E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuqezinjtë, një lëvizje pa motiv

Share

Nga Namir Lapardhaja

Vetëm një ditë më parë, nëpërmjet drejtorit të saj ekzekutiv, Aleanca Kuq e Zi kërkoi unifikimin e kampionatit shqiptar të futbollit me atë kosovar, duke dhënë propozime dhe rekomandime konkrete se si mund të arrihet një marrëveshje midis dy federatave. Kjo deklaratë vjen në vazhdën e ideve që ka hedhur Aleanca Kuq e Zi, e cila shumë shpejt pritet të bëhet parti politike (si për të mos i mjaftuar shqiptarëve ato 50 e ca parti që kanë deri më sot i paçim me kimet), që prej krijimit të saj, prej të cilave mund të përmendim atë një komb, një pasaportë ose atë që vetë kryetari i kësaj lëvizjeje, z. Kreshnik Spahiu, artikuloi kundër toponimeve sllave, greke dhe atyre osmane.

Shqipëria në ditët e sotme ka shumë problematika dhe sfida, të cilat kërkojnë impenjimin e të gjithë klasës sonë politike për ti dhënë zgjidhje. Kuptohet që sfida më e rëndësishme është ajo e marrjes së statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian, gjë që iu refuzua vendit dy herë radhazi. Po ashtu, marrja e masave për shmangien e krizës ekonomike, që ka përfshirë sot shumë vende të rëndësishme të Evropës, është një tjetër prioritet që kërkon zgjidhje të menjëhershme. Për të vijuar me atë që është më e rëndësishmja në një vend demokratik dhe perëndimor, e që është forcimi i shtetit ligjor, i institucioneve të pavarura, reforma në drejtësi etj.

Deri më sot Aleanca Kuq e Zi nuk ka artikuluar asnjë prej këtyre përparësive për vendin, të cilat i janë lënë Shqipërisë detyra shtëpie nga Bashkimi Evropian dhe institucionet e tjera ndërkombëtare, gjë që e bën këtë një lëvizje pa motiv të qartë, të kompromentueshme dhe lehtësisht të qortueshme.

E themi pa motiv të qartë, edhe pse është e nënkuptueshme se kush fshihet në të vërtetë pas saj, mirëpo motivi do të ishte i qartë nëse kjo lëvizje do të kishte sjellë në diskursin e politikës shqiptare risi përsa i përket debatit të politikës ditore, gjë që nuk ka ndodhur, të paktën deri më tani. Po ashtu, kjo lëvizje është e kompromentueshme, kur dihet tanimë se drejtuesi aktual i kësaj lëvizjeje, që drejton një institucion mjaft të rëndësishëm, siç është Këshilli i Lartë i Drejtësisë, institucion që ka peshën kryesore për reformën në drejtësi, ka lënë punët e shtetit dhe merret me punët e lëvizjes-parti, duke shkelur në mënyrë flagrante besueshmërinë e qytetarëve tek institucionet e pavarura të këtij vendi. Të gjitha këto bëjnë që lëvizja të jetë e qortueshme deri në zanafillë të saj.

Edhe një lëvizje si Mjafti, shumë shpresëdhënëse në fillimet e saj si pjesë e shoqërisë civile artikuloi dhe hodhi në tregun shqiptar disa ide dhe nisma konkrete, të qarta dhe me impakt të drejtpërdrejtë në ecurinë e punëve të vendit.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›