Fuqitë Botërore thirrje Bashar al-Asad për frenim të dhunës

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban ki Mun, ka nisur sot një takim të Këshillit të Sigurimit në Nju Jork, duke i bërë thirrje presidentit sirian Bashar al-Asad që të punojë “në ditët në vazhdim” me propozimet e paqes të OKB-së dhe Ligës Arabe.
Duke lëshuar kritika ndaj qeverisë siriane, se nuk po mbron popullin e vet, Ban, ka theksuar se“operacionet e turpshme" po vazhdojnë.
“I apeloj Këshillit të Sigurimit që të bashkohet fuqishëm në ndalimin e dhunës dhe të mbështesë misionin e z Anan për të ndihmuar Sirinë të dalë nga pragu i katastrofës. Kjo është jetësore për popullin e Sirisë dhe për tërë rajonin”, ka thënë Ban.
Ndërkohë, ministri i jashtëm francez Alen Zhype kërkoi që liderët sirianë të përballen me drejtësinë ndërkombëtare rreth aksioneve të tyre vdekjeprurëse kundër protestave opozitare.
Ai i kërkoi Rusisë dhe Kinës, që të pajtohen me rezolutën e OKB-së e cila do të dënonte dhunën në Siri.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov tha se Rusia është “thellë e shqetësuar” për situatën në Siri.
Në takim marrin pjesë gjithashtu përfaqësues nga Rusia, SHBA, Britania, Gjermania dhe Franca.