Një ftesë që e kemi vonuar vetë
Reformat, investimet dhe gjithçka tjetër që Shqipëria do të përfitojë prej anëtarësimit në NATO, janë përparësi të nivelit të dytë, të cilat mund të shkërmoqen me një të rënë të lapsit, nëse je i pambrojtur. Tashmë, ne do të jemi partnerë, aq sa na takon dhe nevojat tona nuk do t’i artikulojnë të tretët në tavolinat vendimmarrëse të botës. Kjo është fitorja më e madhe.
Mirëpo, problemi është se a do të jemi ne në gjendje të artikulojmë atë çfarë duhet, apo do dalim aty të themi broçkulla. Deri tani s’më duket se jemi të përgatitur, përderisa nuk reflektojmë me sinqeritet ndaj të shkuarës.
Reformat që kanë bërë qeveritë shqiptare postkomuniste, nuk janë aspak më të mira dhe më afatgjata se reformat që ndërmorën qeveritë e Mbretërisë shqiptare; prona sot nuk është më e stabilizuar, shtypi nuk është më i lirë, qytetarët nuk kanë të drejtë lëvizjeje më të madhe brenda vendit apo jashtë tij; të drejtat e njeriut nuk respektohen më shumë se atëherë e shumë aspekte të tjera nuk janë më të përparuara apo më të konsoliduara se në të shkuarën – megjithatë, një ditë të bukur, Shqipëria kaloi nën influencën e Rusisë dhe të jugosllavëve dhe gjithçka e bukur mori fund.
Kam lexuar një sërë dokumentesh apo librash në lidhje me Luftën e Dytë Botërore, por emri i Shqipërisë thuajse nuk përmendet, sepse ajo konsiderohej thjesht shtojcë e Jugosllavisë. Për shkak të ndikimit të Rusisë në arenën ndërkombëtare, që nga Traktati i Shën Stefanit (1878), e deri te Marrëveshja e Katovicës (1989), Shqipëria është përdorur për të kënaqur interesat e fqinjëve të saj. Gjatë shekullit të 20 u bënë disa herë pazare me trojet shqiptare, por në Katovicë u bë pazari më paradoksal, i cili e ka shtyrë për dy dekada ftesën që morëm dje: u copëtua edhe toka brenda Shqipërisë në favor të interesave sllave në trupin e saj. Përfaqësuesit e komunizmit në Shqipëri, të cilët thuajse kanë dominuar edhe politikën e dy dekadave të fundit, kanë qenë përfaqësuesit e interesave sllave, pavarësisht se sot bëjnë miting në mbështetje të NATO-s. Pavarësisht elementëve sipërfaqësorë që fajësojmë ne, pushteti i të djathtëve në Shqipërinë postkomuniste është minuar pikërisht në emër të këtyre interesave, por nuk duken, sepse i ka rrënjët shumë të thella.
Këto që thashë, nuk janë për të nxitur ndjenja antisllave në Shqipëri, por për të kuptuar të vërtetën: kemi patur, kemi dhe kështu do të jetë gjithmonë, interesa të kundërta me ta.
E majta shqiptare nuk mund të flasë pa hipokrizi për integrimin e Shqipërisë në NATO dhe BE, pa u ndarë qartazi nga e kaluara. Vërtet nga instalimi i komunizmit në Shqipëri përfituan fqinjët tanë, por nuk duhet të harrojmë që atë e instaluan dhe drejtuan shqiptarët. Ata që i marrin intervista në lidhje me ftesën në NATO Nexhmije Hoxhës, të vesë së armikut më të madh të Shqipërisë, duhet të kenë turp nga shërbimi i ulët që bëjnë në dëm të së vërtetës. Shqiptarët e dinë se ç’mendon ajo dhe gjithë ata që ajo përfaqëson për NATO-n, ata harxhuan vite të tëra dhe miliona hektarë me letër për propagandë antiperëndimore dhe, si rrjedhojë, antishqiptare.
Partitë e majta janë mbushur me pinjollë të komunizmit, të cilëve historia duhet t’iu japë status krimineli, dhe ata nuk janë distancuar nga gjyshërit, baballarët, vjehrrit dhe vjehrrat, që i ngritën nga jaka, i nxorën në krye të Shqipërisë për asnjë meritë tjetër veç gjakut.
Për anëtarësimin në NATO kanë meritë gjithë shqiptarët, nxituan ta thonë shumë politikanë. Dakord, të gjithë kanë, por, po të ishin dëgjuar një pjesë e shqiptarëve në kohën e duhur, ftesa e djeshme nuk do të kishte vonuar plot 59 vjet.
Në këto ditë festive, nga të gjithë ata që kanë aksesin pa limit në televizione, askush nuk përmendi faktin që forcat properëndimore në Shqipëri kanë një histori të gjatë në këto troje. Historia e tyre personale ka qenë e hidhur, por historia e veprës që lanë, e lavdishme.
Shembulli më spikatur i bashkimit të lavdisë kombëtare dhe tragjedisë personale është Mid’hat Frashëri, të cilin këto ditë nuk e përmendi njeri. Ai vdiq në mërgim dhe 50 vjet rresht u la në harresë, por vepra e tij do të ketë vlerë të përjetshme për shqiptarët.
Po kujtoj disa nga fjalët e tij: “Zhvillimi i ngjarjeve në Ballkan vërteton më së miri se ngjarjet në Shqipëri nuk janë aspak të brendshme, por janë pjesë e një të tëre me rëndësi botërore, që do të ketë efekte të mëdha ndërkombëtare në kohën e ardhshme. Lëvizja për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës nuk është kurrgjë tjetër veçse vijim i rregullt, me forma të tjera, i Lidhjes së Prizrenit... Do vijë dita që ndërkombëtarët do ta korrigjojnë veten në Kosovë.”
“Kjo ndihmë duhet t’i jepet Shqipërisë nga një fuqi jo direkt e interesuar në Ballkan dhe ne mendojmë se Republika e Madhe Amerikane do të kryente një shërbim të jashtëzakonshëm për njerëzimin, duke realizuar këtë mision.”
“Për mua ka vetëm një mënyrë që të normalizohet gjendja në Shqipëri: mbajtja e lidhjeve me Lëvizjen Demokratike (në Evropë)”.
Mid’hat Frashëri vdiq po atë vit që u krijua NATO, por ai ua kishte treguar rrugën shqiptarëve disa dekada më herët. Fakti që sot atë mundohemi ta mbajmë ende në harresë, nuk është në dëm të tij, por tonin. Po nuk bëmë lidhjen organike me vlerat tona historike më të çmuara, do të vazhdojmë të jemi si një trup pa shtyllë kurrizore.
Nga anëtarësimi në NATO do të kemi shumë përfitime, por gjërat duhet të bëhen me radhë: fillimisht, me metoda diplomatike apo të drejtpërdrejta, Shqipërisë duhet t’i përcillet urdhri të nisë dekomunistizimin e saj.