E Diel, 1 Nëntor 2026

Fushata, Berisha: Korca do jetë në krye të fitores së PD-së

Kryetari PD zgjodhi Korcën për të përmbyllur fushatën elektorale në rrethe. Nga sheshi i këtij qyteti Berisha tha se do të jetë Korca në krye të fitores së PD, një përpjekje kjo për të sfiduar socialistët që e mbajnë Korcën si një bastion të tyre. 

KORCE- Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka zgjedhur Korcën si qytetin me të cilin ka përmbyllur dhe fushatën elektorale të këtyre zgjedhjeve në rrethe. Nga sheshi i këtij qyteti Berisha kërkoi votën e qytetarëve të Korcës për të bërë sic tha ai realitete ëndrrën më të bukur të mbarë shqiptarëve, “Ëndrrën tonë Europine”. Edhe pse njihet si një bastion i majtë kreu demokrat tha se Korca qëndron në krye të fitores s demokratëve në këto zgjedhje.
“Erdha sot tek ju për të festuar me ju fitoren e 28 qershorit, ditës në të cilën ne së bashku vendosim për të bërë realitet ëndrrën më të bukur të Korçës, të mbarë shqiptarëve, ëndrrën tonë evropiane. Ndaj dhe në 28 qershor, ftojmë të gjithë shqiptarët, të gjithë korçarët, të votojmë së bashku për ëndrrën tonë evropiane. Të votojmë së bashku për të hequr vizat, vitin e parë të mandatit tonë të dytë”- tha Berisha.
Duke folur për projektin e demokratëve për hapjen e 160 mijë vendeve të reja të punës, Berisha tha se në projektin e tyre europian nuk ka dhe nuk mund të ketë të përjashtuar.
“Të votojmë së bashku për të krijuar në Korçë e në mbarë Shqipërinë 160 mijë vende pune të reja, të votojmë së bashku për të barazuar pensionet e fermerëve të Korçës, me ato të qytetit, për të shpërblyer pensionistët tanë dhe punonjësit me pensione dhe rroga më të larta se ato të 6 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian Në projektin tonë evropian nuk ka dhe nuk mund të ketë të përjashtuar”- theksoi kryeministri Berisha..
Kryetari demokrat Berisha erdhi në mitingun e Korcës pasi kishte inauguruar fillimin e punimeve të autostradës Qafë Plloç- Qukës. Në kuadrin e premtimeve Berisha garantoi qytetarët e Korcës se shumë shpejt do të fillojë autostrada Elbasan- Tiranë dhe Korca me Tiranën tha ai do të përgjysmojnë distancën.
“Unë ju garantoj ju qytetarë të Korcës se shumë shpejt do të fillojë autostrada Elbasan- Tiranë dhe Korca me Tiranën do të përgjysmojë distancën”- tha Berisha.
Ashtu sikundër nga cdo shesh i Shqipërisë lideri demokrat Sali Berisha bëri thirrje për të votuar numrin 10-të në 28 qershor. “Më 28 qershor fitojnë të gjithë korcarët, të gjithë shqiptarët. Votoni të gjithë 10-tën”- tha Berisha. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›