E Diel, 1 Nëntor 2026

Fundvit- Tirana mes dritave, zbukurimeve dhe zhurmës së festave

Tiranë- Si do ta cilësonit  atmosferën festive në këtë vigjilje krishtlindjesh?

Të ndriçuar, të zhurmshme dhe me shumë trafik- kështu shprehet një kryeqytetase për gazetën IDEA. Në xhiron tonë vëzhguese nëpër qëndrën e Tiranës, vumë re se dritat, ngjyrat dhe Fshati i festave të fundvitit nuk janë i vetmi element i këtij prag fundviti. Dekorit festiv kanë zgjedhur t’i bashkohen fotografët amator që kanë pushtuar prej ditësh qëndrën e qytetit si dhe makinat e shumta luksoze të mbërritura së fundi, simbolizol i ardhjes së emigrantëve për të kaluar festat pranë familjeve të tyre.

Në 6 dhjetor kryebashkiaku Lulzim Basha çeli siparin festiv në kryeqytet duke  ndezur  dritat e pemës së vendosur në Sheshin Skënderbej dhe dritat e dekorit të vendosur përgjatë Bulevardit Dëshmorët e Kombit.

Kryebashkiaku i ri, në  vigjilje te festave të fundvitit, ka treguar një frymë pro-festive të dukshme. Dhe meqë Babagjyshi  i 2011-tës ia plotësoi “dëshirën” për të qënë në  postin e Bashkisë së Tiranës, Basha ka vendosur të jetë ai Babagjyshi i 2012-tës, për fëmijët  e kryeqytetit, duke shpërndarë dhurata nëpër çerdhet dhe kopshtet e kryeqytetit.

Të pyetur nga gazeta jonë se si u duken zbukurimet këtë vit, pjesa më e madhe  e qytetarëve bien në një mendje që kryeqyteti këtë vit është më bukur i zbukuruar.

Një grup adoleshentesh nga Fieri që kishin ardhur në ekskursion më rastin e festave u shprehën : Kemi qënë edhe vitin tjetër në Tiranë për Vit të Ri, por zbukurimet këtë vit as që krahasohen më vitin tjetër. Eshtë shumë herë më bukur.

Ato nuk nguruan të flisnin më entuziazëm edhe për qytezën e festave të fundvitit.

Aty kemi kaluar gjithë paraditen, u kënaqëm shumë, dhe blemë një tufë me dhurata.

E famshmja “Qytezë e festave të fundvitit” ka ngjallur interesin jo vetëm të kryeqytetasve por edhe qytetarëve nga rrethet që kanë ardhur në Tiranë për festa. E shtrirë përgjatë rrugës pedonale Murat Toptani dhe e mbushur me shtëpiza të vogla prej druri dhe të stolisura me zbukurime shumëngjyrëshe nuk është thjesht një risi interesante për banorët e Tiranës, dhe jo vetëm.

Prej ditësh ajo është kthyer në një hapësirë multi-funksionale ku mund të hash, të pish, të blesh produkte ushqimore që nga vera e deri te produktet e detit, të blesh dhurata, lodra apo zbukurime për pemën e shtëpisë. Admiruesit më të mëdhenj të Qytezës së Fundvitit? Padyshim fëmijët. Kryeqytetasit aq shpejt janë familjarizuar me këtë praktikë që është zakon për kryqytetet botërore, saqë frazën Do ikim për kafe? e kanë zëvendësuar këto ditë me një zhargon të ri trendi Do ikim për qofte nga fshati?.

Kështu na tregoi një nga gjimnazistët e Ismail Qemalit, i cili kishte zgjedhur qytezën për të darkuar më shoqërinë. Por përtej entuziazmit siperfaqësor adoleshent, kishte edhe nga ato që e shihnin më me skepticizëm gjithë atmosferën dekorative të qytetit.

Na kanë kushtuar shumë para këto lajle-lule. Viti i ri si me drita si pa drita do vijë që do vijë, ne kemi nevoja me urgjente se zbukurimi i kryqytetit me këtë gjuhë u shpreh një zotëri, i cili dukej tej mase i bezdisur nga zënia  e pedonales nga shtëpizat prej druri.

Eshtë bërë si pazar Korçe këtu. Tirana ka zhurmë dhe rrëmujë boll, nuk ishte nevoja për ca më tepër.  Bezdisjen dhe dyshimin për buxhetin me të cilin është zbukuruar Tirana këtë vit, e hasëm edhe ne disa biseda të tjera me qytetarët. Sipas tyre gjithë këto shpenzime janë parat e marrë nga taksat e tyre. Z. Basha i kishte paraprirë diskutimeve duke deklaruar ditën e inagurimit të Qytezës së Festave të Fundvitit, se ajo është një projekt i Iceberg Communication dhe se dekori i Tiranës është mundësuar nga paratë e dhëna nga biznesi dhe jo nga paratë e taksave të qëtetarëve.

Megjithatë thashethemnaja mbi shpenzimet, zbehej përballë zhurmës së hareshme të atmosferës festive që ngjallte kjo qytezë, ku kishte diçka për të gjithë dhe ku agjentët e marketingut në terren kishin gjetur parajsën e momentit për të shpërndarë fletushkat e tyre. Sigurisht nuk mungonte piktori i gatshëm për të hedhur në tablo atmosferën.

U larguam nga Qyteza e Festave të Fundvitit me një tufë fletushkash në duar, duke mbajtur era peshk dhe era qofte. Vijuam vëzhgimin e atmosferës drejt Bulevardit Dëshmorët e Kombit, i gjithi i ndriçuar deri tek sheshi Nënë Tereza. Po ashtu të vezulluara edhe institucionet në dy anët e bulevardit. Nga përpunimi jo profesional i përgjjeve të qytetarëve lidhur me preferencat e tyre mbi godinën më bukur të zbukuruar japim më poshtë top listën e 10 objekteve:

  1. Bulevardi Dëshmorët e Kombit
  2. Kulla e Sahatit
  3. Pema e madhe e krishtlindjeve në Sheshin Skëndërbej
  4. ETC
  5. Kryministria
  6. Qyteza E fundvitit
  7. Bashkia e Tiranës
  8. Presidenca
  9. Bulevardi Zhan D`Ark
  10. Kuvendi

Ndërkohë rezulton unanimisht e cilësuar si më keq e zbukuruara, Piramida, e lënë pa ndriçuar dhe e dënuar të mos festojë këtë fundvit. E kush më mirë mund të na jepte një ide rreth atmosferës festive se një zonjë që kthehej në Shqipëri për festa pas 17 vitesh, nga Shtetet e Bashkuar të Amerikës.

Atmosfera më pëlqen shumë dhe dekori është goxha i bukur. Sigurisht që në New York ku jetoj unë, zbukurimet janë madhështore. Atje zbukurohet çdo cep i qytetit- na rrëfeu ajo dhe më tej vijoi : Megjithatë unë kam ardhur në Shqipëri me idenë për të patur festat më të mira të 17 viteve, pranë familjes gjithçka ëshët e bukur. Me drita pa drita, ne shqiptarët e kemi në gjak të festojmë e të bëjmë qejf.

Për kryeqytetasit e rrethuar nga dritat dhe zbukurimet, Krishlindjet e kanë derën të hapur. Për banorët e bllokuar nga dëbora në skajët e larta të vendit, që vuajnë mungesën totale të energjisë elektrike, nuk mund të thuhet e njejta gjë. Megjithatë për të gjithë shqiptarët Gazeta IDEA uron: Gezuar Festat!

Matilda Alku/IDEA

PEME A KRYEMINISTRIA SKENDERBEU SAHATI PEME SHESHI

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›