E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshillim karriere nga ekspertë për maturantët

Nuk do të jenë më mësuesit që do të kryejnë këshillimin e karrierës përpara se maturantët të zgjedhin shkollën që do të vazhdojnë

Të gjithë maturantët që do të japin provimet e Maturës Shtetërore vitin e ardhshëm do të këshillohen nga specialistë, për fushat në të cilat janë më të aftë. Këshillimi i karrierës, tashmë nga specialistë dhe jo nga mësues, është risia më e fundit që do t’i shtohet Maturës Shtetërore, ku studentët do të zgjedhin degët ku do të aplikojnë, pasi të matin aftësitë e tyre në fushat përkatëse. Ndërkohë, do të mundësohet edhe kryerja e vizitave të gjimnazistëve në orë mësimore në universitete. Në këtë mënyrë, ata do të mund të shohin nga afër se si është jeta universitare dhe se si zhvillohet mësimi për secilën nga degët, ku ata kanë dëshirë të aplikojnë. Lajmi u bë i ditur dje për gazetën nga burime nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës.

Sipas burimeve, prej vitit të ardhshëm, maturantët do të marrin një informim të plotë, jo vetëm për sa i përket vetë maturës, por edhe për mënyrën se si ata do të mund të përdorin më mirë njohuritë e tyre.

“Kjo është një nga pikat kyçe për një vendim personal të informuar të çdo maturanti, e që duhet të merret në bazë të një informim të plotë, me anën e disa mekanizmave, siç janë këshillimi i karrierës, “ditët e gjimnazistëve në universitet”, nisma këto që duhet t’i zhvillojmë duke filluar nga ky vit”, - thanë burimet nga MASH.

Në këtë mënyrë, psikologët, sociologët dhe specialistë të tjerë të këshillimit të karrierës do të japin mendimin e tyre për secilin prej maturantëve, për fushat ku ata janë më të aftë. Kjo, sipas specialistëve, do të mënjanonte aplikimin e maturantëve në degë, ku nuk kanë prirje apo njohuri bazë.

Specialistët shprehen se shpeshherë studentët në vitet e para janë të papërgatitur për ata që do të gjejnë në universitet. Ndërkohë që një degë që u duket e përshtatshme për ta pa u futur në mësim, del se është krejt e kundërta.

Për të shmangur këtë fenomen do të mundësohet kryerja e vizitave të gjimnazistëve në orë mësimore në universitete. Në këtë mënyrë, ata do të mund të shohin nga afër se si është jeta universitare dhe se si zhvillohet mësimi për secilën nga degët ku ata kanë dëshirë të aplikojnë.

“Ne e dimë se testimi për njohuritë, veçanërisht në disa lëndë e sidomos kur janë me alternativa, e kufizojnë diagnozën e personalitetit të nxënësit dhe rrezikojnë kështu ngushtimin e misionit të shkollës. Është detyrë e AVA-s, ndër të tjera, që të analizojnë rrugë moderne të testimit për të vlerësuar mendimin kritik, aftësitë krijuese dhe rezultate të tjera që nxënësit duhet t’i kenë të zhvilluara në përfundim të shkollës së mesme”, - u shprehën specialistët.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›