E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tek Zoti apo gjykatat e babait?

Share

Nga Mero Baze

Katër vjet pas tragjedisë së Gërdecit, Sali Berisha dhe familja e tij, e cila drejtonte këtë biznes, i kanë shpëtuar drejtësisë. Të gjitha faktet që provojnë se i biri i tij udhëhoqi lobimin për këtë biznes vdekjeprurës, u injoruan. Të gjithë njerëzit e afërt të tij, që nga burri i tezes që u vra në krye të punës dhe miqtë e shokët  tij që përdor për sekserë dhe që kanë lënë gjurmët në këtë biznes, nuk u gjykuan. Çdo linjë hetimi që ndiqte gjurmët e përgjakura që të çonin në shtëpinë e Sali Berishës, u injorua. Gruaja e Sali Berishës, njeriu kyç që ka punësuar burrin e motrës së saj në biznesin e të birit, i bëri më rrëmujë punët kur foli për alibitë e familjes së saj në këtë histori. Fahri Balliu, Mihal Delijorgji dhe biznesmenë të tjerë që u përfshinë në segmente të veçanta të këtij biznesi, janë më të qetë me dënimet ose mosgjykimet me të cilat iu vu kapaku kësaj tragjedie. Kultura e mosndëshkimit të njerëzve të pushtetit shkëlqeu në kulmin e saj dhe sot ne kemi një garniturë të tërë pushteti, e cila ishte e përfshirë tërësisht në këtë tragjedi dhe që nuk u përmend askund nga gjykata. Lexoja dje se sa herë kishte folur Delijorgji me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm dhe gjithë gjeneralët dhe në raport nuk përmendeshin askund telefonatat e tij me Shkëlzen Berishën apo Fatmir Mediun. Gjykata ka bërë gjithçka që familja në pushtet të mos shqetësohet.

Por a është kjo një zgjedhje për qetësinë e tyre?

Dyshimi im i madh është se pikërisht kultura e mosndëshkimit që ka ngulitur Berisha për pushtetin e tij në drejtësinë shqiptare do të rrënojë të ardhmen e tij dhe të fëmijëve të tij. Jo vetëm faktet kokëforta, por dhjetëra dëshmi që ende nuk i ka dëgjuar gjykata dhe fakte që ruhen si pengje nga zyrtarë të tij për të siguruar karrierën në Partinë Demokratike, mund të hedhin nesër ne erë sigurinë që ai tenton të fitojë nga vendimet hipokrite të këtyre gjykatave dhe gjykatësve. Në ditën e parë që ai ikën nga pushteti, me vota si demokrat apo me dhunë si diktator, ajo që ai po bën sot do ti kthehet në një bumerang të pamëshirshëm.

Ka shumë ministra dhe deputetë që sot janë aty ku janë aty ku janë jo se vlejnë diçka, por se kanë heshtur dhe kanë ndihmuar të fshihen gjurmët e përgjakura të birit të kryeministrit. Viktor Gumit, ish drejtor i Kodifikimit në Ministri të Drejtësisë, iu bë fat faksi që i nisi Shkëlzen Berishës nga zyra e Aldo Bumçit për të ndryshuar statusin e tij nga nip i Skënder Gjinushit, siç e akuzonte Berisha që përpiqej ta hiqte nga puna, në deputet dhe ministër të Partisë Demokratike. Enkelejd Alibeun, të cilit mjafton ti analizosh shikimin dhe e mbyll në psikiatri, e bëri ministër dhe deputet korrespodenca e tij me ekipin e Fatmir Mediut se si duhej rregulluar çështja e tenderit të fabrikës së Gërdecit. Arben Imami, ish shef i Kabinetit të Berishës, i papërfillur prej tij, u bë papritur i rëndësishëm si dëshmitar i përfshirjes së të atit të Shkëlzenit në këtë histori dhe u dërgua pas vitit 2009 në zyrat e asaj ministrie që u përfshi në atë krim. Kjo listë vazhdon me deputetë dhe ministra të tjerë anonimë, që mbinë nga dheu pas tragjedisë së Gërdecit, e cila ndryshoi përfundimisht siç ka theksuar dhe ambasadori Withers, historinë politike të Berishës dhe raportet e tij me shtetin ligjor.

Por jo vetëm këta njerëz që kanë bërë karrierë duke mbrojtur një krim, por dhe të tjerë që kanë qenë pjesë e heshtur e bashkëpunimit mbajnë të fshehura faktet dhe dëshmitë e tyre për Shkëlzen Berishën rreth Gërdecit dhe i kanë ato si kode të heshtura komunikimi për respektimin e palëve nga Familja. Të njëjtët gjyqtarë që do të rishikojnë nesër tabulatet e Delijorgjit me Shkëlzenin do thonë gjëra të tjera nesër. Faksi për informim i Aldo Bumçit do tu duket i rëndësishëm, hyrje- daljet e Shkëlzenit tek Fatmir Mediu në ditët e nënshkrimit të kontratës do tu duken kapje shteti dhe mbi të gjitha dëshmitë e njerëzve të administratës që ky njeri i ka bezdisur derisa u ka marrë firmat për Gërdecin si biznes i tij, do të dalin në dritë.

Edhe pa kaluar nga gjykata, shumë nga këto fakte sot kanë dalë në dritë nga media, dhe perceptimi popullor se ai ishte biznes i djalit të kryeministrit është i plotë. Atëherë çfarë sigurie ka fituar ky njeri që tenton të bëjë indiferentin ndaj jetës së 26 qytetarëve?

Nëse do ta kishte çuar sot të birin para drejtësisë dhe të dënohej së paku aq sa u dënuan ushtarakët dhe civilët e tjerë, mund të fitonte një farë qetësie. Kështu, pa u prekur fare, me arrogancën e njeriut që të vret dhe nuk të lë të qash, ai thjesht ka vënë në pikëpyetje të ardhmen dhe sigurinë e jetës së njeriut të përfshirë në lobimin e këtij biznesi vdekjeprurës.

Dje në një nga rrjetet sociale poshtë fotografive të familjes Berisha në Ditën e Verës, vëllai i një viktime në Gërdec kishte shënuar me dëshpërim: Ta ruajmë këtë foto që kur të vijë dita të marrim hak, ta kemi parasysh. Kultura e mosndëshkimit që Berisha po i imponon drejtësisë për familjen e vet, po zgjon në mënyrë alarmante kulturën e hakmarrjes, një kulturë e cila do ta vrasë shoqërinë shqiptare më shumë se kultura e mosndëshkimit. Berisha po bie viktimë e kulturës së vet hakmarrëse, duke diktuar dhe paqen për vete dhe vdekjen ndaj të tjerëve. Në këto kushte përpjekja për tu dukur të sigurt ngaqë drejtësia sipas tyre foli, është një makth i ri, që mund të prodhojë pasoja më të rënda se sa një dënim i lehtë në gjykatë.

E qetë dukej dhe Liri Berisha. Miliona shqiptarë nuk e njohin nga afër dhe mund të besojnë ndonjë herë shtirjen e saj si shenjtore kur fliste për kunatin e vet që mbante ca arka me karrocë në Vorë, por motra e saj e njeh mirë. Burrin e saj që nuk jeton më e ka punësuar nipi i saj, djali i motrës që bën sikur nuk di gjë çfarë ka ndodhur. Është po ajo motër që i ka shkuar në varrim një ditë pas tragjedisë, bashkë me dy fëmijët  e saj, është po ajo motër që thotë se kur dëgjuam që ndodhi shpërthimi thamë me vete E zeza si nuk i treguam Saliut….  Mirë ne që nuk jemi të përfshirë në tragjedi as si viktima dhe as si autorë dhe nuk na interesojnë shumë gënjeshtrat e Liri Berishës, por motrës së saj a i del dot para ta shikojë në sy dhe ti thotë Jo, im bir ska asnjë lidhje me këtë punë?

I qetë duket dhe Fatmir Mediu. Një ministër kokëbosh dhe mendjelehtë që rend pas parave dhe trafikantëve si flutura pas zjarrit, pas historisë së Gërdecit së paku u zhduk nga sytë e shqiptarëve dhe nuk na zhurmon më veshët me fjalitë e tij të pafundme dhe të pakuptimta. Por ende nuk e ka mbyllur këtë histori. Nëse Shefi i Shtabit, i urdhëruar prej tij dënohet 6 vite, ky së paku duhet të dënohet 6 vite e një ditë më shumë. Deri tani po mbrohet me imunitet. Do ti ikë një ditë imuniteti. Në mos e heqtë Sali Berisha, do tia heqin shqiptarët. Në mos me vota, me revolta. Ai është një njeri i përdoru nga mafia në atë histori jo aq pa vetëdije. Siç e thotë dhe vetë nëpër tavolina, ai ka pranuar të angazhohet në atë biznes për shkak të djalit të kryeministrit. Ndryshe nga Familja Berisha që tani nuk ia thotë më as vetes atë që ka bërë, ai ua thotë miqve dhe shokëve të besuar. Në këtë pikë ai është një hap më para se autorët realë të krimit. Por kjo nuk e bën të pafajshë

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›