Zoti Berisha, na shpjego si i bëri djali juaj 200 mijë euro si sekser?
Interpelanca e deputetit socialist me kryeministrin Berisha
Zoti Kryeministër,
Ju kam thirrur në këtë interpelancë për të marrë shpjegimet tuaja lidhur me zbatimin e STRATEGJISË NDËRSEKTORIALE PËR PARANDALIMIN E LUFTËN KUNDËR KORRUPSIONIT DHE PËR NJË QEVERISJE TRANSPARENTE, 2008-2013.
Zoti Kryeministër ju jeni i detyruar të informoni Kuvendin për hapat e ndërmarrë dhe sigurisht të jepni shpjegime se përse korrupsioni vazhdon të mbetet problemi më shqetësues, sëmundja më e rëndë e qeverisjes tuaj. Meqenëse sot është 15 mars, plot katër vjet nga tragjedia e Gërdecit, më lejoni që në kuadër të kësaj interpelance për korrupsion të them disa fjalë për këtë krim shtetëror.
Sot bëhen katër vjet nga dita kur korrupsioni dhe trafiku shtetëror i armëve dhe municioneve shfarosi nga harta e Shqipërisë një fshat të tërë, duke vrarë 26 shqiptarë të pafajshëm, duke lënë pa shtëpi disa mijëra, duke lënë jetimë pa nënë e baba disa dhjetëra fëmijë. Askush në Shqipëri nuk ka dyshim se krimi shtetëror i Gërdecit, ka për autorë familjen që kishte organizuar dhe kryente trafikun ilegal të armëve, këta të cilët bënin vendime qeverie madje dhe ligje në dobi të këtij trafiku, këta që jepnin urdhra me shkrim dhe me telefon, këta që kishin vendosur njerëz të afërm familjarë në pikat kyçe të këtij trafiku.
Të hënën Gërdeci shpërtheu përsëri për shkak të atij vendimi farsë të Gjykatës, që vuri në pazar vrasjet, për ti konvertuar në dëmtim prone dhe pakujdesi teknike. Të hënën Gërdeci dhe gjithë Shqipëria shpërthyen përsëri në zemëratë sepse vendimi i Gjykatës ishte një tjetër goditje rrënuese për besimin e shqiptarëve, por edhe të partnerëve ndërkombëtarë, te drejtësia në Shqipëri. Ishte një shprehje e qartë, e faktit se si korrupsioni ka kapur çdo qelizë të zyrave të këtij pushteti.
Procesi i përjashtoi shkaktarët e mëdhenj të tragjedisë dhe dha dënime selektive edhe ato tejet zhgënjyese për opinionin publik. Katër vite pas shpërthimit në Gërdec, Gjykata vendosi se nuk ka krim të vrasjes nga përgjegjësit e këtyre sipërmarrjeve vdekjeprurëse. Vrasjet mbetën pa autor. Sali Berisha, i biri, ministrat e tij, faroja, dhe gjithë njerëzit, gjurmët e përgjakura të cilëve të çojnë përsëri tek Sali Berisha dhe zyrat e pushtetit të tij janë të lehtësuar përkohësisht.
Nuk do të zgjasë qetësia juaj. 26 të vdekur janë shumë për të jetuar i qetë mbi tokë. Edhe ky vendim gjykate ishte një përpjekje për të mbajtur të fshehtë krimin shtetëror në Gërdec. Historia e fshehjes së këtij krimi ka nisur vetëm pak minuta pas tragjedisë në zyrën e Sali Berishës. I njoftuar për tragjedinë, ai ka nisur me kujdes fshehjen e provës së parë dhe më të rëndë kundër tij, praninë e baxhanakut të vet, tashmë si viktimë në këtë tragjedi. Përpjekja e tij që në momentet e para të tragjedisë për ta devijuar të vërtetën larg tij dhe familjes së tij, ishte dhe mbeti linja politike që po varros ketë të vërtetë. Ndërkohë që Berisha gënjente publikisht për emrin e baxhanakut të tij, duke shpresuar se shqiptaret nuk do ta mësonin këtë të vërtetë, i biri i tij Shkëlzen Berisha fliste në telefon me pronarin e fabrikës. Tabulati i zbardhur prej Prokurorisë provon se Shkëlzen Berisha ka folur në orën 12:48 minuta në telefon, duke qenë edhe personi më i shqetësuar, jo për jetët e humbura nga shpërthimi, por për fshehjen e lidhjeve.
Po si është përfshirë djali i kryeministrit në këtë histori? Është e vështire ta ndash ku mbaron të qenit e tij si pronar real i këtij biznesi dhe ku ka qenë thjesht ndërmjetës. Ata që e njohin nga afër para shpërthimit dëshmojnë se ai fliste hapur për këtë biznes, madje shpesh i nevrikosur me administratën e babait të tij që i krijonin vonesa me dokumentacionin e trafikut të armatimit. Prania e tij në zyrat e ministrave apo raportimi i ministrave tek ai, siç është shkresa e Ministrit të atëhershëm të Drejtësisë Bumçi për komentet e vendimit të qeverisë që do ti hapte rrugë demontimit janë fakte komprometuese që lidhin direkt djalin e Kryeministrit me këtë biznes, ku ministrat ishin thjesht ushtarë raportues të tij. Nga faksi i Ministrisë së Drejtësisë në adresë të Ministrisë së Mbrojtjes, Bumçi ka nisur komentet e vendimit në një kopje për Shkëlzen Berishën. Edhe pse tri dite më parë e kishte nisur shkresën zyrtarisht, një fotokopje të saj ka bërë kujdes tia nis në një zyre të asaj ministrie ku Shkëlzen Berisha ishte bërë familjar, me faks. Edhe pse Bumçi e Berisha u përpoqën ta përgënjeshtrojnë faktin, sekretarja e Bumçit e konfirmoi atë në prokurori.
Gërdeci dhe 21 janari janë plagë që nuk do të mbyllen kurrë pa u vendosur para drejtësisë autorët dhe urdhëruesit e vërtetë.
Zoti Kryeministër,
Kam në dorë programin e Qeverisë me duar të pastra, të cilën ti prezantove në këtë Parlament në shtator 2005. Sipas këtij programi ju u zotuat që brenda 100 ditëve të para të hartoni strategji dhe të ndërmerrni hapa konkretë në luftën kundër korrupsionit. Por të vetmen strategji që miratove, e mbyte në harresë. U desh të kalonin tre vjet nga shtatori 2005, deri më 3 tetor 2008, që të miratonit këtë strategji, e cila bashkë me 36 strategji të tjera ndërsektoriale përbëjnë Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim.
Si mund të luftohet korrupsioni me një strategji që nuk ka afate, që nuk parashikon iniciativa ligjore, që nuk identifikon sektorët prioritarë. E vetmja gjë që mund të mbahet mend nga këto strategji të qeverisë tuaj kundër korrupsioni janë dy numra telefoni, që nuk u përgjigjën kurrë. Në faqen zyrtare të Kryeministrisë në internet u vendosën dy numra telefoni: 08000808 dhe 08000909, ku qytetarët mundë të denoncojnë aktet korruptiv, numra që u harruan bashkë me largimin e kopistave nga kabineti yt. Në fund të vitit 2008 dhe përgjatë gjithë fushatës elektorale të vitit 2009 në televizione shfaqej spoti: Numri im i telefonit është 0692099410 dhe është gjithnjë i hapur për mesazhet tuaja. Ky spot por edhe numri u harrua menjëherë pas zgjedhjeve. Si njohës i mirë i spiunllikut, ju iniciuat dhe miratuat më 3 prill 2006 ligjin “Për bashkëpunimin e publikut në luftën kundër korrupsionit”, pas propozimit të Këshillit të Ministrave. Neni 16 i këtij ligji përcakton edhe masën e shpërblimit për denoncimin që bëhet. Sipas këtij neni, urdhri për dhënie shpërblimi është titull ekzekutiv. Madje në nenin 17, theksohet se ngarkohet Këshilli i Ministrave të përcaktojë fondet e nevojshme në buxhetet e institucioneve shtetërore për realizimin e qëllimit të këtij ligji.
Zoti Kryeministër a caktuat ndonjëherë fonde për këtë qëllim. A u shpërblye ndonjë qytetar që denoncoi korrupsion. Në një mbledhje të qeverisë në dhjetor 2005: “Qytetari, i cili fakton në mënyrë të pakundërshtueshme këtë krim (korrupsioni), do të shpërblehet me një përqindje të caktuar të fitimit që nxirret nga ky denoncim, do të shpërblehet me disa rroga të caktuara të nëpunësit, që i kërkon para për ti sanksionuar një të drejtë të ligjshme të tij”. Qesharake, gjithçka e mbetur në harresë.
