Rritja e PBB-së u reduktua në 4.1 për qind në tremujorin e tretë 2008

Rritja ekonomike e Shqipërisë gjatë periudhës korrik-shtator të këtij viti ka qenë më e ulëta që nga koha kur ky tregues filloi të matej, bëri të ditur dje Instituti i Statistikave, duke konfirmuar tendencën negative të ecurisë së ekonomisë.
“Rritja e prodhimit të brendshëm bruto është 4.1 për qind krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë”, u shpreh Ledion Shahini, specialist i llogarive kombëtare në INSTAT. Sipas të dhënave zyrtare, ritmi i rritjes së ekonomisë shqiptare është reduktuar nga 11.4 për qind që ishte regjistruar në tremujorin e dytë të vitit 2008, në 5.3 për qind në tremujorin e dytë 2009 dhe në 4.1 për qind në periudhën korrik-shtator.
Vlerësimet e INSTAT për ecurinë e ekonomisë bazohen te përpunimi i të dhënave zyrtare nga institucione të ndryshme shtetërore e private. Zyrtarisht rezultatet paraprake të PBB-së tremujore janë publikuar 90 deri në 110 ditë pas përfundimit të periudhës përkatëse. Shifrat u nënshtrohen tre rishikimeve të ndryshme deri në publikimin e shifrës përfundimtare tre vjet më vonë. Zakonisht vlerësimet përfundimtare kanë rezultuar më të ulëta se sa ato paraprake.
Vlerësimet e INSTAT kanë qenë historikisht shumë më të larta se vlerësimet e institucioneve ndërkombëtare. INSTAT vlerëson ecurinë e Prodhimit të Brendshëm Bruto sipas metodës së prodhimit, metodë që llogarit vlerën e prodhimit të mallrave dhe shërbimeve, por nuk merr parasysh origjinën e parave që kanë krijuar rritjen e prodhimit.
Rruga Durrës-Kukës
Gjatë vitit 2008 dhe gjashtëmujorit të parë të këtij viti, ekonomia shqiptare regjistroi si prodhim ndërtimin e rrugës Rrëshen-Kalimash, e cila, për shkak të vlerës prej 600 milionë eurosh të shpenzuara gjatë kësaj periudhe, shkaktuan edhe rritjen statistikore të PBB-së. Vlerësohet se të 300 milionë eurot e shpenzuara për këtë rrugë në vitin 2008, e shtuan rritjen ekonomike nga 4-6 për qind, në 6-8 për qind. Vlerësimi përfundimtar për vitin 2008 pritet të publikohet vitin e ardhshëm. Gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, rruga patriotike hëngri 220 milionë euro të tjera, shifër kjo që ndikoi gjithashtu në shifrat e PBB-së.
Por kur të shlyhet shuma e përgjithshme prej gjysmë miliardi eurosh që është marrë borxh për këtë projekt, këto para do të jenë negative në ekonomi. Gjatë tremujorit të tretë të këtij viti, punimet për ndërtimin e kësaj rruge përfunduan në pjesën më të madhe dhe për rrjedhojë, edhe rritja ekonomike u ngadalësua. Në tremujorin e fundit, të dhënat paraprake duket se janë edhe më negative. Të ardhurat e buxhetit të shtetit janë më të pakta se një vit më parë, gjë që flet për rritje ekonomike negative.
Rritja sipas sektorëve
Ndërtimi dhe industria janë dy degët më të goditura nga kriza, ndërsa telefonia dhe transporti kanë shënuar performancën më të mirë, sipas INSTAT.
“Në këtë tremujor, degët që kanë pasur rritjet më të mëdha ishin post telekomunikacioni, transporti dhe tregtia respektivisht me 34.3 për qind, 15.5 për qind dhe 6.4 për qind krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2008. Degët që patën rënie në këtë tremujor krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti të mëparshëm ishin industria dhe ndërtimi respektivisht me - 4.5 dhe - 0.7 për qind”, thotë INSTAT.Industria është goditur nga rënia e eksporteve dhe rënia e çmimeve të mineraleve në tregun ndërkombëtar. Ndërtimi është goditur nga zvogëlimi i investimeve publike, si dhe nga mungesa e kreditimit të familjeve që dëshirojnë të blejnë shtëpi nga ana e bankave.
Aktiviteti i ndërtimit në tremujorin e tretë të vitit 2009 u ul me 0.7 për qind krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2008. Gjithashtu ky sektor pësoi një rënie me 9.5 për qind krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2009. Kredia e re për prona të patundshme për periudhën janar-tetor të këtij viti ka qenë vetëm 190 milionë euro në total, nga afërsisht 480 milionë euro që ishte një vit më parë.