E Shtunë, 31 Tetor 2026

Has, shembnin shtëpinë, tavani i zë poshtë

Rrëzimi i provokuar i tavanit të një shtëpie të vjetër ka zënë poshtë saj dy persona, njërit prej të cilëve, Sali Dauti, 58 vjeç, ka gjetur vdekjen e menjëhershme, nga goditja e fortë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mesditën e djeshme, në fshatin Golaj të rrethit të Hasit, kur dy persona po shembnin banesat e vjetra për të përfituar hekur e materiale të tjera ndërtimi. Burime zyrtare të policisë lokale kanë bërë të ditur se ngjarja e rëndë ka ndodhur orës 14:00, kur në afërsi të pusit të ish-minierës së Golajt, ku ndodheshin disa ndërtesa të vjetra, dy banorë të fshatit, të afërm me njëri-tjetrin, po punonin për të nxjerrë materiale, të cilat do t’i shisnin më vonë. Por, gjatë punës është shembur tavani, duke i zënë poshtë. Si pasojë, 58-vjeçari ka humbur jetën nga pesha e madhe që e ka zënë poshtë, ndërsa i afërmi i tij, Ymerli Dauti, 33 vjeç, ka mbetur i plagosur. Kanë qenë të afërm të tyre, të cilët ndodheshin aty pranë, e kanë nxjerrë 33-vjeçarin dhe menjëherë është transportuar drejt spitalit civil të qytetit të Kukësit. Burime nga ky spital bëjnë të ditur se aktualisht 33-vjeçari Ymerli Dauti është jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, që po hetojnë në lidhje me ngjarjen, ndërsa paraprakisht mendohet se ngjarja aksidentale është pasojë e punës jashtë të gjitha kushteve teknike që banorët e këtij fshati ushtrojnë në ish-sektorin e minierës që ndodhet në afërsi të fshatit

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›