Seanca solemne, Ahtisari: Plani im utopik, sot fakt

Kuvendi i Kosovës mbajti një seancë solemne në nder të përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës. Deputetë kosovarë dhe të ftuar nderi morën pjesë në seancë, ndërkohë që Lëvizja Vetëvendosje ashtu siç kishte paralajmëruar, bojkotoi pasi përmes një deklarate për mediat e etiketoi fundin e mbikëqyrjes si "farsë".
Marti Ahtisari, i cili më 26 mars të vitit 2007 përgatiti dokumentin për pavarësinë e Kosovës gjatë fjalës së tij përshëndetëse në Kuvend, deklaroi se plani i tij i cili në fillim shihej si utopi, tashmë është fakt për Kosovën. Ahtisari vlerësoi fundin e mbikëqyrjes si përfundimin dhe fillimin e një rrugë të gjatë.
"Qëndroj këtu për të festuar përfundimin e një rrugëtimi të gjatë. Jam gjithashtu duke shënuar fillimin e një tjetri. 5 vite më parë ju kam dhënë materialin tim për një zgjidhje gjithëpërfshirëse. Ky dokument propozimi gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës që historia e emërtoi si Plani i Ahtisarit, ka qënë punë e mundimshme e diplomatëve të njohur dhe ekspertëve ligjor ndërkombëtar. Kur bëra planin e dija që ky është fillim i vështirë, mendoj se suksesi që kemi parë është i konsiderueshem. Sikur të ofroja në letrën tim jo vetëm një dokument, por një përshkrim, sikur tju thoja ne letër se është qeveria e Kosovës që ofron shërbime publike, mendoj se sikur atë kohë të përshkruaja atë që shohim sot asokohe ky plan do të shihej si otupi, por kjo fantazi është bëtë fakt",- deklaroi Ahtisari.
Nga ana tjetër Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi në hapjen e seancës duke uruar përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur, e vlerësoi atë si një ditë të shënuar që i takon qytetarëve të Kosovës dhe miqve ndërkombëtarë.
Feith gjatë fjalës së tij përshëndeti të gjithë bashkëpunëtorët. "Ju do ngeleni në zemrën time",- tha në gjuhën shqipe Feith" duke shtuar " përshëndes të gjithë personat me të cilët kam punuar, ka qenë privilegj që të punoj me të gjithë ju. Pa mbështetjen e këtij ekipi nuk do ja kishim dalë mbanë".
" Mbikëqyrja e Kosovës është përfunduar. Shpresoj se njohja ime e gjuhës shqipe ka përparuar dhe e keni kuptuar se cfarë thashë",- deklaroi Feith në konferencën për shtyp, ku krah tij ishte kryeministri i Hashim Thaci.
Feith në ditën e fundit të mandatit në Kosovë, vlerësoi se GND ka mbetur e kënaqur nga plani i Ahtisarit si dhe hapat e ndërmarra nga qeveria e Kosovës. Ndërkohë, inkurajoi që vend të ecë përpara drejt rrugëtimit Europian.
"Mendoj se GND është i kënaqur se plani i Ahtisarit shtë zbatuar. Grupi ka vënë re se qeveria ka ecur përpara. Grupi ka vënë re se qeveria gjatë muajve të kaluar ka ndërmarrë një numër vendimesh të rëndësishme që e ka nënvizuar nevojën e saj për një Kosovë shumetnike. Këto janë hapa të rëndësishme dhe mundësojnë që Kosova të ecë përpara drejt rrugëtimit e saj Europian dhe në vijimin e reformave që Kosova një ditë të aspirojë në BE",- deklaroi Feith duke shprehur mbështetjen e përhershme të SHBA.
"Mendoj se Kosova ka bërë përparim të madh, jam i lumtur që po e përfundoj mandatin tim në Kosovë. Ju uroj tërë lumturi ne jetët tuja",- tha Feith.
Feith pranoi si dështim të misionin të tij, cështjen e veriut të Kosovës, duke shtuar se nuk është i gatshëm të shpjegojë si ndodhi, pasi një gjë e tillë kërkon shumë kohë.
Ndërsa Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se kjo ditë, është ditë e shënuar për popullin e Kosovës.
“Republika e Kosovës, shtet sovran dhe i pavarur, është rezultat i përpjekjeve shekullore të popullit tonë për liri, pavarësi e demokraci, për të cilën sakrifikuan shumë breza, që u përjetësua me luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të komandantit legjendar Adem Jashari, të bijve dhe bijave më të mira të popullit tonë, në lëvizjen për pavarësi të ideuar dhe të udhëhequr nga Presidenti historik, dr. Ibrahim Rugova, në përkrahjen e fuqishme ndërkombëtare, të intervenimit humanitar të NATO-s, të ndihmës së vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të vendeve të Bashkimit Evropian”, theksoi Jahjaga.