Artistët serbë, mesazhe për Europën e bashkuar
Në teatrin "Skampa" të Elbasanit është ngjitur për herë të parë një trupë serbe. Ata kanë interpretuar shfaqjen "Muma Paduri" me regji të Vosna Stankoviç. Një fabul e thjeshtë, por tepër shprehëse, sjell në qendër të veprës një familje ballkanase. Mesazhi që përcillte vepra e interpretuar prej artistëve serbë ishte për një Ballkan në paqe mes popujve dhe etnive, me aspiratën e përbashkët drejt Europës së bashkuar. Artistët e Beogradit, në një kuptim, i kapërcyen tabutë e kultivuara në shekujt mes popujve, duke dërguar mesazhe për bashkim e vëllazërim në një rajon ende të "nxehtë" nga paranojat e politikës së vjetër. Pas tyre është ngjitur në skenë trupa nga Kroacia, me pjesën "Evita", një shfaqje e absurdit, e cila ka ardhur nën regjinë e Senka Buliç. Nëpërmjet pasqyrës aktoriale mund të shihet një vdekje, dhunë e çmenduri të ndërthurura, duke qëndruar në kufijtë e reales e sureales, duke fshirë të gjitha implikimet politike dhe historike për të përfunduar në një shfaqje universale për vetminë dhe frikën, dy ndjesi që shpesh herë janë prehur në gadishullin ballkanik. Historia rreth personazhit kryesor, Eva Peron, mbetet një tragjedi personale e një ylli të paaftë për të gjetur ekuilibrin midis shfaqjes së saj në publik dhe unit të saj të vërtetë. Në skenë është ngjitur edhe trupa e Teatrit Kombëtar me shfaqjen "Manaxheria e qelqtë", me regji të drejtuesit të këtij festivali, regjisorit Adonis Filipi.
Be.Dy.
Be.Dy.