E Hënë, 2 Nëntor 2026

Fuqia punëtore, Zmijani: Kërkohen punonjës të kualifikuar, aftësimi profesional është prioritet

Plotësimi i stafit me punonjës të kualifikuar mbetet një nga sfidat kryesore për shumë biznese që operojnë në sektorin e turizmit në Shkodër.

Kërkesat më të larta për punonjës këtë sezon veror vijnë nga hotelet, baret dhe restorantet në plazhin e Velipojës, i cili çdo vit regjistron një numër të lartë vizitorësh.

“Si çdo vit edhe këtë herë kemi pasur vështirësi me plotësimin e stafit”, u shpreh sipërmarrësi Gazmir Mehmeti.

Për shkak të mungesës së fuqisë punëtore vendase, sipërmarrësit po orientohen gjithnjë e më shumë drejt punonjësve të huaj për të përmbushur nevojat e tregut.

“Nëse do të jetë e nevojshme do të marrim edhe punëtor të huaj”, tha ai.

Nisur nga kërkesa e lartë për punonjës të kualifikuar, Zyra Rajonale e Punësimit në Shkodër e ka prioritet aftësimin profesional, veçanërisht në fushat e turizmit dhe shërbimeve.

“Akoma nuk jemi në nivelin e duhur dhe është në plotësimin e nevojave me profesionist prandaj janë programet e formimit në punë apo programi i garancisë rinore të nxënit në vendin e punës”, tha Rozafa Zmijani, drejtuese e ZRP Shkodër.

Tregu i punës në Shkodër përballet me një mospërputhje të theksuar midis ofertës dhe kërkesës. Aktualisht, në portalin zyrtar të punësimit janë të shpallura rreth 350 vende të lira pune, kryesisht në sektorin fason. Nga ana tjetër, në bashkinë e Shkodrës rezultojnë të regjistruar rreth 3.200 punëkërkues.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›