E Diel, 1 Nëntor 2026

"Cern" javën e ardhshme fillon përplasjen e grimcave me energji të larte

GJENEVë - Shkencëtarët e eksperimentit më të madh shkencor në botë do të përpiqen të përshpejtojnë dhe përplasin grimcat elementare me nivelin më të lartë të energjisë që është arritur deri tani, duke nisur nga 30 marsi, në përpjekje për të rikrijuar kushtet e "Big Bang" (Shpërthimi i Madh), zanafilla e universit 13.7 miliardë vite më parë, njoftoi CERN (Organizata Evropiane për Kërkime Bërthamore).
LHC (Large Hadron Collider), përshpejtuesi më i madh i grimcave në botë, me një gjatësi prej 27 kilometra dhe i vendosur nën tokë pranë kufirit franko-zviceran, nisi të funksionojë sërish nëntorin e kaluar pas një ndërprerjeje relativisht të gjatë si pasojë e një defekti të rëndë që erdhi për shkak të mbinxehjes.
Aktualisht dy rrathët binjakë të LHC-së po i qarkullojnë molekulat me shpejtësi 3.5 tera-elektron volt (TeV), energjia më e lartë që është arritur ndonjëherë në LHC dhe shpejtësia do të vazhdojë të rritet në ditët në vazhdim, njoftoi CERN.
"Përpjekja e parë për t'i përplasur grimcat me shpejtësi 7 TeV (3.5 për rreth) është programuar të kryhet më 30 mars", thuhet në një deklaratë të CERN.
Rolf Heuer, drejtori i përgjithshëm i CERN, deklaroi: "Do të duhen orë, madje edhe ditë që të kryhet përplasja".
Përplasjet e shumëfishta me energji 7 TeV do të krijojnë secila nga një mini-Big Bang, duke prodhuar të dhëna të cilat mijëra shkencëtarë do të analizojnë vitet në vazhdim.
Kur përplasjet me shpejtësi të lartë do të arrihen me sukses, plani parashikon që eksperimenti të vazhdojë për 18 deri në 24 muaj, me një ndërprerje të shkurtër teknike në fund të vitit 2010, thuhet në deklaratën e CERN.
Për sa i përket Lëndës së errët, për të cilën shkencëtarët besojnë se përbën deri në 25 për qind të universit por që ende ekzistenca e saj nuk është faktuar, eksperimenti mund të japë informacione të mjaftueshme për të provuar nëse ekziston ose jo, deklaruan shkencëtarët.
Astronomët dhe fizikanët mendojnë se ne njohim vetëm pesë për qind të universit dhe se pjesa e padukshme përbëhet nga lënda dhe energjia e errët, që respektivisht përbëjnë 25 dhe 70 për qind.
"Nëse ne mund ta gjejmë dhe kuptojmë lëndën e errët, do të kemi mundësi të njohim deri në 30 për qind të universit, një hap tepër i madh përpara", ka deklaruar Heuer gjatë një konference për shtyp disa ditë më parë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›