E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fundi i kampionateve, tolerimet bëhen modë

Dhe tani teatër... Është kjo shprehje e marrë nga një film shqiptar, që ndoshta i shkon më së miri situatës në fundin e kampionateve të futbollit në Shqipëri. Kështu ka ndo-dhur kryesisht vitet e fundit, që shumë ekipe, me realizimin apo daljen jashtë objektivave, fillojnë e lëshojnë garën dhe nuk kanë interes, duke përmendur lloj-lloj arsyesh, madje ka raste që është deklaruar haptas që kanë lëshuar dhe tolerojnë ndaj ekipit tjetër. Nuk është se tolerimet dolën si fenomen këto vitet e fundit, ato kanë ekzistuar që me lindjen e futbollit, madje ky fenomen ndodh edhe në kampionatet më prestigjioze të Europës, por ndryshimi është se këtu tolerimet fillojnë shumë herët, bëhen aq haptas dhe janë të shumta, saqë edhe një jashtë botës së futbollit do ta kuptonte se është "estradë".
RENDITJET
Në Kategorinë Superiore shumë gjëra janë zgjidhur tashmë, duke filluar që me titullin kampion, teksa e ka fituar Skënderbeu, për të vijuar pastaj me 4 ekipet që do të bien nga kategoria, Apolonia, Tomori, Luftëtari dhe Shkumbini. Peqinasit kanë pak shanse, por pikërisht duke u nisur nga këto tolerime, edhe ata thuajse janë dorëzuar. Tre ekipe janë me objektiva konkretë tashmë, Kukësi, Flamurtari dhe Teuta (luftojnë për vendin e dytë dhe të tretë), ndërsa shumë pak shpresa kanë Tirana dhe Vllaznia, të cilët do të ndeshen këtë javë bashkë dhe vetëm njëra skuadër mund të ketë pak shanse në vijim. Pra, në një garë me 14 skuadra, kur vetëm 3-4 skuadra kanë objektiva për të arritur, tolerimet janë të pashmangshme, kjo edhe për kulturën e futbollit tonë, pasi Barcelona, Bajerni, Mançester Junajtid apo ndonjë ekip tjetër thuajse e kanë fituar titullin, ata kurrsesi nuk tolerojnë, madje edhe jashtë fushe, dhe kjo u pa mirë edhe javën e fundit. Ndërsa te ne "estrada" do të fillojë që këtë javë në kampionatin shqiptar. Vetëm ndonjë ekip si Vllaznia (e tregoi javën e fundit me Teutën), Apolonia apo Tirana mund të luajë deri diku ndershëm. Ose kur ekipet me objektiva të përbashkët do të përballen me njëri-tjetrin, siç është çifti Kukësi-Flamurtari. Shumicat e sfidave të tjera, duke mos paragjykuar të gjitha, do të jenë thjesht shfaqje dhe jo futboll. Edhe në Kategorinë e Parë po ashtu, ku pasi Lushnja e ka siguruar ngjitjen në Superiore dhe Partizani thuajse, në garë mbeten vetëm ato që duan t'i shpëtojnë rënies. Hiq edhe Naftëtarin, që tashmë është i rënë, skuadrat e tjera kanë "mprehur lapsin" për llogari. Mungojnë vetëm detajet, pasi shumë sfidave u dihet fundi.
PERPLASJA
Në ato sfida ku do të ketë objektiva të njëjtë, ku ndoshta luhet një sezon i tërë, përplasjet janë të pashmangshme, ku fillohet me akuza dhe që degjeneron deri në dhunë. Por mund të kemi edhe përplasje tifozërish dhe kjo jo vetëm në ndeshje decizive, por edhe në ato raste kur tifozët nuk pranojnë të tolerojë ekipi i tyre, siç ishte rasti i fundit i tifozëve shkodranë, që u hakërryen ndaj Vllaznisë që mos toleronte ndaj Teutës.
(E.Ilnica/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›