E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fuqia "e zezë" e Amerikës

African american lives është një nga
emisionet më të ndjekura për mo
mentin në SHBA, emision që përdor
analizat e ADN-së për të gjetur
"paraardhësit" e personazheve të famshëm.
Kështu, kur Henry Louis Juniuor,
profesori i Harvardit që ka ideuar programin,
i tregoi rezultatet e kërkimeve të
tij komikut Chris Rock, ai nisi të qajë. Sigurisht,
sepse nuk e dinte se katragjyshi i
tij ishte një skllav, që pasi kishte luftuar
në luftën civile ishte bërë deputet i
Karolinës së Jugut dhe më pas kishte
vdekur si një nga pronarët më të mëdhenj
të tokave në atë vend. Edhe Tina
Turner u emocionua shumë, kur zbuloi se
shkolla ku shkonte kur ishte e vogël në
Tenesse, i ishte bërë dhuratë qytetit nga
një stërgjysh i saj, ndërsa poetja Maya
Angelou u çudit kur mësoi se stërgjyshja
e saj ishte vetëm 17 vjeçe kur pati një fëmijë
nga padroni i saj i bardhë. Në të
vërtetë, kjo nuk është një eksperiencë e
vetme: rreth 35 për qind e 50 mijë afroamerikanëve
që kanë bërë analizat e
ADN-së në dy vitet e fundit kanë zbuluar
se nuk janë aq të "zinj" sa mendonin. E
ndërsa rishkruajnë historinë e tyre,
amerikanët e zinj kanë nisur pak e nga
pak të mendojnë se njëri prej tyre mund
të ulet në krye të Shtëpisë së Bardhë.
"Obama po ndryshon gjithçka", tregon
Sylvester Monroe, gazetar i të përmuajshmes
"Ebony", më e lexuara nga klasa
e mesme afro-amerikane, që ndjek fushatën
elektorale të kandidatit me ngjyrë.
Në kopertinën e numrit të fundit, sipër
një foto të Obamës është shkruar me të
madhe: "Në rrugën e jetës sonë". "Për
brezin tim, si edhe për atë të prindërve të
mi, ishte thuajse e pamundur të mendoje
për një President me ngjyrë. Nëse fiton
Obama do të jetë një revolucion i vërtetë.
Djemtë me ngjyrë, më pak të privilegjuar,
nuk mund ta përdorin më racizmin si justifikim
për mungesën e ambicieve të tyre.
Por edhe vetë Obama po lufton kundër
pengesave dhe po bën që zezakët e pasur
të mobilizohen përkrah të bardhëve,
siç nuk kishin bërë kurrë më parë". Edhe
pse nuk vjen nga ndonjë familje e pasur,
Obama me studimet e tij në Columbia
dhe Harvard është emblema e borgjezisë
së lartë me ngjyrë, që beson në integrimin
si e vetmja rrugë për t‘u afirmuar.
Megjithatë, mes mbështetësve të senatorit
të Illniosit, nuk ka vetëm miliarderë
të zinj si John Rogers junior,
themeluesi i fondit "Ariel Partners",
apo Valerie Jarrett, që ka
lënë presidencën e grupit imobiliar
"Habitat" për të dhënë
kontributin e saj për fushatën.
Para se Oprah Winfrey të vinte
në "dispozicion" famën e saj,
fotoja e senatorit ishte vendosur
në një kornizë në dhomat e
fëmijëve të pasur me ngjyrë, që
i përkisnin "Jack and Jill", klubit
të themeluar në vitin 1938,
ku bëni pjesë 30 mijë afroamerikanë
me moshë më të
vogël se 19 vjeç, e që kishte për qëllim të
vendoste një lidhje mes pinjollëve të
aristokracisë së zezë. Por, kandidatura e
Obamës po tregon për një tjetër "fuqi të
zezë" të formuar nga sipërmarrës miliarderë,
lobistë të fuqishëm dhe një rrjet
klubesh e shoqatash që mbështesin
borgjezinë e lartë afro-amerikane. Pas
"Jack and Jill", djemtë e zakonshëm aderojnë
në "Boulé", një shoqatë sekrete
deri në vitin 1970, e cila numëron mes ortakëve
të zinj lobistë si: Vernon Jordan,
administrator i deleguar i "American Express
Kenneth Chenault" dhe Earl
Graves, themelues i grupit "Black Enterprise".
Ndryshe nga meshkujt, gratë janë
pjesë e "Links", një tjetër klub ekskluziv
apo shoqatash universitare si "Alpha
Kappa Alpha". "Ndërsa mes të bardhëve
rëndësia e këtyre shoqatave është në
rënie, mes të zinjve ka ndodhur e kundërta:
gjithmonë e më shumë klubet furnizojnë
lidhjet e rëndësishme në jetën sociale
dhe në punë", shpjegon Lawrence
Otis Graham, intelektual me ngjyrë dhe
autor i "Our Kind of people", një nga sagat
më të rëndësishme për borgjezinë e
lartë afro-amerikane. Atlanta e Phoenix
janë "kryeqytetet" e njerëzve me ngjyrë,
që kanë bërë realitet ëndrrën amerikane.
Njerëzit aty janë më të entuziazmuar se
kurrë për kandidaturën e Obamës, siç
nuk ka ndodhur kurrë më parë: "Edhe ata
që nuk e mbështesin senatorin janë krenarë
për fushatën e tij elektorale", shpjegon
Lawrence Otis Graham, që tashmë
shëtit nëpër Amerikë për të biseduar me
të pasur afro-amerikanë që do të përfshijë
në studimin e tij të ri dedikuar 800
familjeve më të rëndësishme me ngjyrë
të Amerikës. "Në vitet ‘70, borgjezia e
lartë me ngjyrë përçau luftën për të
drejtat civile, ndërsa kësaj radhe është
krejt ndryshe". Edhe pse numri i afroamerikanëve,
që janë pjesë e shtresë së
mesme, është trefishuar që nga viti 1968,
një e treta e fëmijëve amerikanë me
ngjyrë jeton akoma në varfëri ekstreme.
Hendeku mes të pasurve dhe të varfërve
është i tillë që, sipas një sondazhi të "Pew
Research Center", rreth 40 për qind e
afro-amerikanëve mendon se nuk është
më e mundur të flasësh për të zinjtë si
pjesëtarë të një race të vetme, sepse vlerat
brenda komunitetit janë shumë të
ndryshme. Zhdukja e këtij boshllëku është
bërë edhe objektivi i të zinjve të famshëm.
Për aktorin Bill Cosby problemi
qëndron te kultura e getos që ka shkatërruar
familjet: "Duke shëtitur vazhdimisht
nëpër SHBA flas vazhdimisht me
nëna që qajnë, kur fëmijët e tyre përfundojnë
në burg", tregon aktori. Për të tjerët
problemi qëndron në faktin se gjithmonë
kanë qenë të bindur se të vetmet mundësi
suksesi për të zinjtë janë në sport dhe
spektakël. Por edhe kjo gjë po ndryshon
ngadalë. Lojtarët e NBA, që dikur kanë
qenë kampionë, tani janë impenjuar për
të ndihmuar të varfrit me ngjyrë për të
dalë nga getot.
Si Alonzo Mourning ashtu dhe Magic
Johnson, kanë krijuar fondacione bamirësie
për të shpëtuar zonat e Nju Orlinsit
të shkatërruara nga uragani Katrina.
Ndërsa, ata që ngrenë gishtin dhe akuzojnë
vlerat e këngëve rep, tanimë nuk
janë vetëm deputetët e Kongresit, por
edhe producentë që kanë bërë miliarda
me hip-hopin. Ata kërkojnë që artistët të
pushojnë së përdoruri në tekstet e tyre
fjalë të tilla si "nigger" (i zi) dhe "bitch"
(prostitutë). E, sipas disave, fushata po
arrin efektet e dëshiruara. "Ka përfunduar
tërësisht koha e repit, ajo ku në çdo video
shihje nga një njeri me ngjyrë që hipte
në limuzinë dhe pinte shampanjë nën
shoqërinë e vajzave gjysmëlakuriqe", tregon
Charles Aaron, gazetar i "Spin", i revistës
së përmuajshme kushtuar muzikës
së "zezë". Sipas tij, gjithmonë e më shpesh
në këngët hip-hop nuk flitet më për lekë,
por për politikë. "Ndizi njerëzit si Obama",
thotë një nga këngët e fundit të reperit
Common. Nëse fiton Obama, do të hartojë
programe për të ndihmuar njerëzit me
ngjyrë për të çarë përpara në punën dhe
në universitetet nga i detyruan të dilnin.
Por zgjedhja e tij në krye të Shtëpisë së
Bardhë do të kishte një efekt psikologjik
shumë të madh. "Njerëzit me ngjyrë do
të nisnin të mendonin në mënyrë ndryshe,
pa dyshimet që i kanë shoqëruar
deri më sot", thotë gazetari i "Ebony"-t,
që ka plot dyshime për sa i përket
zgjedhjes së senatorit të Illniosit: "Realiteti
është se duke e njohur mirë këtë
vend, jemi ne afro-amerikanët të parët që
mendojmë se është shumë e vështirë që
njerëzit të votojnë vërtet një njeri me
ngjyrë. Por edhe nëse nuk fiton, ajo e
Obamës do të mbetet në mendje si një
fushatë historike, jo vetëm për ne afroamerikanët".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›