Fundi po afrohet

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola ka theksuar se mund të largohet nga klubi pas skadimit të kontratës së tij në verën e vitit të ardhshëm. Guardiola mori drejtimin e gjigantit katalon në verë 2008 dhe deri më tani ka arritur rezultate të shkëlqyeshme në Nou Camp. Në shkurt, ai nënshkroi kontratë të re njëvjeçare që e mban atë në Barcelonë deri në fund të sezonit të ardhshëm.
40-vjeçari ka dhënë indikacione të fuqishme se do të vendosë të largohet në fund të marrëveshjes aktuale. “Mendoj se koha ime në Barcelonë është duke përfunduar. Ndihem mirë këtu, por kur jeni në një klub si ky, nuk mund të qëndroni për një kohë të gjatë. Viti i ardhshëm do të jetë sezoni im i katërt i njëpasnjëshëm si trajner i Barcelonës. Një klub i këtillë duhet të ketë guxim të madh të mbajë një trajner për kaq gjatë, sepse futbollistët lodhen prej trajnerëve dhe anasjelltas. Të gjithë duhet të dinë se kur është koha e duhur të largohen, siç kam dëgjuar gjithmonë edhe gjatë kohës sa isha futbollist”, tha Guardiola për televizionin italian, Rai.
I pyetur nëse një ditë mund të angazhohet në Itali, ish-mesfushori i Brescias dhe Romës shtoi:
“Do të vij nëse ende dua të punoj si trajner. Nevojitet entuziazëm, por edhe më tepër për të marrë vendime të tilla”, përfundoi ai.
Prej kur mori drejtimin e Barcelonës e deri më tani, Guardiola fitoi tetë tituj, duke përfshirë La Ligën, Ligën e Kampionëve, Copa del Rey, Superkupën e Spanjës, Superkupën e Evropës si dhe Kampionatin botëror të klubeve në sezonin e tij të parë si trajner në Nou Camp.
Ndërsa në atë të dytin mbrojti titullin në La Liga, triumfoi edhe në Superkupën e Spanjës. Barcelona aktualisht është lidere në La Liga, ndërsa ka kaluar në finale të Copa del Rey, ku do të takohet me rivalin e përhershëm, Real Madrid më 20 prill në stadiumin Mestalla. Gjiganti katalan është kualifikuar për në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, ku me 12 prill zhvillojnë ndeshjen e parë në udhëtim te kampioni i Ukrainës, Shakhtar Donetsk.