E Diel, 1 Nëntor 2026

Flet zv.drejtori i përgjithshëm dhe Drejtori i Grupit të Shitjeve dhe Marketingut, Orkunt Yozgat

Kompania celulare “Eagle Mobile” nuk ka ndërmend të ndalet as në vitin 2010. Zv.drejtori dhe shefi i shitjeve i marketingut, Orkunt Yozgat, tregon për “Shqip” stadin ku ndodhet kompania, ofertat e reja dhe planet për të ardhmen.
Gjatë  vitit 2009, kompaninë "Eagle Mobile" e kemi parë  mjaft aktive me ofertat, sidomos për abonentët brenda rrjetit. çfarë mund të na thoni konkretisht rreth këtij fakti?
“Eagle Mobile” që nga dita e parë ka pasur në qendër të vëmendjes ofrimin e shërbimeve më të reja dhe më të mira për të gjithë shqiptarët. Prandaj dhe ne u kemi ofruar dhe u ofrojmë të gjithë atyre që na besuan dhe pranuan të jenë klientët tanë kushtet më të përshtatshme të komunikimit dhe do të vazhdojmë të ecim në të njëjtën rrugë. Për ne, vlerën kryesore e ka klienti, prandaj ashtu siç bëmë vitin e kaluar, edhe në 2010-n do të vazhdojmë të zgjerojmë rrjetin e abonentëve tanë, duke u ofruar atyre shërbime mjaft cilësore.
Po për ofertat e fundvitit, si paraqitet ecuria? çfarë keni ofruar për abonentët?
Tashmë e shohim veten si operatori më aktiv i këtij fundviti, pasi kemi ndërmarrë  2 fushata të ndryshme në këtë periudhë dhe të dyja fushatat po ngjallin interes mjaft të madh. Në fushatën e parë, ata që bëjnë 500 lekë rimbushje përfitojnë telefonata falas për një javë drejt numrave “Eagle” dhe 20 minuta falas drejt operatorëve të tjerë. Kështu që në këtë prag të Vitit të Ri ata kanë mundësinë të flasim sa të dëshirojnë. Ndërsa fushata e dytë që ndërmorëm lidhur me telefonatat ndërkombëtare, bëri më shumë bujë. Nuk mundësuam diçka të kufizuar siç bëjnë operatorët zakonisht, por vendosëm të njëjtën tarifë thirrjesh për të gjitha shtetet. Në këtë mënyrë ne i qëndruam fjalës së dhënë për një komunikim të lirshëm dhe me çmim të arsyeshëm për të gjithë. Me këtë fushatë mundësuam thirrje drejt numrave ndërkombëtarë që fillojnë nga 29 lekë për minutë dhe thirrjet kombëtare 14 lekë për minutë.
Ndoshta është herët të thuhet, por në  vija të përgjithshme, mund të  na paraqisni një tablo rreth zhvillimeve të  vitit 2009. Si e gjen veten kompania juaj?
Viti 2009 për kompaninë ka rezultuar mjaft e suksesshme dhe me një konkurrencë të përjetuar ndjeshëm. Këtë vit u mundësuam shqiptarëve shërbimet më të reja me çmimet më të përshtatshme dhe si rrjedhojë arritëm shifra të rëndësishme. Në 2009-n, “Eagle Mobile” hyri si një operator vetëm 9 muajsh me 260 mijë abonentë dhe që kishte vetëm 9% të tregut shqiptar. Gjatë këtij viti 2009 “Eagle Mobile” vazhdoi rritjen dhe sot në prag të 2010-s ka 14% të tregut GSM me 600 mijë abonentë.
Duket se kriza nuk e ndali planin e investimeve. Në fakt sa është  shifra e shpenzimeve dhe cili ka qenë prioriteti?
“Eagle Mobile” ka investuar rreth 50 milionë euro dhe nuk ka ulur në asnjë moment intensitetin e investimeve. Kemi vijuar punën tonë me gjithë krizën ekonomike. Prioritet kemi pasur rritjen e kapaciteteve të rrjetit tonë në mbarë vendin, rritjen e cilësisë.
Vitin 2010 si e parashikoni? Ku doni të arrini dhe, nëse ka, çfarë surprizash keni rezervuar për klientët?
Në vitin 2010 kemi si qëllim të rrisim pjesën tonë në treg, si edhe të ardhurat dhe duke bërë këtë duam t’u qëndrojmë pranë klientëve tanë duke u dhënë përgjigje në një mënyrë sa më novatore, cilësore dhe me pak kosto për ta. Risitë që kemi sjellë do të vazhdojnë edhe në vitin 2010, duke gëzuar të gjithë pjesëtarët e familjes “Eagle Mobile” dhe duke surprizuar të gjithë ata që ende nuk janë bërë pjesë e kësaj familjeje të madhe. Kënaqësia e abonentëve të të gjitha grupeve për ne është shumë e rëndësishme dhe kemi plane për ta shumëfishuar këtë kënaqësi edhe në vitin që kemi para. Duke bërë të gjitha këto, ne padyshim do të shtojmë numrin e punonjësve dhe ta rrisim “Eagle Mobile”.
Kohët e fundit po përflitet projektideja e numrit portativ. Jeni të  gatshëm ndaj këtij projekti?
Mbartja e Numrit (Mobile Number Portability) është një nga projektet kryesore që  duhet të trajtohet dhe hidhet në praktikë sa më shpejt në vitin 2010. Ky projekt i planifikuar për vitin 2009 nuk u zbatua, por në 2010-n duhet të futet patjetër në praktikë. Shqiptarët duhet të kenë mundësinë që të marrin shërbime nga operatorë të ndryshëm sipas kërkesës dhe dëshirës së tyre pa i ndryshuar numrat ekzistues. Në këtë mënyrë në tregun shqiptar të telekomunikacionit do të fillojë konkurrenca e vërtetë dhe përdoruesit do të nisin të marrin lehtësisht shërbime nga operatori që dëshirojmë. Nga kjo do të përfitojnë operatorët që japin shërbimin më të mirë dhe padyshim do të fitojë në mënyrë të drejtpërdrejtë konsumatori shqiptar. Ne si “Eagle Mobile” besojmë në forcën tonë dhe japim mbështetjen e plotë që praktika e mbartjes së numrit të mbërrijë edhe në Shqipëri.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›