Fuqisë i duhet mençuria
Koha vërtetoi që, Lufta e Ftohtë nuk u shndërrua në Luftë të Nxehtë, për shkak të baraspeshës së dy fuqive botërore dhe mënçurisë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin supërfuqi bërthamore me teknologji shumë më të sofistikuar se superfuqia tjetër - Bashkimi Sovjetik. Por, edhe Bashkimi Sovjetik qe fuqi e frikshme e renditej i dyti, sepse zotëronte po aq mundësi shkatërruese, mbase ca më tepër, me papërgjegjësinë për ta bërë gjithë botën si veten - të kuqe. Thuajse, gjithë energjitë për armatim, e bindën botën se, ajo që duhej ndalur, ishte lufta. Po të mos shmangej lufta, që lëkundej në fije të perit, askush nuk do t’i shpëtonte shkatërrimit të hamendësuar, si në filmin amerikan “The Day After” (Një ditë pas). Ajo që ndodhi, nuk është në një film të ngjashëm të kundërt: mençuria perëndimore frenoi luftën, ndërsa Bashkimi Sovjetik që shprehu fuqi armatimi, përtej mundësive te veta - u shemb nga marrëzia.
Pse të ndërmendet kjo dukuri botërore e futur në histori, ndërsa stëmundohesh të vështrosh një “ ‘97 të ftohtë” brenda vendit: bllokohet bulevardi më i madh, si atëherë ai Vlorë - Skelë; protestohet përditë; mbahet një greve urie poashtu; nga foltorja e sajuar flasin politikanë mjaft të përndezur; kërcënohet për rrëzimin e qeverisë e mosnjohje të kuvendit; lekët e humbura janë zevendësuar me kutitë e humbjes. E gjithë kjo po ndodh vetëm sepse opozita doli nga zgjedhjet e 28 qershorit me një grup të fuqishëm deputetësh, si në një baraspeshë gati arithmetikore. Kjo, megjithatë nuk qe ndonjë humbje e madhe, sepse opozita pati mundësinë e pazakontë të bëhej një fuqi e njëmendtë parlamentare. Humbja më e madhe e saj erdhi nga që, as një e as të gjithë, nuk kuptuan se fuqisë së tyre i duhej bashkuar meçuria. Ajo nuk shfaqi vizion politik, ndërsa përballë, dy partitë e tjera, PD dhe LSI, në mënyrë të veçuar rrokën thelbin - Shqipërisë i duhej patjetër një koalicion për interesa madhore kombëtare. Opozita e shkapërderdhi fuqinë e vet, trefish dhe pa ide: të mund të mbante kryetarin kryetar, të bllokonte pozitën, të asgjësonte LSI. Madje, nëse PD e sheh kundërshtarin politik që nuk e shmang dot, LSI-së nuk ia fal kurrë hapin qe bëri.
Partia e dytë politike e vendit shpërdoroi fuqinë e vet, sepse nuk pati mentarë që t’i printe jashtë interesit të njëshit. Nuk ishte mençuri hapërdamja e një grupi aq të madh deputetësh nëpër zyra, korridore dhe lokale, ngjitur me selinë - domethënë ndërmarrja e bojkotit, të cilin, nga droja ndaj ndërkombëtarëve nuk e quajtën as me emrin e vërtetë, siç ishte - bojkot. Sikur të mos kishte vepruar neni kushtetues që digjte mandatet dhe sikur të mos rritej kërkesa e brendshme për rroga, bojkoti i gjatë nuk do të ishte shndërruar në bojkotin lojë - hyr një orë e mungo një javë. Përveç që u kritikua nga gjithkush, u vërtetua plotësisht që, mungesa nuk qe mënçuri, pasi mençuri do të ishte futja në kuvend dhe zhvillimi i luftës politike me pjesëmarrje. Opozita e fuqishme shfaqi pa fuqi për shkak të rrugës së gabuar që zgjodhi. Mençuria nuk u gjet as pas bojkotit të dështuar, sepse u ndërmor hapi tjetër i pamençur. Mençuria shprehet në Kuvend dhe aspak me vuajtje nën çadërat midis dy pushteteve, si një simbolikë fare e hapur që, me hir a me pahir duhen marrë të dy pushtetet. Ndërsa pozita e fton - drejtoju fuqisë së ligjit, opozita shfaq fuqi kryeneçe, duke ndërmarrë luftën e ftohtë të bllokimit tërësor të vendit. Por ligji është më i mençur, sepse është për rregulla, ndërsa forca e opozitës është ndër ethet e pushtetit me patjetër. Kur një forcë, në madhësi më pak se gjysma, vihet përballë një force më shumë se ajo, menjëherë përjashtohet forca dhe zgjidhja vjen përmes bashkëbisedimit e ligjit. Por opozita ende nuk e ka gjetur ekuilibrin politik racional. Eshtë provuar që, gjithmonë humbet ajo fuqi që i fut të vetët dhe vendin në stërmundim. Brerja e sëmurë e fuqive për pushtet nuk të afron me pushtetin.