Juve thyen tabunë me Lacion, titulli afrohet më shumë
Juventusi ka filluar tashmë festën e titullit kampion. Kjo jo vetëm se theu një tabu, që ishte fitorja në transfertë me Lacion, por sepse diferenca me Napolin e vendit të dytë shkon në 11 pikë, diferencë e mjaftueshme kjo për ta administruar në 6 javët e mbetura. Bardhezinjtë e kanë zgjidhur ndeshjen që në pjesën e parë, me dy gola të Vidalit. Pikërisht në golin e parë, atë të shënuar me 11-metërsh, ku protagonist ka qenë Lorik Cana, i cili ka shkaktuar penalltinë, madje ka marrë edhe një karton të verdhë për këtë ndërhyrje. Lacio është përpjekur të hyjë në lojë, por e ka pasur të pamundur, madje Juventusi mund të kishte shënuar sërish. Tashmë vëmendja kthehet nga Kupa e Italisë, teksa të mërkurën do të luhet gjysmëfinalja e parë Inter-Roma, një duel klasik tashmë i krijuar ndër vite.
(E.Ilnica/BalkanWeb)
(E.Ilnica/BalkanWeb)