shtetin, sepse e ka të pamundur që të marrë atë që i është premtuar: Identitetin dhe madhështinë e dikurshme të Maqedonisë antike. Prandaj reaksioni mund të jetë i përmasave fatale dhe mund ti kthehet si bumerang Shkupit zyrtar, që nuk ka lëshuar asnjë rast për tiu vërsulur shqiptarëve etnikë, për ta zhvendosur vëmendjen e publikut nga telashet e mëdha me Greqinë, pikërisht rreth ikonografisë antike që Shkupi e donte për vete.
Incidentet ndëretnike të këtyre ditëve, ndonëse Ali Ahmeti, partneri qeverisës i Gruevskit, nuk i sheh të motivuara politikisht por spontane, ato mbajnë erë të rëndë të kazanit ku gatuhet fashizmi, sipas shembullit të Slobodan Milosheviqit.
Në anën tjetër, mësymjet antishqiptare rrisin idenë tek qytetarët shqiptarë se jeta në shtetin e përbashkët me maqedonasit është Mission impossible dhe se ata duhet të kërkojnë rrugë të tjera për sigurinë dhe prosperitetin e tyre.
Konkludimi se shumica e shqiptarëve kërkon bashkimin në një shtet të vetëm shqiptar ende është vetëm një projeksion i dëshirave, në kuadër të metarrëfimeve etnonacionaliste të disa qarqeve ekstreme politike në Kosovë e Maqedoninë perëndimore, por edhe në Shqipëri. Pra, shqiptarët kanë dëshirë të bashkohen në një shtet unik shqiptar, ndoshta shumica prej tyre, por shpërputhja mes të dëshiruarës dhe të mundshmes në realpolitikë është e madhe. Mirëpo, nëse nacionalistët maqedonas dhe braniteljat që veten e quajnë MOS duan dominimin e shtetit, atëherë reagimi shqiptar do të ishte edhe më i papërmbajtur, gjë që do ta shpinte FYROM-in në histori.
Postulati se politika është art i së mundshmes është përjashtuar lehtësisht nga mendimi politik i Shkupit zyrtar, duke synuar krijimin e një kombi me mendje nhava (rrënjë në antikitet!?) por në realitet, një komb i ri dhe i varfër.
Sapo Greqia mori infuzion nga BE-ja (mbi njëqind miliardë euro) për ta shpëtuar shtetin nga bankroti, Athina ktheu shigjetat sërish nga Shkupi.
Duke ua mohuar maqedonasve emrin dhe dekor
