Fundi i mandatit të Topit dhe njëra prej sfidave të pritshme në rrjedhat politike
Fundi i mandatit të një presidenti, përveç interesit që ngjall në elektorat lidhur me një mandat të tij të dytë ose me emrin e pasardhësit, ka ndikimin e vet të pashmangshëm në jetën politike të një vendi. Një mandat i dytë, në rastin e Presidentit Topi, as që mund të zihet në gojë. Përpara se Kryeministri Berisha ta paralajmëronte shprehimisht vullnetin e shumicës qeverisëse që drejton, Topi e ka paralajmëruar vetë djegien e mandatit të tij të dytë, me ekuivokët që e ndoqën pa pra gjatë mandatit të parë, duke u bërë zikzake detyrimeve të veta si garant i Kushtetutës. Nuk është rasti këtu të numëroj, as të vlerësoj shmangie ndaj detyrave institucionale të Presidentit, çka më së paku kanë tërhequr vëzhgimin e mediave dhe çka, më së shumti, opinioni publik do të priste angazhimin e specialistëve. Ndërkohë, për shumëçka lexuesi ka dijeni qysh prej pesë vjetësh. Qëllimi i këtij shkrimi është të hedh në tryezën e debatit njërën prej sfidave të shumta që do të sjellë afrimi i mbarimit të mandatit presidencial të zotëri Topit.
Mendoj se ndër të parat dhe ndër më të rëndësishmet do të ishte thashethemi për të ashtuquajturën “partiçkë” që, sipas mediave, Presidenti në detyrë ka në agjendën e vet politike të së ardhmes. Kjo, jo sepse ai e ka vënë institucionin e presidencës në funksion të qëllimeve që ka për të ardhmen, duke hedhur, ndërkohë, edhe shashka kinse presidenciale, dukuri e rëndomtë qysh në krye të herës. As se do të shtohej numri i ekzagjeruar i partiçkave, të cilat gjallojnë në mjedisin politik shqiptar të tejngopur. Një okë e pesë a një okë pa pesë janë thuajse e njëjta gjë në kandarin politik, çka do me thënë se mbirja e një partiçke të re nuk do t’i sillte ndonjë risi kushedi se çfarë rrjedhës së politikës sonë të çastit. Sipas meje, problemi duhet fokusuar te rrjedhojat.
Tash e tutje, duke u formësuar thashethemi dita-ditës, vëzhguesit të kujdesshëm do t’i duhej të llogariste koston politike që do t’u bjerë të paguajnë partitë ekzistuese, pasi që dihet se, në tërësinë e vet, prej një pale zgjedhjesh, në tjetrën, elektorati është po ai. Ndryshon konfiguracioni dhe, për rrjedhojë, shifrat. Cilës parti, pra, do t’i takonte kostoja më e lartë?
Po të niseshim nga emri “Kuq e Zi”, me të cilin njihet sot për sot lëvizja që mendohet se do të shndërrohet në parti, do t’i binte që koston më të rëndë ta paguanin partitë e djathta, me elektorat tradicionalisht të djathtë pro kombëtar. Në një rast të tillë, përfitimi i atypëratyshëm do të ishte i partive të majta. Ja pse lideri i pafat i së majtës, Edi Rama, rreket të nxisë ambiciet e Topit, tashmë letër e djegur në bixhozin politik. Më tepër e besueshme bëhet kjo, kur Presidentit në ikje, i janë sosur shanset, qoftë për të qëndruar në krye të shtetit, qoftë për t’iu rikthyer partisë që i besoi votën. Afërmendsh, asnjë parti në botën e të gjallëve, sado demokratike dhe tolerante të ishte, nuk do të mbante në radhët e saj një renegat që votën e vet në zgjedhjet vendore ua “shiti” kundërshtarëve dhe, ashtu siç erdhën shifrat, rrezikoi Bashkinë e Kryeqytetit.
Ndërkohë, Kreshnik Spahiu, nënkryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe krah i djathtë i Presidentit Topi në institucionin juridik më të lartë të vendit, ka ndërmarrë disa turne brendapërbrenda trojeve etnike a në diasporën shqiptare, nën emrin e së njëjtës lëvizje. Qëllimi duket sheshazi: sensibilizimi i opinionit për të pritshmen. Tashmë, ky qëllim i Spahiut është demaskuar në media prej këngëtarit atdhetar Frederik Ndoci. Le të kujtojmë ngjarjen në New York, kur nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë i trembej daljes në skenë të këngëtares dhe militantes demokrate Çiljeta Xhilaga. Një javë përpara ndodhisë në SHBA, qëllimin e Spahiut e zbuloi këtu, në Bruksel, njëri ndër pjesëmarrësit e mashtruar të takimit. Atdhetar i thekur, dënuar dy herë për çështjen kombëtare - një herë prej Titos, në burgun e Idrizovës, në Maqedoni, dhe një herë prej Enver Hoxhës, në burgjet e kampet e Shqipërisë - ai iu përgjigj ofertës për të marrë fjalën. Me ton këshillues, por edhe tepër ironizues, ai tha pak a shumë se do të ishte më mirë që kuqezinjtë të sheshonin mosmarrëveshjet politike që gjallojnë në trojet ku vepron lëvizja, përpara se të kërkonin mbështetjen e diasporës.
Megjithatë, në kontekstin e sotëm politik, janë shumë faktorë që do të ndikojnë në zhvillimet e pritshme.
Së pari: partia që pritet të lindë, a do ta mbajë emrin “Kuq e Zi” të lëvizjes ekzistuese?
“Kuq e Zi” është emër joshës për shumë shqiptarë, kudo ku jetojnë. Me atë emër, janë lidhur ngjyrat e Flamurit tonë Kombëtar, me atë emër janë mbrujtur ndjenjat e atdhedashurisë të shumë brezave, me atë emër Rilindësit e shtrinë ndikimin e tyre anekënd trojeve etnike shqiptare, me atë emër ranë me armë në dorë luftëtarët e lirisë gjatë historisë sonë të re, ani se komunistët i ngjitën si bisht yllin pesëcepësh. Zgjedhja e këtij emri prej një organizate që, në njërën dorë tund kartën e atdhetarisë, kurse në tjetrën atë të pabesisë, është abuzim me ndjenjat atdhetare të shqiptarëve. Nuk do të kishte asgjë të keqe nëse kuqezinjtë do të synonin bashkimin e trojeve shqiptare brenda një kufiri të vetëm kombëtar, ani se shumëkush prej analistëve politikë do t’i druhej kontekstit të zhvillimeve gjeopolitike të diktuara prej ndërkombëtarëve, të cilët, sido që të jetë, problemet e tyre kombëtare i kanë tashmë të zgjidhura. Gjithashtu, nuk do të kishte asgjë të keqe nëse një organizatë gjithëkombëtare, qoftë kjo ekzistuesja, me emrin “Kuq e Zi”, qoftë një tjetër a disa të tjera me të tjerë emra, të vepronin në të gjitha trojet etnike ose në diasporë. Faktorë të tillë pro kombëtarë me shtrirje gjithëkombëtare do ta mbanin gjallë ëndrrën e kahershme të shqiptarëve. E keqja do të lindte në çastin kur një lëvizje e tillë me pretendime atdhetarie do të hidhte hapin e gabuar për t’u shndërruar në parti politike. Ithtarët e saj idealistë, me parti a pa parti, do të ndiheshin të zhgënjyer, ndërsa ideali kombëtar, i nëpërkëmbur.
Është më se e vërtetë, nga ana tjetër se një lëvizjeje të mundshme përbashkuese të shqiptarëve, do t’i duhej edhe mbështetja politike qoftë në Republikën e Shqipërisë, qoftë në Republikën e Kosovës, në Maqedoni a në Mal të Zi. Ama është po aq e vërtetë se kjo mbështetje nuk ka munguar, ndonëse jo e shprehur me terma të drejtpërdrejta a me slogane abuzive. Mjaft të sjell në kujtesë Autostradën e Kombit, e cila u ndërtua gjatë mandatit politik të koalicionit të djathtë, drejtuar prej Partisë Demokratike të Shqipërisë, dhe po vazhdon suksesshëm drejt Prishtinës e më tej, nën mandatin politik të koalicionit qeverisës të sotshëm në Kosovë. Po ashtu, Rruga e Arbrit, e cila ka nisur dhe pritet të përfundojë brenda mandatit qeverisës të koalicionit të qendrës së djathtë, të prirë prej PD-së, dhe të qendrës së majtë, të përfaqësuar prej LSI-së. A nuk janë tepër domethënës këta dy shembuj për të vërtetuar se Çështjes sonë Kombëtare nuk i ka munguar mbështetja politike, sidomos gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, qysh me mbarimin e sundimit serb në Kosovë?
Një tjetër pyetje që do të priste përgjigje, do të ishte kjo: sa përqind të elektoratit do të fitonte në zgjedhjet e 2013-s partia që pritet të lindë?
Ka zëra që zënë ngoje një shifër të papërfillshme. Ka të tjerë që flasin për mundësi të hyrjes në Parlament. Më të çakorduarit zëra e ngrenë pazarin drejt 10 përqindëshit. Po, si? Zor se kësaj pyetjeje mund t’i japin përgjigje edhe më optimistët kuqezinj. Nëse do të llogariteshin të djathtët “e pakënaqur” prej programit të PD-së për çështje të ndonjë prone, për ndonjë interes të tyre vetjak të papërfillur a diçka tjetër kësisoj, ku mund të përfshihet edhe mosbesimi, them se përqindja e tyre në elektorat s’duhet të ngrejë shumë peshë, në mos qoftë e papërfillshme. Madje, e shumta që mund të bëjë kjo kategori e elektoratit, është mospjesëmarrja në votim, siç ka ndodhur në edicione të ndryshme zgjedhjesh. Ama është e paimagjinueshme që kjo kategori të zgjohet papritur e të hidhet drejtpërdrejt në zgjedhje, duke braktisur heshtjen disavjeçare që ia ka nxitur bash mosbesimi. Edhe sikur të ndodhte e kundërta, kush do t’i siguronte kuqezinjtë e çakorduar se kjo kategori do të shkonte pas Topit, kur ky ka qenë prej vitesh një ndër personalitetet e spikatura të PD-së? Mbetet, më në fund, edhe një kategori tjetër njerëzish që duhet marrë në konsideratë. Këta, ndonëse deri më sot PD-istë, janë gati “ta dredhin” për interesa klanore ose që lidhen drejtpërdrejt me funksionet e hëpërhëshme të Presidentit në largim ose të besnikëve të tij në Presidencë, në Këshillin e Lartë të Drejtësisë a në institucione të tjera ku gjallojnë njerëz të vendosur ose të përkrahur prej tij.
Gjithsesi, u duhet besuar atyre që, qysh herët, e kanë pagëzuar “partiçkë” atë çka do të dalë prej lëvizjes “Kuq e Zi”. Kështu që, për foshnjën e pritshme, fati më i madh do të ishte mbijetesa përkrah partiçkave simotra të Gjinushit, të Milos, të Ndokës, të Ngjelës etj. të cilat po e shohin Parlamenti me dylbi, duke matur pulsin e Ramës për reformën zgjedhore dhe duke iu lutur Zotit të bien dardha prej qielli.