Fundi i mbikqyrjes, Obama: Arritje historike

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, ka “mirëpritur dhe mbështetur fuqishëm vendimin e Grupit Drejtues Ndërkombëtar se mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës i ka ardhur fundi”.Në një njoftim të lëshuar për mediat, Presidenti amerikan citohet të ketë thënë se “pas pothuajse katër vite e gjysmë, përmbushja e provizioneve të Planit Gjithëpërfshirës është arritje madhore për të gjithë qytetarët e Kosovës”.
“Me optimizmin, energjinë dhe vendosmërinë karakteristike të popullit të saj, Kosova ka arritur përparim thelbësor në fuqizimin e pavarësisë dhe në ndërtimin e institucioneve të një shteti modern, shumëkombësh, përfshirës dhe demokratik”, ka thënë presidenti Obama.
Ka ende punë për t`u bërë, ndërkohë që liderët e Kosovës tani marrin përsipër përgjegjësinë e pilotë për të siguruar se parimet e deklaratës së pavarësisë dhe kushtetutës zbatohen për çdo qytetar” është shprehur më tej ai.
“Kosova gjithashtu duhet të vazhdojë të angazhohet në mënyrë konstruktive me fqinjët e saj dhe të punojë në zgjidhjen e çështjeve të hapura, veçanërisht ato në raport me Serbinë.Një gjë e këtillë nënkupton fuqizimin e pavarësisë së Kosovës, sovranitetit dhe tërësisë së saj territoriale dhe do të shërbejë për të promovuar stabilitetin, mbi të cilin varen prospektet euro-atlantike në rajon”, citohet të ketë thënë Presidenti amerikan.
“Në emër të popullit amerikan, uroj qeverinë, parlamentin dhe popullin e Kosovës për këtë arritje historike, me të cilën Kosova ndërmerr edhe një hap të rëndësishëm drejt vendit që i takon, në një Evropë të lirë, të tërësishme dhe paqësore” përfundon deklarata e presidentit amerikan, Barak Obama.