Fundviti, sa shpërblehen mjekët

Formula e ISKSH-së bazohet në realizimin e treguesve të cilësisë dhe performancës
Bluzat e bardha këtë fundvit do të marrin nga 10 mijë lekë të reja deri në një pagë shpërblim. Bashkë me ta edhe pjesa tjetër e personelit, ku bëjnë pjesë sanitaret e infermieret, që do të përfitojnë këto para që do të shpërndahen brenda këtij muaji. Shpërblimi i fundvitit për stafin mjekësor të parësorit është ende duke u përllogaritur. Edhe këtë vit burime pranë Institutit të Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor bëjnë me dije se shpërblimi nuk do të jetë një shumë fikse e përcaktuar, por pikërisht bazuar në punën e kryer dhe shërbimin e ofruar ndaj pacientëve.
Shpërblimi
Sipas të dhënave, rezulton se shpërblimi në këtë fundvit është deri në një pagë mujore për mjekët dhe stafin tjetër. Bazuar në performancën e realizuar nga qendrat shëndetësore, ISKSH do të shpërblejë të gjithë punonjësit e këtyre qendrave. Ky shpërblim bazohet në 10% shtesë për performancë dhe 5% shtesë për cilësinë e shërbimit (bonusi).
Brenda pak ditësh do të zbardhet zyrtarisht masa e përfitimit, ndërkohë që mësohet se përllogaritja e shpërblimit do të bëhet bazuar mbi performancën individuale. Kjo mënyrë është kryefjala e përllogaritjes së mjekëve. Kështu, bluzat e bardha përfitojnë shpërblim duke marrë parasysh ngarkesën në punë e cila përfshin numrin e vizitave të kryer në ditë.
Që prej nisjes së reformës në shërbimin shëndetësor parësor, mjekët e familjes paguhen 85% pagesë bazë, 10% për performancë (ku futet numri i vizitave që kryejnë në ditë) dhe 5% bonus, i cili lidhet me plotësimin e treguesve të cilësisë siç është ndjekja e të sëmurëve kronikë, personat e vizituar për herë të parë, vaksinimi i fëmijëve.
Stafi
Sipas përllogaritjeve të Institutit të Sigurimeve dhe kujdesit Shëndetësor, pritet të përfitojnë nga shpërblimet rreth 9350 punonjës të poliklinikave, nga të cilët rreth 2 mijë mjekë familjeje dhe specialistë, 6600 infermierë dhe 750 punonjës të tjerë (sanitare, shoferë, ekonomistë).
Vlerësimi i performancës do të bëhet edhe për stafin infermieror. Një tjetër skemë që përdor Institutit i Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor për dhënien e masës së shpërblimit, vlerësohet edhe performanca e qendrës shëndetësore në tërësi, ku merret parasysh edhe treguesit e cilësisë, pra realizimi i bonusit. Shpërblimet e ISKSH-së ndahen sipas rajoneve, madje për shumë punonjës rezultojnë të përfitojnë shpërblim deri në një pagë mujore.