“Furtunë” dorëheqjesh pas urdhrit të Ramës! Largohen Ilir Binaj nga ‘Tatimet’ dhe drejtorët e ‘Doganave’ e ‘QKB-së’
Pas kërkesës së kryeministrit Edi Rama për largimin nga detyra të drejtuesve të institucioneve në varësi të ministrive, kanë nisur dorëheqjet në nivelet drejtuese të administratës shtetërore.

Tre drejtues të rëndësishëm të institucioneve në varësi të Ministrisë së Financave kanë paraqitur dorëheqjet e tyre.
Bëhet fjalë për Besmir Bejën, drejtor i Përgjithshëm i Doganave, Ilir Binajn, drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, si dhe Etugert Llazin, drejtor i Përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB).
Lëvizjet vijnë pas kërkesës së kreut të qeverisë, ndërsa mbetet për t’u parë se cilët drejtues të tjerë do të largohen nga detyra dhe nëse vala e dorëheqjeve do të shtrihet edhe në institucione të tjera.
Sipas të dhënave për ndarjen e institucioneve sipas ministrive, bëhet fjalë për një total prej 132 institucionesh.
Numri më i madh i tyre është në varësi të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, me 31 institucione, e ndjekur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, me 21 institucione.
Ministritë e Ekonomisë dhe Inovacionit, Punëve të Brendshme dhe Mbrojtjes kanë nga 14 institucione secila, ndërsa Ministria e Drejtësisë ka 12 dhe ajo e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural 10.
Ndërkohë, Ministria e Financave ka në varësi 8 institucione, Ministria e Mjedisit 5, ndërsa Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka 3 institucione.
![doreheqjet e drejtoreve]](https://www.panorama.com.al/wp-content/uploads/2026/10/doreheqjet-e-drejtoreve.jpeg)