LSI: Vota jonë, pro ligjeve të PD-së
TIRANË- Lëvizja Socialiste për Integrim do të mbështesë Partinë Demokratike në të gjitha nismat e saja ligjore, që kërkojnë një shumicë të cilësuar votash dhe që, sipas saj, do të jenë konform standardeve demokratike. Një qëndrim të tillë e ka bërë të ditur dje Sekretari i Përgjithshëm i kësaj force, Petrit Vasili, i cili duke komentuar bashkimin e votave që deputetët e LSI-së bënë me mazhorancën për kalimin e Kodit Ajror, ka lënë të hapur mundësinë e ripërsëritjes së të njëjtit fenomen edhe në projektligjet e tjera që do të vijnë në Kuvend dhe, për të cilat, ajo do të jetë dakord. “Çdo iniciativë ligjore, që respekton dhe garanton standardet europiane, aq të domosdoshme për mirëfunksionimin e vendit, sigurisht që do ta ketë mbështetjen dhe votën tonë”, - ka thënë Vasili, duke u përpjekur të fshehë bashkëpunimin me PD-në përmes standardeve të ligjeve që do të vijnë në Kuvend. Kështu, pritet të shihet nëse edhe sot gjatë seancës plenare, ku pritet të kalojë një tjetër projektligj që kërkon një shumicë të cilësuar votash, siç është ai për avokatinë. Ndërkohë, nga ana tjetër, ai ka mohuar ekzistencën e një marrëveshjeje të fshehtë bashkëpunimi midis LSI-së dhe PD-së në Kuvend, megjithëse zhvillimet gjatë kësaj seance treguan të kundërtën, ku mazhoranca, falë votave të LSI-së mundi të kalojë Kodin Ajror. “Kthimi në sallë dhe votimi i një ligji, që për saktësi të publikut bëhet fjalë për Kodin Ajror të Republikës së Shqipërisë, pra një ligji tepër të rëndësishëm për standardet europiane, ka lidhje me faktin se ne kemi refuzuar politikën e bojkotit si një politikë e vjetër, shumë e konsumuar. 84 votat e realizuara për të mbështetur Kodin Ajror të Republikës së Shqipërisë, janë tregues i mirë që iniciativat e përpiluara dhe të hartuara sipas standardeve europiane, dhe të pakritikuara nga opozita, madje të mbështetura prej saj, sigurisht që do të kenë votat e Lëvizjes Socialiste për Integrim”, - tha Vasili.