Fuqia e logove
Duket se disa simbole sikur njiheshin gjithmonë: shenja e paqes (Peace), kafka me eshtra të kryqëzuar në flautin e piratëve, ose harqet e artë namkeq të McDonalds’it. Të tjerët, si në rastin e krahëve në prodhimet e firmës Nike, ose të mollës së kafshuar në prodhimet e Apple, datojnë pak më vonë, megjithëse njihen në pothuaj në secilin skaj të botës.
Aktualisht, një grup politikanësh dhe aktivistësh ka iniciuar nismën për gjetjen e një logotipi për të drejtat e njeriut. Ky është një projekt që do të duhej të krijonte nj simbol, i cili do të përfaqësonte të drejtat e njeriut. Në garën, e cila është e hapur deri më 31 korrik 2011, janë ftuar për pjesëmarrje njerëz nga e gjithë bota, dhe ata do të mund të dërgojnë propozimet e tyre në web-faqen: humanrightslogo.net.
Një proces i tillë quhet “crowdsourcing” (punësimi i masave), ndërkaq propozimi do të shqyrtohet nga juria e përbërë nga yjet politike, siç është për shembull aktivistja birmaneze për të drejtat e njeriut, Aung San Su Chi, ose ish-presidenti i BRSS, Michail Gorbatchev, por edhe emra të njohur nga bota e dizajnit.
Sipas pohimeve të nismëtarëve, “kjo iniciativë u krijua me bindjen se logoja për të drejtat e njeriut do t’i kontribuojë qetësisht përhapjes globale dhe përmbushjes së të drejtave të njeriut”, andaj edhe propozimet me ide për të filluan të arrijnë menjëherë dhe në sasi të mëdha. Por, a mos po kërkohet pak si shumë nga një dizajn i thjeshtë grafik?
Kualiteti i një logoje të mirë
Pasi të pranohet, logoja shndërrohet në “emëruesin më të madh të përbashkët” për një prodhim të caktuar, pohojnë ekspertët e kësaj fushe.
“Nëse prodhimi ka imazh pozitiv, atëherë mund të reklamohet edhe në vendin më të vogël të mundshëm”, thekson dizajneri gjerman i komunikimeve Uve Lesch. Kështu kur, Lufthansa, për shembull, sponsoron ndonjë koncert të madh “ata s’kanë nevojë të shkruajnë një roman për këtë punë, por vetëm e shtypin logon e tyre në ftesa ose bileta. Dhe, të gjithë e dinë se Lufthansa po e përkrah kulturën”.
Përveçqë duhet të jetë tërheqës, një logo i mirë duhet të jetë edhe origjinal, sepse ai nuk guxon të përzihet me ndonjë tjetër. Duhet të jetë i dallueshëm, të reprodukohet lehtë në madhësi dhe në sipërfaqe të ndryshme. Veç kësaj, duhet të jetë i papërcaktuar në kohë, t’i kalojë lehtë kufijtë ndërkombëtar dhe të shmang ngjyrat ose foto që kanë konotacione negative në kulturat e ndryshme. Në rastin ideal, logoja duhet të jetë fleksibile ose goxha e përgjithësuar, ashtu që të mund ta përfaqësojë ndonjë firmë edhe pasi që ajo të jetë zhvilluar në ndonjë drejtim tjetër, krejt të ri. Për shembull, logoja e firmës kompjuterike Apple.
“Do të mund të kuptohej si ndonjë restorant vegjetarian, si ndonjë lloj rakie nga mollët, ose si qyteti i New York’ut”, thotë Lesch. Nike logon e vetë e ka dizajnuar si një krah të stilizuar të perëndeshës, “por ne jemi mësuar që atë simbol ta lidhim me prodhimet e tyre”.
Biznes i madh, reklamë bindëse
Është e pamundur të vlerësohet sesa para i ndajnë firmat për logo dhe reklama. Firmat me prodhime tipike, që ndërrohen shpesh, si në rastin e pijeve joalkoolike ose të detergjenteve, shpenzojnë afërisht rreth 10 përqind të shitjes së gjithëmbarshme në reklama. Prodhuesit tradicionalë, si Ford, për shembull, llogaritet se shpenzojnë një përqind të shitjes. “Mendojmë se firmat si Nike shpenzojnë më shumë në marketing, deri në 30-40 përqind të shitjes së gjithëmbarshme”, pohojnë në Interbrand, një firmë kjo e specializuar për reklamimin e prodhimeve.
Për atë se sa është ide e mirë që për dizajnimin e logos për të drejtat e njeriut të angazhohen masa njerëzish, po debatohet mjaft. Para së gjithash, shpenzimet janë më të ulëta sesa kur për këtë punë të angazhohet ndonjë firmë. Ky është një fenomen që po bëhet gjithnjë e më i popullarizuar tek korporatat, megjithëse ndaj tij vetë dizajnerët buzëqeshin thartë.
Dhe vërtet, nga njëra anë, është mirë të përfshihet opinioni, por nga tjetra, dizajnimi është një profesion për të cilin duhet kryer disa vite shkollim.