E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushata PS, Rama: Programi jonë ndryshon Shqipërinë

Kryetari i PS-se Edi Rama prezanton kandidatët e PS-së në Berat. "PS vjen në këtë garë me një program të ri, me ide dhe vullnet të ri për të ndryshuar Shqipërinë"- tha Rama. 

BERAT- Kryesocialisti Edi Rama shkoi në qytetin e Beratit për të prezantuar kandidatët e PS-së në këtë qark. Rama tha se sfida kryesore është ngritja e Shqipërisë që kemi ëndërruar dhe jo mundja e kundërshtarit.

“Unë kam ardhur këtu me një program që e kemi shkruar së bashku. Me një skuadër që do të angazhohet dhe do të realizojë këtë program të shkruar së bashku. Dhe me gjithë fuqinë e shpirtit dhe të mëndjes time dhe të këtyre njerëzve për t’u dhënë mbrojtje të varfërve, për tu dhënë krahë të papunëve, për tu dhënë shpresë të rinjve e të rejave. Nuk vij në këtë garë nga urrejtja e instikti luftarak Për ta gjunjëzuar kundërshtarin, as nga nevoja për të ushtruar pushtet mbi të tjerët apo nga synimi për tu zgjatur më shumë duke hipur në një karrige më të lartë, por vij në këtë garë nga dashuria për vendin tim”- tha Rama në fjalën e tij.

Më tej kreu socialist shtoi se është koha që të gjithë të besojmë te forca e votës për të ndryshuar të ardhmen.
“Besojini forcës së madhe të një bashkimi qytetarësh përballë një pazari të vjetër kryetarësh. Mjaft me 18 vjet me ndryshimin e qeverive që ndryshojnë vetëm qimen, por jo zakonet e këqija të pushtetit që në 18 vjet u kanë dhënë shqiptarëve vetëm shfaqjen bajate të pazarit të vogël politik të interesave të vogla”- vazhdoi më tej Rama.

Ai përsëriti se pas 28 qershorit do të merret në konslutë me grupet e interesit ashtu sic ndodhi me programin e PS-së, gjatë viteve në opozitë.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›