E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Fundi i lojës" sjell Becket në Tiranë

Në Teatrin Kombëtar në Tiranë, në datat 7 dhe 8 nëntor, do të shfaqet drama "Fundi i lojës", pjesë teatrale e dramaturgut irlandez Samuel Becket me regji të Elis Matajt. "Fundi i lojës" është një dramë me një akt dhe katër personazhe. Origjinali i saj është shkruar në frëngjisht dhe mbante titullin "Fin de partie". Becket, siç e kishte zakon, e përktheu dramën vetë në anglisht. Drama për herë të parë u vu në skenë në frëngjisht në "Royal Court Theatre" në Londër. "Fundi i lojës" bën pjesë së bashku me pjesën tjetër "Në pritje të Godosë" ndër veprat më të rëndësishme të Becket. Personazhet e dramës janë Hammi, një zotni plak i verbër dhe që nuk ecën dot dhe shërbëtori i tij Clov, i cili nuk ulet dot. Të dy vegjetojnë në një shtëpi të vogël buzë detit, megjithëse nga dialogu i tyre duket se jashtë shtëpisë nuk ekziston asgjë: as det, as diell dhe as re. Të dy personazhet, të varur nga njeri-tjetri, kanë vite që zihen dhe vazhdojnë kështu gjatë gjithë shfaqjes. Clov ka dashur gjithnjë të largohet, por kurrë nuk e ka bërë këtë. Dy personazhet e tjerë të dramës janë Nagg dhe Nell, prindërit e Hammit, të cilët jetojnë në kosha plehrash dhe vetëm kërkojnë ushqim dhe grinden kot së koti. Kjo vepër jepet në kuadrin e përgatitjeve të edicionit të katërt të Festivalit të Teatrit për të Rinj, që do të mbahet në Tiranë. Gjatë këtij festivali do të konkurrojnë vepra të tilla si "Norvegjia sot" e Igor Bauersima, "Shtëpia e Bernarda Albës" Lorkës, "Banorët e shkallës V" e Kin Dushit, "Parfumeria" e dramaturgut kosovar Haqif Mulliqi dhe "Morsa" e Luigi Pirandellos.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›