Panair Karriere në Universitetin Politeknik, 41 kompani u ofrojnë studentëve mundësi punësimi dhe praktika mësimore

Studentët e Universitetit Politeknik, të cilët janë të interesuar për një vend pune apo edhe për praktika mësimore, i janë drejtuar sot panairit të punës, i ngritur në ambientet e korpusit qendror të Universitetit Politeknik.
Të rinjtë e interesuar patën mundësi të dorëzonin CV-të dhe të intervistoheshin nga përfaqësuesit e 41 kompanive pjesëmarrëse.
Mundësinë për t’u punësuar duket se e kanë studentët më të mirë, ndërsa praktikat mësimore kërkohen më së shumti nga studentët e viteve të para dhe të dyta, ku nevoja për eksperiencë është edhe më e madhe.
Rektori i Universitetit Politeknik, Akli Fundo, ka sqaruar se ky panair është një mundësi e mirë për të lidhur studentët me tregun e punës.
“Është kthyer në një traditë të përvitshme organizimi i ‘Karrierës’ në Universitetin Politeknik, ku studentët bashkë me kompanitë konfrontojnë idetë dhe mendimet. Kjo është një mundësi e mirë që të dyja palët të shohin të rejat dhe të diskutojnë mundësitë e punësimit,” tha Fundo.
Ballafaqimi i studentëve me tregun e punës është një ndër praktikat më të mira të universiteteve, pasi u jep mundësi atyre të përshtasin kurrikulat me nevojat që ka tregu, për të përgatitur të rinj të aftë për punë.
Gazetare: Keti Totoveci
/rtsh.al/