E Diel, 1 Nëntor 2026

Furnizonin me kokainë persona dhe grupe që e ndanin në doza për shitje në dy zona të Tiranës, arrestohen dy kushërinj

Dy persona, kushërinj me njeri- tjetrin janë arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi furnizonin me lëndë narkotike kokainë shtetas dhe grupe që më pas e ndanin atë në doza për shitje në dy zona të kryeqytetit.

Në pranga ranë shtetasit A. N., 34 vjeç, dhe S. N., 31 vjeç.

Në automjetin e të arrestuarve u gjet dhe u sekuestruan 2 pako me 2 kg e 235 gramë lëndë të dyshuar narkotike, lloj kokainë, si dhe 1 pistoletë e dyshuar lodër.

Dy të arrestuarit dyshohet se furnizonin me kokainë individë dhe grupe të cilët e ndanin drogën në doza për ta shitur kryesisht në zonat e “Alliasit” dhe “Oxhakut”.

“Në kuadër të operacionit, është konstatuar në lëvizje automjeti me të cilin dyshohej se transportohej lënda narkotike. Automjeti, me të cilin lëviznin shtetasit A. N., 34 vjeç dhe S. N., 31 vjeç, është ndjekur nga shërbimet e Policisë, deri në vendin e quajtur “Treshi”, ku është ndaluar për kontroll.

Gjatë kontrollit të imtësishëm, në këtë automjet u gjetën 2 pako me 2 kg e 235 g lëndë të dyshuar narkotike Kokainë dhe 1 pistoletë e dyshuar lodër”, thuhet në njoftimin e policisë.

Vijojnë hetimet për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të të gjithë shtetasve të përfshirë në këtë veprimtari kriminale ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›