Rooney ‘harron’ het-trikun, lëvdon zëvendësuesit
Wayne Rooney mendon se zëvendësimet e Manchester Unitedit e bënë dallimin pasi het-triku i tij i ndihmoi skuadrës të mposhtë West Hamin 4-2. Manchester United dukej se kishte hapur derën për përcjellësit e tij, Arsenalin dhe Chelsean, kur mbrojtja e tij u shkri duke u dhuruar vendasve dy penallti, të cilat i realizoi Mark Noble në pjesën e parë. Por, lideri i Premierligës u shpërblye për angazhimin e tyre në pjesën e dytë. Rooney e filloi rikthimin 25 minuta para fundit, ndërsa brenda 14 minutave shënoi het-trik para se zëvendësuesi Javier Hernandez të sigurojë pikët e plota për ekipin e Sir Alex Fergusonit.
“Berbatov ishte fantastik për ne duke mbajtur topin dhe krijuar raste”, tha Rooney për Sky Sports. “Zëvendësimet ishin zëvendësime të mira dhe ata na e fituan ndeshjen”, u shpreh ai. Rikthimi sensacional ndihmoi Manchester Unitedin në luftë drejt titullit të kampionit në Premierligë, ndërsa West Hamin e dërgoi në zonën e rrezikuar.