E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arkeologët e Butrintit nderohen me një memorial

Në hyrje të qytezës së Ksamilit është zbuluar dhe përuruar memoriali i ngritur në nderim dhe në vlerësim të punës shkencore më shumë se 80-vjeçare në fushë të arkeologjisë. Ajo nis me zbuluesin e Butrintit, Luixhi Ugolini dhe vijon me një plejadë të tërë arkeologësh shqiptarë të të dy brezave. Memoriali përbëhet nga disa elementë, që janë: tre pllakat prej xhami, ku janë shkruar me germa ari emri i Luixhi Maria Ugolinit, Hasan Cekës dhe arkeologut Dhimosten Budina, që vazhdoi veprën e tyre. Pas kësaj bien në sy një amforë, në trupin e së cilës shkruhet Butrinti, si dhe bazamenti rrethor i trajtuar me mozaikë. Pjesë e grupit skulpturor është edhe një tjetër pllakë, në të cilën janë gdhendur emrat e arkeologëve të brezit të dytë, si: Neritan Ceka, Richard Hodges, Oliver Glikes, Dhimitër Çondi etj. Autor i memorialit dedikuar plejadës së arkeologëve të huaj dhe shqiptarë, me kontribute të veçanta në zbulimin e Butrintit, prej vitit 1928, kur në tokën e Butrintit antik ra kazma e parë e arkeologut italian Luixhi Maria Ugolini, është inxhinieri Robert Kote. Pas kësaj, këtë vepër e ka vlerësuar arkeologu Dhimitër Çondi, i cili tha se që prej ditës së sotme turistët vendas dhe ata të huaj do të ndjejnë se Butrinti nis qysh në Ksamil, pasi këtë ndjesi e krijon memoriali kushtuar zbuluesit të parë të Butrintit, arkeologut italian Luixhi Maria Ugolini dhe vazhduesve të veprës së tij, Dhimosten Budina, Hasan Ceka e deri te brezat më të rinj të arkeologëve të sotëm. Kryetari i Komunës së Ksamilit, Vesel Koçia, tha se kjo është një nismë e lindur nga bisedat dhe bashkëpunimi shumëvjeçar me arkeologët që kanë kontribute të posaçme në gërmimet dhe zbulimet në Butrint.

Th.Nika

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›