Pacolli: Prekazi i dha vulën pavarësisë

(E plotësuar) Në ditën e dytë të manifestimit tradicional “Epopeja e UÇK-së”, që shënohet në 13-vjetorin e rënies së komandantit të UÇK-së, Adem Jashari, udhëheqësit e institucioneve dhe përfaqësues të tjerë politikë kanë bërë homazhe te kompleksi memorial i dëshmorëve në Prekaz.
Presidenti Behxhet Pacolli tha se në Prekaz u vulos pavarësia e Kosovës.
Më pas, në Teatrin Kombëtar në Prishtinë u mbajt edhe një akademi solemne, ku morën pjesë udhëheqësit kosovarë, përfaqësues të familjes Jashari si dhe figura nga jeta publike e akademike.
Duke folur në emër të familjes Jashari, Bekim Jashari u bëri thirrje përfaqësuesve politikë të Kosovës që t’i lënë anash ndasitë e përçarjet dhe të unifikohen për të çuar përpara zhvillimin e shtetit të Kosovës.
Manifestimi “Epopeja e UÇK-së” filloi të shtunën në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, ndërsa do të përmbyllet të hënën me ”Natën e Zjarreve”, që do të mbahet në Prekaz.
Thaçi: Në rrugë të mbarë drejt integrimeve euroatlantike
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se 13-vjet pas rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari vendi ynë është në rrugë të sigurt drejt integrimit në NATO dhe Bashkimin Evropian (BE).
Ai këto komente i bëri me rastin e homazheve te Varrezat e Dëshmorëve në Prekazin legjendar, ku së bashku me zyrtarë të tjerë të Qeverisë së Kosovës kanë nderuar veprën dhe sakrificën sublime të kryekomandantit legjendar Adem Jashari.
“Sot populli i Kosovës bën nderime shtetërore për komandantin legjendar Adem Jashari, familjen e tij, gjithë sakrificën e ushtarëve të UÇK-së, sakrificën e popullit të Kosovës. Sot kemi një ditë të bashkimit, e afrimit, e respektit për të kaluarën dhe për të marrë energji për të ardhmen, prandaj në emër të Republikës së Kosovës bëmë nderime shtetërore më të larta për komandantin legjendar Adem Jashari. Ne kemi fituar lirinë, kemi fituar pavarësinë, po e ndërtojmë shtetin tonë, jemi në rrugë të sigurt për t’u anëtarësuar në NATO dhe BE, prandaj në 13-vjetorin e rënies heroike të komandanti legjendar Adem Jashari Kosova është në rrugë të mbarë, në rrugë të suksesit, është një garanci e plotë për të ardhmen e saj euroatlantike”, ka thënë kryeministri Thaçi.
Krasniqi: Prekazi legjendar paraqet përmasën e dhimbjes dhe lavdisë kombëtare
Në 13-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jasahri dhe familjes së tij, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka bërë homazhe te Varrezat e Dëshmorëve në Prekazin legjendar.
Ai me këtë rast ka thënë se Prekazi legjendar paraqet përmasën e dhimbjes dhe lavdisë kombëtare të popullit shqiptar, i cili sot pasi aty krisën pushkët
“Ne e zgjodhëm Prekazin për të ardhur në këto ditë për shkak të përmasës së dhimbjes dhe lavdisë të nivelit kombëtar që e ka dhe jemi të bindur që duke nderuar këtë përmasë të lavdisë dhe të dhimbjes kombëtare, ne nderojmë gjithë familjet shqiptare në Kosovë, i nderojmë gjithë kombin shqiptar dhe historinë e dhimbshme të tij, por njëkohësisht edhe të lavdishme”, ka thënë Krasniqi.
Çeku: Do ta kryejmë punën tonë në fuqizimin e ushtrisë së Kosovës
Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK), Agim Çeku, ka thënë se institucionet e vendit do të punojnë në fuqizimin e shtetit dhe fuqizimin e ushtrisë së Kosovës.
Ai këto komente i bëri me rastin e homazhe te Varrezat e Dëshmorëve në Prekazin legjendar, ku kishte ardhur së bashku me zyrtarë të tjerë të Forcës së Sigurisë për ta nderuar veprën e madhe të komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve.
“Një ndër ëndrrat e komandantit Adem Jashari, familje Jashari dhe gjithë dëshmorëve tjerë ka qenë krijimi i shtetit të pavarur të Kosovës, shtetit të fuqishëm, institucioneve të fuqishme, veçanërisht ushtrisë së fuqishme”, ka thënë Çeku. /kosovapress/