E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fundi i “luftës” 100-vjeçare

Presidenti amerikan, Barack Obama, ka nënshkruar dhe ka shndërruar në ligj reformat historike, të cilat mundësojnë mbulimin e pothuajse të gjithë amerikanëve me sigurim shëndetësor dhe përmbushin ëndrrën e gjeneratave të kaluara të udhëheqësve amerikanë.

“Sot, pas përpjekjeve gati njëshekullore, sot pas një viti të debatit, reforma e sigurimit shëndetësor po shndërrohet në ligj në SHBA”, deklaroi Obama.

“Ligji që po nënshkruaj do të vë në lëvizje reformat, për të cilat kanë luftuar dhe marshuar gjenerata të amerikanëve”, tha ai para turmës së ngazëllyer, e cila mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit në Shtëpinë e Bardhë.

Ligjvënësit dhe mysafirët filluan të duartrokasin, në momentin kur Obama më në fund realizoi premtimin e tij për reformimin e sistemit shëndetësor të SHBA-së.

Në ndërkohë, senati filloi debatin për pakon e ndryshimeve, të dërguar nga dhoma e përfaqësuesve dhe pritet propozimi i dhjetëra amendamenteve.

Dhoma e Përfaqësuesve miratoi legjislacionin, i cili tani është shndërruar në ligj, më 219 vota për dhe 212 vota kundër, duke e shfrytëzuar shumicën e demokratëve për ta miratuar legjislacionin, përkundër opozitës unike të republikanëve.

Reforma me vlerë prej 940 miliardë dollarë do të mbulojë 32 milionë amerikanë, të cilët deri me tani nuk kanë pasur sigurim.

Nënshkrimi historik u bë gati një shekull pasi që presidenti Theodore Roosevelt, bëri për herë të parë kërkesën për një qasje kombëtare në sigurimin shëndetësor të SHBA-së dhe pas dështimit të presidentëve të kaluar, si Bill Clintoni, të cilët u përpoqën që të reformojnë këtë sistem mjaft të shtrenjtë.

“Ju keni bërë histori. Zoti president, keni bërë atë, që janë përpjekur ta bëjnë gjenerata të tëra të amerikanëve. Për herë të parë në historinë amerikane, ju e keni bërë realitet të drejtën e amerikanëve që të kenë qasje në sistemin e sigurimit shëndetësor”, i tha Obamës së ngazëllyer zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden.

Në ceremoninë e nënshkrimit të pranishëm ishin edhe Vicki dhe Caroline Kennedy, e veja dhe e bija e senatorit të ndjerë demokrat, Tedd Kennedy, i cili për pothuajse pesë dekada është angazhuar për reformimin e sistemit të sigurimit shëndetësor.

Obama përdori 20 stilolapsa të ndryshëm, për të nënshkruar ligjin me 2 mijë faqe, me ç’rast pas ceremonisë, stilolapsat janë dhuroi si suvenir ligjvënësve dhe mysafirëve.

Por Obama ende do të ketë një punë mjaft të vështirë që të mbrojë reformat, në prag të zgjedhjeve të gjysmë-mandatit, të cilat zhvillohen në nëntor, me republikanët të cilët kanë filluar të mobilizohen kundër ligjit të ri.

“Kemi dëgjuar sot mjaft se sa është historik ky ligj dhe kjo është e vërtetë. Është tradhti historike e vullnetit të popullit amerikan. Është kjo humbje historike e lirisë”, deklaroi kryesuesi i Komitetit Kombëtarë të Republikanëve, Michael Steele.

Menjëherë pas ceremonisë së nënshkrimit, gazeta USA Today dhe agjencia Gallup zhvilluan një anketë, e cila dëshmoi se 49 për qind e të anketuarve ligjin e ri e cilësuan si një gjë të mirë, ndërsa 40 për qind e cilësuan si një gjë të keqe.

Megjithatë, menjëherë pas nënshkrimit të reformës, 14 shtete amerikane ngritën padi kundër ligjit të ri.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›