E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arbri po na vëzhgon

Dy intelektualë që pretendojnë lirinë në sjellje e zgjedhje të rrezikshme në dramën “Striptiz” të mjeshtrit polak të satirës absurde, Slavomir Mrozhek, nën regjinë e Arbër Jakllarit. Censura e shtypja në një surrealizëm të ri, nga Polonia e viteve ‘60 në Shqipërinë e sotme, hendeku i lirisë së munguar nga diktatura, morali i sotëm pas një përvojë të hidhur politike, siç ishte komunizmi. Çfarë ka mbetur nga kjo e shkuar në imazhin e një regjisori të ri për perceptimin intelektual sot; racionalizëm e demoralizim

Gjithmonë bëhet pyetja se çfarë e shqetëson një regjisor kur përzgjedh një vepër për ta vënë në skenë - kur zakonisht gjuha bëhet politike! Këtu në Shqipëri zor të na dalë ndonjë regjisor që ta zgjojë arsyen e tij, si fjala vjen, të flasë për lirinë ashtu siç e ndien apo për politikën siç i do mushka drutë! Prandaj jemi të detyruar shpesh të kthehemi: a kemi krijues të lirë të teatrit, që të mos u reshtë mendimi pa i rënë shkurt, kërkimit në Google! Të mos përmendet pastaj mendësia, drita që mungon e kurrë nuk na sjell psikologjinë reale. Megjithatë, ngjarjet, ato që ndodhin dhe bëjnë përshtypje, mbijnë jo nga e papritura, por nga të qenit rebel, kundërshtar, kërkues, syçelur, vizionar në një realitet si ky yni mes një të kaluare politike e të sotmes - si çështje lirie intelektuale.

Ndoshta është herët të themi se regjisori i ri, student në Akademinë e Arteve, Arbër Jakllari, po nxit këtë provokim. Por, në fakt, është koha e duhur për të marrë vesh se çfarë ndodh në prirjen e një regjisori për të gjetur shtigje të lira, liri, të vërteta që cenojnë edhe politikisht sot. Një natë më parë, në sallën “Black box” në Akademinë e Arteve, Jakllari tentoi të shfaqte për një publik të ri, pothuaj bashkëmoshatar, ndjesitë që shkakton liria, kur ajo merret me forcë, qoftë pragmatistëve apo dhe atyre që e “fshehin së brendshmi”. Duken situata të rrezikshme, provokuese kur imponohet sjellja dhe zgjedhja e karakterit, prandaj në këtë moment, guximi i Jakllarit, siç edhe duket, është te zgjedhja e veprës së dramaturgut të njohur polak, Slavomir Mrozhek.

Është një nga veprat më racionale të Mrozhekut “Striptiz”, e shkruar më ‘61, pasi ka kaluar një përvojë totalitare Polonia, e ky autor 20-vjeçar ishte gati të pranonte çdo gjë pa kontroll, mjaft të ishte revolucionare. Megjithatë, udhëtimi i shkrimtarit të ri, nga besimi në skepticizmin ndaj sistemit komunist dhe refuzimit përfundimtar i dha përvojë personale për të vepruar.

Prej këtu kuptojmë pse bëhen zgjedhjet, edhe pse regjisori i ri Jakllari ka prirjen e një arsyeje të lirë, transformuese në teatër. Një histori të tillë guximi e kemi lexuar, pothuaj një vit më parë, kur na dha një version të “Prometeut të lidhur”, vargje të përshtatura prej tij për të kuptuar si ka evoluar njeriu, qytetërimi, çfarë sakrificash hyjnore u bënë për të çliruar arsyen njerëzore!

Nga një botë e nëndheshme, pak e kuptueshme, prej një eksploruesi dhe dalja metafizike në një sistem robërues, siç është regjimi totalitar - nuk duken eksperimente të rastësishme për regjisorin e ri. Shfaqja “Striptiz”, përkthyer nga Kastriot Çipi - i përzgjedhur mes gjashtë projekteve në programin “Qyteti i Arteve” në Fakultetin e Artit Skenik, propozuar nga studentët e Dramës -shqetësimet politike bëhen morale.

Me dy aktorë profesionistë: Alert Çeloaliaj, një aktivist që rebelimin e sheh si kërkesë lirie, duke pretenduar të jetë i lirë dhe Neritan Liçaj, një intelektual që lufton për lirinë e vërtetë - teatri i Jakllarit ishte racional.

Dy burrat hyjnë në një “cilindër” prej rrjeti në mënyrë misterioze. E errëta që mbështjell rrethin, dhomën ku u gjendën një intelektual dhe një aktivist, është lajmërim për situatën. Dy burrat që rrinë një kohë të gjatë brenda një dhome, i urdhërojnë të zhvishen dhe të kërcejnë.

Dora gjigande u jep urdhrat që krijon sa absurdin, por dhe ironinë; një dorë e mbinatyrshme që u heq rrobat, i zhvesh ata të dy edhe moralisht, derisa i prangos dhe u vë kapuçin mbi kokë, duke ua mbyllur sytë përfundimisht.

Mrozhek i vë në lojë dy burrat, ndërsa rreken të thonë se sa të lirë janë. Ky dramaturg ka fituar një reputacion në Evropë dhe njihet si mjeshtër i satirës moderne e pothuaj në gjithë krijimtarinë e tij shqetësimet politike zënë vend.

Tensioni i burrave te “Striptiz”, domethënë i aktorëve, duhej të ishte më në kontroll të regjisorit, për shkak që procesi i dhunimit psikologjik, që rreh vepra të mos kishte shumë britma, por të ishin thellësisht rebelim për njërin e arsye shpirtërore për tjetrin. Megjithatë, dy aktorët e vuajtën psikologjikisht mungesën e lirisë - që si duket, mbetet edhe kjo pika më e fortë e regjisorit, për shkaqe të lidhura me realitetin tonë.

Improvizimi i një burgu të papritur, paralajmërimi i kësaj rrezikshmërie të madhe që kushtëzon zgjedhjen e sjelljes sonë, bëjnë të kuptohet e kaluara - që mund ta përkthejmë si alibi kundërshtuese pse vuajtën shqiptarët aq gjatë në izolim e terror.

Zgjedhja e Jakllarit mbi këtë vepër që duket në fazë çlirimi edhe për vetë Mrozhekun, më shumë si vëzhgime psikologjike, dhe jo aq arsye denoncimi, ka koherencë.

Fakti që vetë teatri ynë nuk ndihet i çliruar nga klishetë skematike të post-komunizmit, se “një dorë” misterioze e mban ende lirinë peng - duket si nënvetëdije e Jakllarit. Mrozhekun, pikërisht zbulimi i mekanizmave totalitarë, duke depërtuar në psikologji, e bëri të njohur ndërkombëtarisht.

Një shfaqje njëorëshe, që nuk kufizohet brenda kësaj kohe për shkak të dinamikës psikologjike, zbulon dy vullnete të kundërta nën të njëjtën përcaktim. Në “Striptiz”, njëri intelektual beson se vullneti i tij i lirë ruhet mirë nga mosveprimi, ndërsa aktivisti është i përgatitur për të protestuar, pa marrë parasysh koston, vetëm e vetëm për të mbrojtur vullnetin e tij. Dorëzimi i tyre është i njëjtë, demoralizues; të dy të detyruar përfundimisht për të hequr dorë nga liria e tyre. Gati asnjë mesazh, asnjë filozofi, si fenomene të papërcaktuara në absurd. Lëvizja e Jakllarit në një formë tjetër të shprehjes në një teatër absurd, modern kuptohet në këtë fazë jo si ekzistencë, por si mënyrë për të ankoruar vizionin e tij; mes kundërshtimit “të vjetër” dhe “të ri”, si peng. Surealizmi është tipike e Mrozhekut dhe “heqja qafe” e dy intelektualëve, duke humbur në një inskenim të zi, plot mundime, është zgjedhje e regjisorit të ri, prej të cilit ruhet me fanatizëm, racionalizmi. Nëse Mrozhek satirizon absurdin e censurës, shtypjes që u përhap në Poloninë komuniste, studentin Jakllari e gjejmë në moshën 20-vjeçare të dramaturgut me një ndryshim; merr, sot, nën kontroll psikologjinë e shqiptarëve. Demoralizimi intelektual mbetet ironia e fundit pse lind nevoja e të rrëfyemit në teatër! Është mjaftueshëm kjo për të inkurajuar e kuptuar një regjisor të ri se si e vëzhgon sot shoqërinë.

Suksesi i një komedie dhe publiku nën batanije

Këtë fundjavë, në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, u shfaq komedia “Andi, Norman dhe Sofi” e komedianit bashkëkohor amerikan Neil Simon. Pjesa ishte vënë në skenë nga regjisorja e re Andia Xhunga me aktorët Indrit Çobani, Eftiola Laçka dhe Ervin Doko. Premiera jepej në kuadrin e Festivalit Teatror të Regjisorëve të Rinj, që do të nisë në 23 dhjetor.

Pena e sprovuar e Neil Simonit, shkrimtar i mirënjohur në SHBA, fitues i çmimit “Pulitzer” dhe i emërtuar disa herë për “Oscar”, kishte sjellë një komedi plot satirë dhe me një veprim dramatik të ngjeshur. Temporitmi dhe larmia e batutave e mbanin të ndezur kërshërinë e shikuesit (anipse, këta të fundit duhej të kishin marrë batanije në sallën e ftohtë, ngaqë nuk ishte aktivizuar sistemi ngrohës). Në pamje të parë, të kuptuarit e komedisë dhe e groteskut të saj dukej, se do të kapeshin me vështirësi, pjesa erdhi natyrshëm dhe publiku “u ngroh” nga subjekti, që zhvilluan tre personazhet. Dy shokë të ngushtë, të themi, bashkëpunëtorë prej 8 vitesh në një apartament, përballë sfidës së mbijetesës financiare. Personalitete të ndryshme, ku Andi (Indrit Çobani), fodull dhe qesëndisës, është nxitësi dhe menaxheri i Normanit (Ervin Doko) të talentuar, por naiv. Këtyre të dyve do t’u duhet të nxjerrin bukën me artikujt e Normanit, i cili është duke shkruar edhe një komedi, të cilën nuk e mbaron kurrë. Kjo, ndoshta ngaqë është mjaftueshëm komike jeta, që po bëjnë. Komedia pasurohet dhe rrjedha dramatike ndryshon drejtim me hyrjen në veprim të fqinjës Sofi, një amerikane tipike. Ky rol interpretohet natyrshëm dhe bindshëm nga Eftiola Laçka (e cila, çuditërisht nuk është më pjesë e trupës së Durrësit). Kjo është pika e lidhjes, nga ku intriga do të bëhet më interesante. Edhe pse, zbulimi i plotë i karaktereve të vërteta të personazheve kryhet nën një tis dramatizmi, ndjenja, e cila lind mes Andit dhe Sofisë, si dhe ruajtja e miqësisë dhe bashkëpunimit mes dy shokëve, i japin një fund të lumtur dhe të besueshëm komedisë.

Duhet thënë , se edhe zgjidhja skenografike ishte modern dhe e frytshme, pa elementë të tepërt. Si përfundim, duhet thënë, se komeditë dhe dramat e fundit të shfaqura në teatrin “A. Moisiu” Durrës si seancë e jashtëzakonshme në parlament – Rey Cooney me regji të Driada Dervishit, Udhëtimi pa vizë i një alieni - Bashkim Hoxha me regji të Ervin Çulit, dhe deri diku komedia Pas vdekjes e Çajupit kanë përtërirë jetën teatrore në Durrës.

Enton Bido

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›