Sandri, sulm për trojet e mbeturaNga Antena brenda familjesSandri diskutoi dje gjatë me doktorin para mbledhjes së qeverisë si duhen bërë ligjet për trojet e mbetura. - Me thënë të drejtën doktor, këta pronarët na e kanë sjellë në majë të hundës. Ka
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Sandri, sulm për trojet e mbeturaNga Antena brenda familjesSandri diskutoi dje gjatë me doktorin para mbledhjes së qeverisë si duhen bërë ligjet për trojet e mbetura.
- Me thënë të drejtën doktor, këta pronarët na e kanë sjellë në majë të hundës. Ka që më 1994 që nuk blen dot një copë tokë nga qeveria, se demek e do për pronarët. Kjo s’ka kuptim fare. Më rroftë mua që kam gjithë jetën që jam me qeverinë, nuk blej dot një
copë tokë. Këtu ka pronar, atje ka pronarë, këtu s’të lë ligji. Mirë që ishte ai ligj i koncesioneve, që morëm ca toka, po dhe ato me telashe.
- Sandër, do ta rregullojmë tani, dëgjo mua ç’do bëjmë. Së pari, tokat në bregdet, aty ku keni vilat, do t’i merrni. Ligji po bëhet gati, kalon në parlament dhe ajo ikën.
- Po doktor po, fola dhe me Samirin, ai kishte fol pak dhe me Argitën dhe ajo i kishte dhënë të drejtë, se i kishte thënë dhe Bashkimi, dhe ai në fakt ishte i shqetësuar, se i kishte thënë Shkëlzeni, se dhe Shkëlzeni në fakt s’e kishte menduar vetë, po i kishte thënë Rrahmani që, “ta shtyjmë dhe pak këtë ligjin e privatizimit të fshatrave turistikë.”
- Po pse Sandër ta shtyjmë? A ma kërkove ti me urgjencë këtë punë? Se the, na ngelën vilat, dhe i kemi bërë, dhe s’i kemi tonat...
- Po doktor, unë të thashë, po fola dhe me Samirin, ai kishte fol pak dhe me Argitën dhe ajo i kishte dhënë të drejtë, se i kishte thënë dhe Bashkimi, dhe ai në fakt ishte i shqetësuar, se i kishte thënë Shkëlzeni, se dhe Shkëlzeni në fakt s’e kishte menduar vetë, po i kishte thënë Rrahmani që “është mirë ta shtyjmë pak, se kemi aplikuar për ca toka të tjera për fshatra turistikë dhe t’i marrim dhe ato që të na kapë ky ligji dhe t’i privatizojmë….”
- Ashtu, prit Sandër, se paskemi një problem. Se ç’është e vërteta, të dyja këto ligje nuk shkojnë. Ose do pranojmë që koncesionet dështuan dhe do t’i privatizojmë, ose, po vazhduam koncesionet, duhet t’i shpallim të falimentuara këto koncesione dhe duhet t’i konfiskojmë sipas ligjit.
- Po pra doktor, këtë desha të të them, se fola dhe me Samirin, ai kishte fol pak dhe me Argitën dhe ajo i kishte dhënë të drejtë, se i kishte thënë dhe Bashkimi, dhe ai në fakt ishte i shqetësuar, se i kishte thënë Shkëlzeni, se dhe Shkëlzeni në fakt s’e kishte menduar vetë, po i kishte thënë Rrahmani që, “të mos nxitohemi për këtë punë, se mos bien ligjet ndesh me njëri-tjetrin.” Ti bëje gati ligjin, se duhet, po s’të nxiton njeri. Të marrim një herë dhe këto tokat e tjera me koncesion, pastaj…
- Jo Sandër. Tani ai ligj ka hyrë në procedurë, nuk e ndaloj dot. Po ne do bëjmë një gjë tjetër. Shiko, unë tani kam mbledhjen e qeverisë dhe unë hedh idenë aty të amendojmë ligjin dhe të shesim tokën si qeveri. Ne duhet ta shesim tokën dhe pikë, nuk pyesim njeri. Kupton apo jo? Ta shesim dhe pikë! S’ka nevojë më për koncesione. E doni atë tokën në mes të Tiranës, që do t’ua marr atyre mashtruesve aty? Merreni. Futuni në ankand dhe fitoni ju. S’ka pse shkelim ligjin. Bëjmë një ligj, siç na duhet ne.
- Po pra, se për atë thashë dhe unë, është mirë ta bësh këtë, se e blejmë ne atë tokën dhe pastaj le të vijnë po deshën të merren me ne ata. Le që po u futa unë, ata të tjerët ma falin, se nuk ua mban nga unë. Se e kanë provuar ata që s’e kruajnë dot me mua. Bëra atë pallatin këtu te Liceu unë, ma dha lejen 8 kate ai. “S’ta jap dot më shumë, - tha, - se aq lejohet, madje dhe pallati i doktorit aq është.” As më plasi trapi, i thashë, e bëra 13 kate, pesë kate më shumë. “Po pse kaq shumë?” - më thoshin të gjithë. Qenkeni budallenj ju, i thashë, po si të bësh 20 metra pa leje, dhe 2000 metra, njësoj është procedura dhe gjoba. Pse do fëlliq dorën unë për pak.
- Sandër, po shumë ke shtuar pesë kate, mos të bjerë pallati, se i ka themelet për 8 kate.
- As që e gjen gjë fare. Se mbështetet te pallati në krah, rri dhe Majko aty. Po ra shtesa, mbi tarracë të Majkos bie. Po nuk besoj se bie, se i kemi hedhur beton plot. Tani, për 13 kate s’e kemi llogarit, por për nja dhjetë po. Po dhe ata pronarët e truallit shumë legenë. Kur i bëra unë 13 kate, donin pjesë për 13 kate. Po e legalizoni dot ju, u thashë, i rruani trapin. E mbyllën gojën pastaj.
- Nejse Sandër, shumë paske bërë pa leje. Nejse, e kishim fjalën te toka. Unë them të bëj një ligj që ta shes vetë tokën, pastaj më thuaj ku do tokë, vëri gishtin dhe ta shes unë. Pse do rrimë t’i lutemi botës ne, na jep një copë tokë këtu, na jep një copë tokë atje.
- Shumë mirë doktor. Unë po dal një herë këtë fundjavë të bëj një kontroll nga Velipoja në Patok ça tokash të lira ka, dhe po të bie një listë t’i blejmë. Sa ta bësh ligjin ti, e bëj listën unë. E bëjmë shpejt e shpejt pazarin e parë, sa të merret vesh, e morëm ne.
- Kështu do ta bëjmë Sandër. Mirë më ka shku mendja. Dhe fshatrat turistikë i privatizojmë, dhe tokën tjetër nuk e lëmë djerrë, me e marrë kujt i teket më pas.