Fundoset një anije me refugjatë kubanë

Një mjet i vogël lundrues, me të cilin udhëtonin 23 refugjatë kubanë, është mbytur në përpjekje për të arritur ishullin meksikan në afërsi të vendit të njohur turistik të Kankunit.
Dy persona kanë vdekur dhe 11 të tjerë konsiderohen të humbur, por që dyshohet të kenë vdekur. Të mbijetuarit u thanë medieve meksikane se varka artizanale u mbyt, pasi goditi disa shkëmbinj nënujorë rreth ishullit Mujeres.
Refugjatët thanë se ishin drejtuar për në Meksikë, me shpresën se më pas do të kalonin tek të afërmit e tyre në Shtetet e Bashkuara. Ngjarja ndodhi rreth 150 metra larg ishullit Mujeres, një zonë e njohur kjo për rrymat e fuqishme detare, ka deklaruar marina meksikane.
Dhjetë refugjatë kubanë arritën të notonin deri në breg. Por ata thanë se të tjerë u rrëmbyen nga rrymat dhe u lënduan rëndë, pasi shtyheshin drejt shkëmbinjve nga dallgët e mëdha. Mes tyre nuk kishte asnjë fëmijë.